Biseda Kusari-Radojçiq/ Opozita: Po rrezikohet interesi kombëtar i Kosovës, Prokuroria të nisë hetimet

Aktuale

Biseda Kusari-Radojçiq/ Opozita: Po rrezikohet interesi kombëtar i Kosovës, Prokuroria të nisë hetimet

Më: 4 qershor 2024 Në ora: 18:15
Mimoza Kusari-Lila dhe Milan Radoiçiq

Është publikuar dje një bisedë mes shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe kriminelit serb Milan Radoiçiq, kryeorganizator i sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Biseda është zhvilluar në kohën kur Millan Radojçiq veçse pati hyrë në Listën e Zezë të SHBA-së.

Reagime të shumta, lidhur me këtë çështje, kishte nga partitë opozitare në vend, duke gjykuar se po dëmtohen interesat Kombëtare të Kosovës.

Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK),Besian Mustafa, thotë se biseda në mes të Kusarit dhe Radojçiq zbulon aleancat e dyshimta dhe agjendat e fshehura që dëmtojnë interesat kombëtare.

“Kjo bisedë klandestine mes Mimoza Kusarit dhe Milan Radojçiqit zbulon aleancat e dyshimta dhe agjendat e fshehura që dëmtojnë interesat tona kombëtare. Është e habitshme të shohësh shefen e deputetëve të Vetëvendosjes, një parti që ka gojën plot “patriotizëm”, “transparencë” e “integritet”, të koordinohet afërsisht me një figurë famëkeqe kriminale që ka cenuar interesat, integritetin dhe sovranitetin e Republikës sonë”, tha ai.

Mustafa thekson se Vetvendosje me dyer të mbyllura, janë të gatshëm të komprometojnë vlerat dhe interesat kombëtare për interesat e tyre politike.

“Ky rast hedh poshtë parimet e tyre të deklaruara deri më tani, duke nxjerrë në pah se pas dyerve të mbyllura, Vetëvendosje janë të gatshëm të komprometojnë vlerat e tyre dhe interesat kombëtare për interesat e tyre politike dhe kushedi çfarë interesa tjerë”, tha ai.

Mustafa thotë se prokuroria e shtetit duhet të hetojë këtë rast me ugjencë. “Ftojmë prokurorinë e shtetit të hetojë këtë rast me urgjencën dhe prioritetin më të lartë, pasi që interesat tona kombëtarë janë shtruar tani më me një terrorist të konfirmuar”, tha ai.

Hisen Berisha nga PDK thotë se qeveria është me agjendë anti Kosovë, të përgatitur në kuzhinat politike të Beogradit e Moskës.

Berisha thtekson se publikimi i përgjimit në mes të Kusarit dhe Radojçiqit ngre dyshime të forta për rrezikimin e sigurisë kombëtare

“Se ky koalicion qeverisës është me agjendë anti Kosovë, të përgatitur në kuzhinat politike të Beogradit e Moskes, do të bindeni çdo ditë të qëndrimit të kësaj struktura politike në qeverisje. Publikimi i përgjimit ngre dyshime të forta për rrezikimin e sigurisë kombëtare. Në ketë korrelacion, veç për moral e integritet s’mund të flitet, ngase është evident dyshimi për lidhje apo bashkëpunim me figura kriminale në listat e zeza të DASH, që komprometojnë sigurinë dhe interesat e shtetit”, tha ai.

Sipas tij, afërsia e shfaqur në bisedën e tyre është alarmuese dhe se Kusari- Lila duhet të paralizohet për rrezikim të Sigurisë Kombëtare.

“Natyra e bisedës dhe afërsia e shfaqur janë alarmuese, për shkak të implikimeve që mund të kenë në nivelin e sigurisë dhe integritetit të institucioneve shtetërore. Kusari- Lila duhet të paralizohet për rrezikim të Sigurisë Kombëtare. Penalizimi i Kusari-Lilës do të shërbente si një precedent i rëndësishëm për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen”, tha ai.

Deputeti i PDK-së thotë se Radojçiq po qëndron në hotelin e tij në Kopaonik dhe po administron jo vetëm me bandat e tij dhe politikën në Beograd.

“Radojçiq po qëndron në hotelin e tij në Kopaonik dhe po administron jo vetëm me bandat e tij dhe politikën në Beograd, por po i koordinon politikat e qeverisë së Kosovës përmes eksponentëve të kësaj qeverie, siç vërehet nga përgjimet. Është fakt se edhe përpara ka komunikuar me eksponent politik e qeveritar të Kosovës. Kosova nuk mund të ecë përpara me bashkëpunëtor të shërbimit sekret serb e pjellë të UDB/BIA serbe, nëpër këmbë. Njëherë e mirë duhet të hetohen dhe t’iu pamundësohet të jenë pjesë e politik bërjes e vendimmarrjes në institucionet e Kosovës”, tha Berisha.

Deputetja e AAK-së, Albanë Bytyqi thotë se biseda e publikuar gjatë ditës së djeshme në mes të Mimoza Kusarit dhe Millan Radojçiq nuk është aspak befasuese, sipas saj ky fakt e e forcon bindjen tonë për ekzistencën e koalicionin sekret në mes të VV-së dhe Listës Serbe.

“Përgjimi i fundit që u publikua dje, nuk po na befason, veçse po na e forcon bindjen tonë për egzistencën e koalicionin sekret në mes të VV-së dhe Listës Serbe. Në fakt kjo bisedë shpërfaq një partneritet politik i cili e dekonspiron politikën mashtruese publike, thjeshtë tjetër flasin e tjetër veprojnë”, tha deputetja e AAK-së.

Zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, deklaroi sot se opozita në të kaluarën bënin biznese, koalicione, e qeveri me Radoiçiqin kurse me LVV-në, Radoiçiq ikë maleve me bisht nën shalë, e nuk zë vend në karrigat e zyrës së Kryeministrit.

Kjo deklaratë, Bytyqi e AAK-së thotë se tregon panik e faj dhe i jep të drejtë dyshimeve për lidhjete tyre sekrete me Radojçiqin.

“Nuk jam deputete për të komentuar deklaratën e zëdhënësit të Vetëvendosjes. Mirëpo, kjo qasje tregon panik e faj dhe i jep të drejtë dyshimeve tona për lidhjet e tyre sekrete. Pra ky reagim nga zyrtarët e Vetëvendosjes është për ta mbuluar fytyrën e vërtetë të tyre!”, tha Bytyqi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat