Paralajmërimet për hapjen e Urës së Ibrit, ja çfarë thotë ish-komandanti i KFOR-it

Aktuale

Paralajmërimet për hapjen e Urës së Ibrit, ja çfarë thotë ish-komandanti i KFOR-it

Më: 4 qershor 2024 Në ora: 19:07
Erhard Bühler

Ura e Ibrit është mbyllur qe shumë vite për qarkullim të veturave, mirëpo vitin e kaluar kuvendi komunal i Mitrovicës së Veriut mori vendim që ajo të hapet por ky vendim ende nuk është zbatuar. Kjo është përkrahur në Kosovë, mirëpo nga ndërkombëtarët është kërkuar që çfarëdo vendimi për Urën e Ibrit të diskutohet në kuadër të dialogut.

Vitin e kaluar kuvendi komunal në Mitrovicë të Veriut ka marrë vendim që të hapet ura që e ndanë Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut. Mirëpo ky vendim akoma nuk është zbatuar.

Kjo temë u riaktualizua sërish ditëve të fundit pasi zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se Ura e Ibrit do të hapet “shumë shpejt”.

“Unë e konsideroj që është vetëm në pyetje koha se kur kjo urë do të hapët dhe si do të hapet. Një herë e patëm përmend që ka mundësi me u hap ura dhe me u mbushë me autoblinda në një farë vendi, por jemi duke e diskutuar me eprorët tanë se si ka mundësi kjo të bëhet. Unë konsideroj se nuk ka më vend për brengosje për qytetarët e veriut të vendit. Forma se si do të hapet është pak më ndryshe, por unë konsideroj që shumë shpejt do ta kemi edhe urën e hapur”, ka thënë Elshani më 30 maj.

Mirëpo ndërkombëtarët, më saktësisht BE dhe KFOR-i, po kërkojnë që çfarëdo vendimi që lidhet me Urën e Ibrit duhet të diskutohet në Bruksel.

Për këtë çështje ka folur ish komandanti gjerman i KFOR-it(2010-2011), Erhard Bühler. Ai tha se Qeveria e Kosovës duhet t’i dëgjojë këshillat e KFOR-it, BE-së dhe ambasadorëve të QUINT-it.

“Rekomandimi im është që Qeveria e Kosovës duhet të ndjekë këshillat e KFOR-it, BE-së dhe ambasadorëve të QUINT-it. Do doja që vendimi i kuvendit komunal të zbatohej. Megjithatë, situata e sigurisë në Mitrovicën e Veriut është e paparashikueshme”, tha ai.

Ai u shpreh se do të donte që vendimi për hapjen e urës të zbatohej, por sipas tij situata në Mitrovicë të Veriut është e paparashikueshme.

Bühler tha se çdo trazirë mund ta dëmtojë imazhin e Kosovës dhe marrëdhëniet me aleatë.

Gjenerali gjerman në fund tha se duhet të dëgjohen miqtë dhe të ketë më shumë durim.

“Çdo trazirë e mëtejme mund të dëmtojë sërish imazhin e Kosovës në Evropë dhe të dëmtojë marrëdhëniet e Kosovës dhe miqtë e saj më të afërt. Prandaj dëgjoni miqtë dhe jini të durueshëm”, ka thënë Bühler.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat