Kryeministri Kurti ka konfirmuar dallimet e tij dhe të ministrave të tjerë me presidenten Vjosa Osmani. Por sqaroi se ato nuk janë të pakalueshme.
Shefi i qeverisë dha detaje të reja lidhur me fuqizimin e ushtrisë së Kosovës, pas kthimit nga Turqia.
“Ne kemi bashkëpunim të ngushtë. Kjo nuk do të thotë se edhe me kryeparlamentarin Konjufca dhe ministren e jashtme Gërvalla dhe presidenten Osmani nuk kemi pasur diskutime dhe ndonjëherë dallime.
Por nuk besoj se ka të tilla të cilat janë të patejkalueshme. Unë bashkëpunojë shumë ngushtë për të gjitha blerjet ushtarake me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe me komandantin e FSK-së, Bashkim Jasharin. Sigurisht se ne do të vazhdojmë me pajisje moderne për ushtrinë tonë. Kemi dyfishuar shpenzimet për mbrojtje, trefishuar për armatim, katërfishuar për trajnime jashtë vendit.
Korporata Baykar që prodhon dronin Bayraktar padyshim se është një adresë e duhur që duhet të kemi përherë parasysh për zhvillimin e mëtutjeshëm të ushtrisë sonë. Por çfarë pajisjesh, kur do t’i blejmë dhe sa? Kjo mund të merret vesh në të ardhmen. Kjo nuk varet prej neve. Krejt çka është varur prej neve tashmë ka ndodhur. Ne aso kohe jemi ndëshkuar padrejtësisht për shkak të eskalimit të situatës në veri të Kosovës.
Ky eskalim pa pasur adresë të qartë të përgjegjësisë dhe fajësisë. Ndodhi deeskalimi mirëpo më pastaj ngjau riskalimi në shtator të vitit të kaluar, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku”, tha Kurti.