Zëdhënësi i LDK: Prokuroria të hetojë me urgjencë bisedën me Radojçiq, interesat tona kombëtare

Aktuale

Zëdhënësi i LDK: Prokuroria të hetojë me urgjencë bisedën me Radojçiq, interesat tona kombëtare

Më: 4 qershor 2024 Në ora: 18:35
Besian Mustafa

Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, thotë se biseda në mes të Kusarit dhe Radojçiq zbulon aleancat e dyshimta dhe agjendat e fshehura që dëmtojnë interesat kombëtare.

“Kjo bisedë klandestine mes Mimoza Kusarit dhe Milan Radojçiqit zbulon aleancat e dyshimta dhe agjendat e fshehura që dëmtojnë interesat tona kombëtare. Është e habitshme të shohësh shefen e deputetëve të Vetëvendosjes, një parti që ka gojën plot “patriotizëm”, “transparencë” e “integritet”, të koordinohet afërsisht me një figurë famëkeqe kriminale që ka cenuar interesat, integritetin dhe sovranitetin e Republikës sonë”, tha ai.

Mustafa thekson se Vetvendosje me dyer të mbyllura, janë të gatshëm të komprometojnë vlerat dhe interesat kombëtare për interesat e tyre politike.

“Ky rast hedh poshtë parimet e tyre të deklaruara deri më tani, duke nxjerrë në pah se pas dyerve të mbyllura, Vetëvendosje janë të gatshëm të komprometojnë vlerat e tyre dhe interesat kombëtare për interesat e tyre politike dhe kushedi çfarë interesa tjerë”, tha ai.

Mustafa thotë se prokuroria e shtetit duhet të hetojë këtë rast me ugjencë. “Ftojmë prokurorinë e shtetit të hetojë këtë rast me urgjencën dhe prioritetin më të lartë, pasi që interesat tona kombëtarë janë shtruar tani më me një terrorist të konfirmuar”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat