Argjendaria e grabitur në Suharekë, pronari u detyrua të hyjë kredi 50 mijë euro

Aktuale

Argjendaria e grabitur në Suharekë, pronari u detyrua të hyjë kredi 50 mijë euro

Më: 4 qershor 2024 Në ora: 19:49
Argjendaria

“Pas çdo fatkeqësie populli e ka një thënie të zakonshme, “njëherë kaje njerin, e pastaj mallin”.

Tahir Bytyçit më 22 nëntor 2023 djali iu përballë me grabitës të maskuar e me kallashnikovë, dhe shpëtoi, tash po e “kanë mallin”.

3 kilogramë stoli ari në vlerë gati 200 mijë euro iu grabitën, që ishte mundi i gjithë jetës.

“Jam detyru me e marrë një kredi në bankë, 50 mijë euro në NLB Bankë e kam paguar një pjesë të borxhit që e kam pasur, dhe një pjesë jam furnizu me mall. Edhe një pjesë të arit e kam marrë prej familjarëve të mitë, prej grujes, prej motrës, prej vajzës time, i kam përpunuar ato, edhe i kam bërë stoli për me i shitë, sa për me fillu punën”, ka deklaruar Tahir Bytyçi, pronar i argjendarisë.

Pronari i argjendarisë thotë se menjëherë pas grabitjes një person me numër të Serbisë ia kishte kontaktuar djalin, por që nuk janë marrë me të.

“I ka shkru mesazh i ka thënë nëse doni me e gjetë arin ku e ke duhesh me pagu.”, ka vijuar Bytyçi.

Bytyçi tregon se nga ajo që ia kanë prezantuar hetuesit policor, as për së afërmi nuk është gjetur ari që i është grabitur, ndonëse ishte thënë se është vetëm një pjesë e konfiskimit.

Bytyçi ka shqetësimi edhe për faktin se më asnjëherë nuk është kontaktuar nga organet e drejtësisë apo të sigurisë.

Prokurorja e rastit, Ervehe Gashi ka thënë se po punojnë në drejtim të ngritjes së aktakuzës, ndërsa nënkuptoi se Korab Gashi i dyshuar për pjesëmarrje në grabitje, ndodhet jashtë Kosovës.

“Jemi në fazën e zbatimit të hetimeve, jemi në pritjen e provave prej ekzaminimeve që na kthehen prej laboratorëve përkatëse. Ka shumë dëshmitarë të cilët duhet të merren në pyetje dhe janë marrë në pyetje edhe mandej në fund i marrin në pyetje të pandehurit edhe vendosim. Sa i përket këtij që është jashtë faktikisht në arrati, për të janë lëshuar urdhër arresti dhe fletërreshtimi. Vonesa e ekzaminimeve në këtë çështje penale ka të bëjë me stërngarkesën e laboratorëve përkatëse, (…) janë të stërngarkuara me ekzaminimet e rastit Banjska.”, ka deklaruar Gashi.

Krahas procesit penal, pronarët e argjendarisë kanë dorëzuar edhe padi civile përmes avokatit, duke kërkuar dëmshpërblim në vlerë mbi 100 mijë euro.

“Si palë të padisë krahas komunës kemi përfshirë edhe persona të tjerë të cilët janë të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale.”, ka deklaruar avokati, Albatrit Bytyqi.

Ndaj Bujar Bashës, Besart Istrefit dhe Leutrim Cakollit të dyshuar për grabitje si dhe ndaj Trim Barakut i dyshuar për posedim të paautorizuar të armëve Gjykata Themelore ka marrë vendim që të mbahen në paraburgim edhe për 2 muaj, deri më 30 qershor.

Ndërsa Albin Beqiri dhe Fatmir Tahiri, të dyshuar për dhënie të ndihmës për grabitje, nuk po qëndrojnë në paraburgim.

Për grabitjen me armë të gjatë ku u plagos një polic dhe një tjetër u lëndua gjatë intervenimit, në paraburgim ndodhen katër të dyshuar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat