Njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi ka sqaruar karakteristikat e prototipit të fluturakes luftarake pa pilot “Kizilelma”, të cilën kryeministri Albin Kurti e pa nga afër gjatë qëndrimit të tij në Turqi.
Ibishi ka thënë se kjo fluturake është model i avancuar i dronëve Bayraktar e cila mund të përdoret për vëzhgim dhe atakim të caqeve.
Ndërsa, për njohësin e sigurisë ky model shumë shpejt do t’i bashkohet FSK-së.
Ibishi ka vlerësuar se Turqia ka treguar një përkushtim në fazën e tranzicionit 10 vjeçar të ushtrisë së Kosovës.
“Ky është një model më i ri, më i avancuar dhe ky së shpejti do të jetë në pajisjet tona. Mendoj që Turqia po tregon një përkushtim të Kosovës edhe në këtë fazë tranzionicioni 10 vjeçar të FSK-së për ngritje të kapaciteteve, por edhe të armatimit dhe pajisjeve. Kizilelma mund të përdorët në shumë aspekte, edhe në vëzhgim edhe… për atakimin e caqeve. Ka një kapacitet më të shtuar edhe të radiusit taktik. Njëkohësisht ka një performancë përtej asaj që ka pasur droni Bayraktar”, është shprehur ai.
Më tej, Ibishi e ka cilësuar vendim të guximshëm mundësinë e Kosovës për tu pajisur me flutarakën “Kizilelma”.
“Mendoj që është një vendim i guximshëm të pajisemi me ato, e dini fort mirë edhe reagimin e Vuiçiqit i cili e pa këtë si kërcënim edhe pse…, ne nuk kemi tendenca për të sulmuar ndonjë shtet fqinj, në këtë rast Serbinë, por në aspektet mbrojtëse kemi të drejtë të pajisemi me të gjitha mjetet”, ka shtuar ai.