Dëshmitari tregon rastet kur nuk u zbatua urdhri i Thaçit nga anëtarët e UÇK-së, Bytyçi flet edhe për raportin e Dick Martyt

Aktuale

Dëshmitari tregon rastet kur nuk u zbatua urdhri i Thaçit nga anëtarët e UÇK-së, Bytyçi flet edhe për raportin e Dick Martyt

Më: 5 qershor 2024 Në ora: 07:18 Përditësuar në ora: 17:18 më 05.06.2024
Nuhi Bytyçi

Bytyçi për raportin e Dick Martyt: Përpjekje e Rusisë dhe Serbisë për ta kriminalizuar luftën e UÇK-së

Dëshmitari Nuhi Bytyçi tha se raportin e Dick Martyt e konsideron si përpjekje të Serbisë dhe Rusisë për të kriminailzuar luftën e UÇK-së.

Këtë deklarim, ai e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, i cili u fokusua tek ky raport anë të secilit akuzohej Ushtria Çlirimtare eKosovës për trafikim organesh, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Kam dëgjuar. Këtë raport e konsideroj që është raport joreal, është përpjekje e Serbisë dhe Rusisë për ta kriminalizuar luftën e drejtë të UÇK-së. Është e saktë (shënjestër e hetimit ishte Thaçi). Është akuzuar UÇK-ja për trafikim organesh, që ishte një aktakuzë qesharake dhe shumë e paqëndrueshme. Kjo ishte një gënjeshtër”, tha dëshmitari.

Më pas, Mishetiq u kthye sërish tek libri i Bytyçit, në të cilin ai kishte përshkruar përpjekjet e tij për të marrë mbështetje financiare nga Qeveria e Kosovës që të përgatisë dokumentare për luftën e UÇK-së.

“Në libër ju thoni: Më vjen keq të them por Zyra e ish-Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe kabineti qeveritar i Kryeministrit Ramush Haradinaj si udhëheqës të luftës çlirimtare, nuk kanë sponsorizuar asnjë projekt për film-dokumentar edhe pse unë kam dorëzuar si skriptën ashtu edhe kërkesën zyrtare. Unë kam dorëzuar disa skripta dhe kërkesa për mbështetje financiare për këto projekte shumë të rëndësishme në institucionet tona”, tha Mishetiq.

Ai citoi të thuhej në libër se kryesisht i kishte dorëzuar në Qeverinë e Kosovës, por fatkeqësisht nuk ekanë mbështetur siç duhet.

“Në vitin 2008 dhe 2009 unë kam dorëzuar një kërkesë tek Qeveria e Thaçit për mbështetjen e filmit dokumentar për rrugëtimin e Kosovës drejt çlirimit, por nuk kam marrë mbështetje. Shuma e kërkuar ishte shumë minimale, ishte vetëm 14 mijë euro, por përderisa u kërkua që të zvogëlohet më tepër, ky insistim nuk m’u duk serioz dhe nuk pranova”, tha Mishetiq.

Lidhur me këtë, dëshmitari tha se ka dashur ta paraqes gjendjen reale se sa ofrojnë mbështetje institucionet e Kosovës për të pasqyruar historinë  e Kosovës.

“Është e vërtetë. Kam dashur ta paraqes gjendjen reale se sa institucionet e Kosovë si kanë mbështetur projektet e mia, por edhe projektet e kolegëve të tjerë që pasqyrojnë historinë tonë më të re shumë të dhimbshme të popullit tonë, andaj kam shkruar ashtu siç është”, tha ai.

Më pas, Mishetiq lexoi fragmente nga libri i Nuhiut ku ai përshkruante periudhën kur kishte planifikuar që të bëhej drejtor i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), e që nuk e kishte marrë mbështetjen nga Thaçi në kohën kur ky i fundit ishte Kryeministër.

“Në libër ju keni shkruar: Sa i takon kërkesës për t’u bërë drejtor i RTK-së, Hashimi më dha kundërshtimin e tij mua. U largova shumë i zhgënjyer për Hashimin, sjellja e tij ishte injoruese, mosmirënjohëse për sakrificat e mia gjatë luftës dhe për mbështetjen e medias që i kisha dhënë atij dhe shokëve të tij në momentet e tij më të vështira dhe më sfiduese kur kishin pak mbështetës. Pavarësisht, gjithë mbështetjes që i kisha dhënë Hashimit dhe shokëve të tij që prej periudhës së çlirimit si dhe pas periudhës se çlirimit, unë e dija se nuk isha shumë i përshtatshëm për Hashimin dhe miqtë e tij sepse ata nuk mund të manipulonin mua për interesat e tyre të përditshme. Mbështetja e mëhershme për atë dhe shokët e tij ishte si rezultat i prejardhjes politike të luftës çlirimtare dhe nuk ishte mbështetje që do të donte të thoshte që të mbështetej manipulimi i tyre ndaj të tjerëve”, lexoi Mishetiq.

Ai më pas, pyeti dëshmitarin se a ishte i mërzitur me Thaçin lidhur me mënyrën se si e kishte trajtuar ai kërkesën e tij për t’u bërë drejtor.

“Me insistimin e disa miqve të mi dhe kolegëve të mi unë aplikova për drejtor të RTK-së. Ta them të drejtën edhe atëherë e dija se nuk mund të zgjidhesha sepse politika kërkon njerëz më fleksibil e më të dëgjueshëm si çdo politikë si atëherë edhe sot. Unë e kam shpreh një realitet…”, tha dëshmitari, duke u përgjigjur në pyetjet e Mishetiq.

Ai shtoi se nuk ka pas ndjesi negative ndaj Thaçit në kohën kur e ka shkruar librin dhe sipas tij nuk është gazetar që mban inate.

Me kaq përfunduan kundë pyetjet e avokatit Mishetiq për të vazhduar më pas me ato të mbrojtjes së Kadri Veselit, përmes avokatit Ben Emmerson.

Dëshmitari tha se gjatë kohës që Veseli nuk ishte në Kosovë bënte detyrën e vet për t’i informuar vendet aleate për zhvillimet në Kosovë, por që tha që nuk di detaje të tjera.

Dëshmitari Bytyçi: Kjo Gjykatë është përpjekje për minimin e shtetit të Kosovës

Dëshmitari Nuhi Bytyçi gjatë dëshmisë së tij në Hagë, tha se konsideron që Gjykata Speciale është përpjekje për të minuar shtetin e Kosovës për arsye që sipas tij çlirimtarët ndodhen tashmë aty.

“Atëherë ashtu ka qenë raporti i forcave ndërkombëtare dhe Serbia po të pyetej, edhe sot e minon shtetin e Kosovës bashkë me Rusinë. Edhe kjo Gjykatë konsideroj që është përpjekje për minimin e shtetit të Kosovës sepse këtu janë çlirimtarët dhe janë themeluesit e shtetit të pavarur të Kosovës”, tha dëshmitari.

Përgjigja e dëshmitarit erdhi pasi avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq po e pyeste për politikat e bashkësisë ndërkombëtare në gusht të vitit 1998, të cilët ia kishin prezantuar përfaqësuesve ndërkombëtarë se në negociatat me Serbinë mund të diskutohej vetëm autonomia e Kosovës dhe jo pavarësia e saj, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Më pas, dëshmitari tha se politika e bashkësisë ndërkombëtare nuk ofronte më tepër se autonomi për Kosovën në atë kohë.

Dëshmitari Bytyçi pohoi se ishte në dijeni që Sllobodan Millosheviqi në fund të shtatorit kishte deklaruar edhe tek përfaqësuesit ndërkombëtarë që UÇK-ja “ishte shkatërruar efektivisht”.

“Millosheviqi donte të fuste frikë të populli shqiptar që të mos mbështeste UÇK-në dhe unë në nëntor të vitit 1998 e përgatita një dokumentar special se UÇK-ja ekziston, se UÇK-ja është këtu dhe vepron dhe punon për të çliruar përfundimisht Kosovës”, tha dëshmitari tutje.

Megjithatë, Mishetqi u kthye tek një video e daljes së parë publike të Thaçit, në të cilën thoshte se institucionet serbe kanë bërë luftë speciale kundër UÇK-së për të portretizuar atë si të shkatërruar.

Avokati u fokusua tek pjesa ku Thaçi përmendte disa elemente autonome për të cilat e pyeti dëshmitarin se a e kishte për propozimet e ndërkombëtareve për autonominë apo i referohej diçkaje tjetër.

“Në atë periudhë kohore edhe disa faktorë ndërkombëtarë kanë mendu se mjafton autonomia për Kosovën edhe disa individë në Prishtinë ndoshta kanë mendu se pikërisht mjafton autonomia për Kosovën dhe se është zgjidhje autonomia për Kosovën, populli shqiptar i Kosovës nuk është pajtuar me këtë dhe për këtë arsye kur janë shterur të gjitha mjetet demokratike, të gjitha mjetet paqësore për realizimin e qëllimit për pavarësi është aktivizuar UÇK-ja dhe i ka marrë armët për të zhvilluar luftë frontale kundër forcave policore dhe ushtarake serbe”, tha dëshmitari.

“S’e di kush janë ata që po luftojnë”, “Janë dorë e zgjatur e Serbisë’, ishin fjalët e Rugovës për UÇK-në, thotë dëshmitari Bytyçi

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, gazetari Nuhi Bytyçi tha se ish-Presidenti Ibrahim Rugova kishte thënë për UÇK-në se nuk e dinte se kush janë ata që po luftojnë dhe se janë dorë e zgjatur e Serbisë.

Bytyçi tha se lidershipi politik në Prishtinë paraqitej sikur nuk ndodhte asgjë në zonat e luftës dhe se i mungonte gatishmëria për ta mbështetur UÇK-në, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“E ka thënë disa herë në konferencat me gazetarë që i ka mbajtur në Prishtinë çdo të premte. Këto janë publike. Unë nuk kam bërë intervistë, por kur e kanë pyetur gazetarët disa herë ashtu është shprehur. Unë e thash edhe më herët, lidershipi politik i Prishtinës nuk ka qenë në nivel të përgjegjësisë që kishte në ato rrethana të luftës. Nuk e kishte guximin por ishte shumë oportunist, paraqitej sikur nuk po ndodhte asgjë në zonat e luftës edhe pse atje zhvillohej luftë për liri edhe mungonte gatishmëria për ta mbështetur në të gjitha mënyra Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për ta mbështetur popullatën civile, për ta mbështetur luftën për liri”, tha ai.

Sipas tij, për shkak të këtij oportunizmi ndodhën shumë zhvillime jo të mira në zonat e luftës.

Por, përpara kësaj, avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq i lexoi dëshmitarit një fragment nga libri i tij, në të cilin kishte folur për këto qëndrime të Rugovës.

“Paragrafi i parë thotë kështu; Derisa në Drenicë dhe Dukagjin iu bëhej rezistencë forcave ushtarake dhe policore serbe, në Prishtinë diplomatët amerikanë dhe evropianë vinin për të biseduar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugovën. Në të njëjtën ditë kur Rugova u takua me diplomatët amerikanë Richard Holbrooke dhe Robert Gelbard, Rugova kishte deklaruar se ‘Nuk e di kush janë këta që po luftojnë’ dhe ‘ata janë dorë e zgjatur e Serbisë”, citoi Mishetq.

Sipas tij, aty thuhej se Gelbard kishte thënë që UÇK-ja mund të përfshihej në listën e organizatave terroriste.

“Ndërkaq, diplomati amerikan Gelbard kishte deklaruar se ‘UÇK-ja mund të përfshihet në listën e organizatave terroriste’. Në anën tjetër, Serbia dëshironte ta tregonte forcën, thjesht nuk ishte e gatshme të bisedonte me shqiptarët për të ardhmen e Kosovës”, tha Mishetiq, duke lexuar fragment nga libri “Libri i Luftës” me autor tani Nuhi Bytyçin.

Më pas, dëshmitari u pyet se a ka parë ndonjë ragim prej UÇK-së lidhur me deklarata e Rugovës, por që u përgjigj duke thënë se ata nuk kanë pas urrejtje për LDK-në.

“Kam qarkulluar me ditë të tëra në zonat e luftës dhe nuk kam pas kohë që të përcjell mediat, por e di që në radhët e UÇK-së nuk ka pas urrejtje ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, as ndaj Rugovës e as ndaj askujt”, tha dëshmitari.

Ai theksoi se nuk ka qenë lufta për pozita, por për ta çliruar Kosovën.

Tutje, dëshmitari tha se Rugova mendonte se Kosova mund të çlirohej pa luftë por mjete paqësore.

“Ai (Rugova) mendonte se Kosova mund të çlirohej pa luftë, me mjete paqësore, me konferenca për shtyp, me apele për paqe”, tha ai.

Bytyçi tha se për shkak të qëndrimeve të Rugovës, populli kishte hezitim a të luftonte a të priste urdhrin e tij për luftë.

“Ai e pranonte, por nuk e mbështeste si duhet si lider i popullit shqiptar, si lider politik si ishte. Kishte një përkrahje të madhe të popullit. Populli për atë kishte hezitime a të luftonte apo të priste urdhrin e Rugovës. Rugova nuk jepte urdhër për luftë”, tha dëshmitari.

Gazetari Nuhi Bytyçi gjatë dëshmisë së tij foli edhe për Hashim Thaçin për të cilin tha se e ka njohur si zyrtar për informim, me të cilin ka bashkëpunuar ngushtë.

“Zyrtar për informim. Kam bashkëpunuar ngushtë me zotëri Thaçin në të gjitha punët që kam kryer si gazetar në zonat e luftës. Ai ka qenë përgjegjës për informim. Nuk e di që është marrë me çështjet e tjera. Sipas informacioneve të mia, ai është marrëv etëm me informim deri vonë, pastaj kur është zgjedhur përfaqësues politik i UÇK-së”, tha ai.

Ai gjithashtu u pyet nëse e kishte parë Thaçin që të jepte urdhra në UÇK, mirëpo përgjigja e dëshmitarit nuk u dëgjua.

Mishetiq e pyeti dëshmitarin për një diskutim që kishte pasur me Hashim Thaçin në shtator të 1998-ës në prani të Jakup Krasniqit dhe Bislim Zyrapit. Bytyçi e cilësoi këtë diskutim si të pakëndshëm.

“Më kujtohet ky diskutim i pakëndshëm. Pas xhirimeve që bëra kryesisht në zonën e Drenicës për djegiet, për vrasjet e masakrat që kishin ndodhur në zonën e Drenicës, por edhe zonat tjera nga policia ushtrisë serbe i bëmë bashkë me Abaz Zekën ato imazhe që ishin të tmerrshme e informova zotëri Thaçi  që i kam bërë këto xhirime”, tha Bytyçi.

Ai tha se Thaçi insistoi që në fund të dokumentarit të shënohet se emisionin e mbështeti Drejtoria për Informim e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Unë i thash që nuk i bën nder Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që në titra të dalë që e mbështeti kur emisioni ka imazhe kryesisht për djegie, për vrasje, për masakrat ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk e kishte arritur që t’i bënte rezistencën e duhur forcave ushtarake dhe policore serbe, të cilat ishin shumëfish më të mëdha, shumëfish më të pajisura për armatim”, tha dëshmitari.

Gjithashtu, dëshmitari tregoi edhe si u zgjidh kjo mosmarrëveshje në mes tij dhe Hashim Thaçit.

“Unë mbrojta atë etikën time profesionale, insistova që të mos shënohet ashtu. Unë u konsultova… Jam shumë njeri i arsyeshëm dhe tolerant dhe u konsultova me zotëri Krasniqin, i cili ishte më i moshuar dhe më këshilloi dhe më tha është mirë që ta respektosh sugjerimin e zotëri Thaçit edhe unë sugjeroj tha që ta qesësh titrën që e mbështeti Drejtoria për Informim e UÇK-së”, tha dëshmitari.

Në interes të informimit që të vazhdojë  bashkëpunimin si gazetar në zonat e luftës, se pa përkrahjen e UÇK-së dhe të popullit nuk do të mund ta realizonte detyrën e tij, thotë se vlerësoi që duhet të lëshojë pe.

“Dhe të mos bëhem kryeneç dhe në interes të informimit ta qes atë titër në fund të dokumentarit dhe ashtu veprova. Nuk zgjati shumë ky komunikim i pakëndshëm”, tha dëshmitari.

Dëshmitari tregon rastet kur nuk u zbatua urdhri i Thaçit nga anëtarët e UÇK-së në zona të ndryshme

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Nuhi Bytyçi foli për disa raste kur ai ishte prezent e në të cilat ushtarët e UÇK-së nëpër disa zona nuk e kishin zbatuar urdhrin e Hashim Thaçit.

Fillimisht, dëshmitari tha se gjatë 1998-ës kryesisht kishte imazhe për zonën e Drenicës dhe Pashtrikut dhe ishte i interesuar të kishte xhirime edhe në Zonën e Dukagjinit për çka edhe kishin shkuar atje së bashku me Rexhep Selimin, Hashim Thaçin dhe Lahi Brahimajn, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ai pohoi se në dy fshatra atje, disa ushtarë nën udhëheqjen e komandantit Ramush Haradinaj iu thanë që të mos e marrin asnjë imazh.

“Unë nuk e respektova urdhrin e ushtarëve të UÇK-së. Iu thash se unë do të xhiroj shtëpitë e djegura, do të xhiroj popullatën civile. Nuk do të xhiroj Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por do t’i xhiroj shtëpitë e djegura dhe pa urdhrin e tyre unë i xhirova ato imazhe sepse vlerësova se ato janë të rëndësishme për opinionin tonë”, tha dëshmitari.

Bytyçi pohoi se një gjë e tillë kishte ndodhur në korrik të 1998-ës.

Ai tha se ishte i vetëdijshëm për pasojat që mund të dilnin nga moszbatimi i këtij urdhri, mirëpo ishte ndjerë keq që nuk u respektua urdhri i Thaçit aty që të jepej leje për xhirim.

“Isha i vetëdijshëm për pasojat, por gazetarët nëse nuk rrezikojnë nuk mund ta kryejnë me sukses detyrën e vet. Mua më erdhi keq që nuk u respketua urdhri i zotëri Thaçit aty. Shumë e ndjeva veten keq, por unë veprova sipas etikës sime profesionale”, tha ai.

Pas kësaj, dëshmitari tha se aty iu krijua përshtypja se nuk kishte hierakri në UÇK, duke treguar më pas edhe për një rast tjetër në Zatriç të Rahovecit kur nuk ishte respektuar urdhri i Thaçit.

“Unë krijova përshtypje se nuk ka hierarki në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Nuk respektohen urdhrat e njerëzve kompetent që ishin caktuar për informim konkretisht. Çdo fshat e kishte komandantin e batalionit të tij të UÇK-së dhe ai ishte përgjegjës për gjithçka dhe nuk vlenin shumë urdhrat prej Shtabit të Përgjithshëm. Ashtu ndodhi edhe në Zatriç të Rahovecit”, tha ai.

Kur shkoi në Zatriç, tha se aty ishte komandanti i fshatit Idriz Vehapi.

“Ai më urdhëroi që kameramani im, Abaz Zeka të mos xhirojë as një sekondë. Zotëri Thaçi ishte i pranishëm aty dhe po ashtu më erdhi keq që nuk u respektua urdhri i Thaçit për të xhiruar dhe ne u kthyem pa bërë asnjë sekond xhirim”, tha Nuhi Bytyçi.

Ish-gazetari Bytyçi tregoi se pa lejen e Hashim Thaçit kishte realizuar intervistë edhe me një prej anëtarëve të lartë të UÇK-së e që ishte Naim Maloku.

Ai tha se Malokun e kishte takuar rastësisht në fshatin Lladrovc të Malishevës dhe i kishte kërkuar që ta bëjë intervistën.

Ndërsa, ai pohoi se Thaçi i kishte thënë se duhej të konsultohej paraprakisht me atë për realizimin e kësaj interviste.

“Ashtu më tha zotëri Thaçi. Sigurisht ka menduar që për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës duhet të flas vetëm zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi. Unë e theva këtë urdhër duke vlerësuar se është në interes të opinionit që të bëhen intervista edhe me eprorë të tjerë të UÇK-së sepse kiste nevojë që edhe të tjerët të dilnin që të prezantonin luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha dëshmitari Nuhi Bytyçi.

Ai pohoi se pavarësisht rezistencës së Thaçit, ai e kishte botuar intervistën me Naim Malokun duke shtuar se ka bërë mirë që e ka botuar.

“E kam botuar dhe konsideroj që kam bërë mirë që e kam botuar. Unë isha gazetar i pavarur dhe nuk ishte korrekte që të merrja urdhra nga askush”, tha dëshmitari.

Si rrjedhojë, gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari tregoi edhe për takimin që kishte pasur me Thaçin dhe çfarë i tha ai pas publikimit të kësaj interviste.

“Kur jam takuar pas botimit të intervistës në zonën e Llapit, zotëri Thaçi më tha ‘e kishe botuar intervistën’ edhe unë i them ‘po’, vetëm qeshi dhe vazhdoi rrugën e vet që kishte me kolegët e vet”, tha ai.

Ndryshe, në rrjedhën e përgjigjeve në pyetjet e avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, dëshmitari tha se si gazetar, hera e parë që ka filluar me raportimin nga zonat e luftës ku operonte Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë menjëherë pas ngjarjes në Prekaz në mars të vitit 1998.

“Menjëherë pas Epopesë së lavdishme të UÇK-së në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 kam marrë iniciativën që të angazhohem vullnetarisht si gazetar për të informuar opinionin në zonat e luftës sepse nuk kishim televizion dhe as gazetë të përditshme ditore siç ishte në atë kohë “Rilindja”, por në bashkëpunim me Qeverinë e atëhershme në ekzil të Kosovës dhe me kolegët e tjerë që punonin në Radiotelevizionin e Prishtinës me redaksi në Tiranë, kemi marrë iniciativën që unë të angazhohem bashkë me Sadik Shabanin, Migjen Kelmendin, Abaz Zekën dhe disa kolegë të tjerë në realizimin e disa emisioneve televizive për Televizionin Shqiptar. Domethënë, ka qenë marsi-prilli i viti 1998”, tha dëshmitari.

Ndryshe gjatë pyetjeve të veta, Mishetiq pyeti dëshmitarin edhe për disa urdhra të ZPS-së që iu kishin bërë atij lidhur me materialet dhe xhirimet e nxjerra gjatë luftës.

Si rrjedhojë, dëshmitari tha se ka dhënë video-incizime që i ka xhiruar gjatë luftës për krimet që ka bërë Serbia në Kosovë, por që për ato nuk i është bërë asnjë pyetje.

Kurse, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se kjo gjë ishte e panevojshme, duke vazhduar më pas mbrojtja me pyetjet e tjera.

Dëshmitari: Thaçi dhe Krasniqi kanë marrë pjesë në diskutimet për demilitarizimin e UÇK-së, për Veselin s’e di saktësisht

Dëshmitari Nuhi Bytyçi tha se Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi kanë marrë pjesë në diskutimet për demilitarizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në qershor të 1999-ës, kurse për Kadri Veselin tha se nuk e di saktë.

Këtë deklarim, Bytyçi e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e fundit të prokurorit Matt Halling, i cili e pyeti nëse e dinte a ka qenë Veseli në ato bisedime, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Unë nuk e di saktësisht se a ka marrë pjesë konkretisht zotëri Veseli në diskutimet për demilitarizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por e di se zotëri Thaçi dhe zotëri Kransiqi kanë marrë pjesë dhe i kanë harmonizu qëndrimet bashkë me ish-zëvendëskryetarin Amerikan të Shtetit, Xhejms Rubin në Fshati i Ri dhe Divjakë. Pastaj, marrëveshja është nënshkruar më 21 qershor 1999 në bazën e KFOR-it në Prishtinë në mes Thaçit dhe gjeneralit të KFOR-it, Mike Jackson”, tha dëshmitari.

Më pas, dëshmitarit iu prezantua një fotografi e bërë më 17 qershor 1999, në të cilën ai identifikoi Kadri Veselin, një anëtar i misionit vëzhgues amerikan dhe Shefin e Shërbimit Informativ Shqiptar, Fatos Klosin.

Me kaq përfunduan pyetjet e prokurorit Halling për dëshmitarin Bytyçi për të vazhduar më pas me avokatin e Thaçit, Luka Mishetiq.

Bytyçi – Prokurorit: Në mënyrë selektive, në mënyrë shumë të njëanshme po punoni

Dëshmitari Nuhi Bytyci gjatë dëshmisë së tij në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, bëri vazhdimisht kritika për përfaqësuesin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), prokurorin Matt Halling.

Fillimisht, në sallën e gjyqit u prezantua një intervistë e Jakup Krasniqit e realizuar nga dëshmitari për gazetën “Zëri” në të cilën sipas prokurorit Matt Halling, i akuzuari kishte thënë se UÇK-ja nuk i ka marrë armët për të luftuar civilët por forcat dhe policinë ushtarake. Si rrjedhojë, dëshmitari tha se nuk është duke e parë origjinalin dhe se i është vendosur në ekran vetëm transkripti duke e cilësuar këtë si punë selektive dhe të njëanshme.

Nuk po e shoh origjinalin këtu. Me vjen keq, duhet ta qitni edhe origjinalin si dëshmi konkrete jo vetëm transkriptin. Duhet paralelisht me origjinalin ta qitni edhe transkriptin e jo vetëm transkriptin. Në mënyrë selektive, në mënyrë shumë të njëanshme po punoni. Unë nuk e di mirë anglishtën”, tha dëshmitari.

Mirëpo, prokurori Halling tha se nuk e kanë origjinalin e këtij dokumenti, por vetëm fotografinë e librit të tij. Megjithatë, u kërkua që ky dokument të pranohet në prova gjë e cila u pranua nga trupi gjykues dhe u klasifikua si publike.

Pas kësaj, seanca vazhdoi me paraqitjen e disa videove që ishin bërë gjatë kohës së luftës në të cilat ishin të pranishëm edhe të akuzuarit.  Dëshmitari pohoi se ka xhiruar paraqitjen e parë publike të Hashim Thaçit.

“Kjo është xhiruar në Fshatin e Ri (Novosellë) në fund të tetorit ose në fillim të nëntorit të viti 1998”, tha dëshmitari.

Ai tha se Thaçi kishte emocione por u mundua që të dal me konstatime se UÇK-ja duhet të ketë mbështetje të madhe nga populli dhe lidershipi në Prishtinë.

Gjatë përgatitjes për xhirimin e kësaj paraqitje publike është shënuar se meqenëse është paraqitja e parë publike dhe z. Thaçi  nuk kishte përvojë në paraqitje publike, kishte emocione të cilat janë të natyrshme në situata të tilla të cilat na ndodhin edhe neve gazetarëve me përvojë, emocionet janë shumë të natyrshme sepse paraqitja publike nënkupton edhe një përgjegjësi publike para publikut dhe z. Thaçi u mundua të dal me konstatime se Ushtria Çlirimtare e Kosovës duhet të zë mbështetje më të madhe nga i terë populli dhe nga lidërshipi në Prishtinë sepse në atë periudhë siç dihet, lidërshipi politik në Prishtinë i udhëhequr nga Ibrahim Rugova-kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk kishte nivel të duhur të përgjegjësisë politike për situatën që ekzistonte”, tha dëshmitari.

Ai shtoi se e rëndësishme ishte që Thaçi të dilte publikisht sa më serioz dhe me një apel për të unifikuar popullin rreth UÇK-së dhe të fitohej mbështetja nga faktori ndërkombëtar.

Gjithashtu, dëshmitari Bytyçi pohoi se ka filmuar manifestimet që janë bërë për nderë të ditës së flamurit dhe pavarësisë së Shqipërisë me 28 nëntor 1998 në Divjakë.

Më pas dëshmitarit iu prezantua një video gjatë asaj dite në të cilën shiheshin disa persona për të cilët u kërkua identifikim nga Bytyçi.

Nga e majta; komandant Msusi, Ramë Buja, babai i dëshmorit dhe heroit të Kosovës, Nuhi Mazrekut-Zejnullah Mazreku, pastaj është z.Jakup Kransiqit duke folur. Pastaj, është një prind i një dëshmori që nuk ia di emrin, pastaj është Fatmir Limaj, është Naim Maloku, është komandant Musë Jashari dhe është komandant Tahir Sinani”, tha dëshmitari duke shtuar se një person pas Ramë Bujës është civil dhe është prind i një dëshmori që nuk po mundet ta identifikoj.

Ky fragment i kësaj video në të cilën shiheshin personat e identifikuar nga dëshmitari u pranua në prova materiale.

I pyetur se a e kishte xhiruar Fatmir Limajn në po të njëjtën ditë pas ceremonisë së flamurit, dëshmitari pohoi se e kishte bërë një gjë të tillë kur Limaj kishte një revistë shkollore në dorë.

Po, atë ditë në mbrëmje bashkë me luftëtarët e UÇK-së edhe unë edhe kameramani Abaz Zeka kemi qenë në kremtimin e kësaj feste tonë kombëtare në Fshatin e Ri (Novosellë). Fatmir Limaj kishte në dorë revistën shkollore ‘Gjimnazisti’ të Gjimnazit ‘Xhevdet Doda’ të Prishtinës dhe në atë revistë ishin botuar disa shkrime të disa nxënësve të kësaj shkolle dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ku kishin shprehur vullnetin e tyre për ta ndihmuar ushtrinë, për ta përkrahur në mënyrën e vetë dhe z. Fatmir Limaj iu drejtohet me një apel nxënësve të kësaj shkolle dhe i falënderon për përkrahjen e tyre”, tha dëshmitari.

Më pas u prezantua video në të cilën dëgjohej Fatmir Limaj duke fol dhe duke kërkuar nga nxënësit të mos bien pre e intrigave partiake dhe të jenë në funksion në momentin që  kërkon atdheu.

Mos bini pre e intrigave partiake ose të disa pseudo profesorëve të cilët iu preferojnë rrugë të moderuara, por të veproni me mendje dhe arsye të shëndoshë dhe të jeni në funksion dhe në moment kur e kërkon atdheu”, dëgjohet duke thënë Fatmir Limaj video kjo e cila u pranua në prova materiale dhe u klasifikua si publike.

Pas kësaj, u prezantua edhe një video tjetër në të cilën dëgjohej Rexhep Selimi duke thënë se Shtabi i Përgjithshëm ka dhënë urdhër që të mos shtihet me armë zjarri në natën e vitit të ri. Ai gjithashtu dëgjohet duke thënë se ky urdhër është duke u respektuar. Dëshmitari tha se këtë intervistë e kishte realizuar më 31 dhjetor 1998.

“Natyrisht që për çdo situatë, Shtabi i Përgjithshëm nxjerrë vendime konkrete. Edhe për natën e Vitit të Ri, Shtabi i Përgjithshëm dha një urdhër që të mos shtihet me armë zjarri. Ky urdhër po respektohet në përpikëri dhe nuk kemi shënuar asnjë rast të thyerjes së rregullave”, tha Selimi në këtë video duke shtuar se edhe në ndërrimin e moteve ushtarët e UÇK-së janë në pozicione dhe detyra e po ashtu po i zbatojnë urdhrat e Shtabit të Përgjithshëm dhe komandave të tjera në hierarki.

Dëshmitari Bytyçi: Dje prokurori me shqetësoi me disa informacione të paverifikuara që kanë dal në media

Nuhi Bytyçi edhe ditën e sotme po e vazhdon me dhënien e dëshmisë në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Ai tha se dje prokurori Matt Halling e ka shqetësuar me disa informacione të paverifikuara që kanë dal në media.

Madje, ai tha se në mediat e Kosovës është shtrembëruar dëshminë e tij gjatë ditës së djeshme në sallën e gjyqit. Megjithatë, dëshmitari i 71-të shtoi se duhet të bëhet kujdes që të akuzuarit të mos ndëshkohen në bazë të informacioneve të pa verifikuara.

“Unë kam pushuar pak sepse dje prokurori Halling me shqetësoi me disa informacione të pa verifikuara nëpër mediat e ndryshme për të cilat unë nuk kisha njohuri deri me dje. Prandaj, iu lus që të fokusoni punën time si gazetar, në ngjarjet që kam ndjekur unë dhe në informacionet e konfirmuar nga unë. Dje, për shembull në mediat në Kosovë doli nga dëshmia ime, nga një pjesë e dëshmisë sime doli se janë vrarë dhjetë mijë civil serb. Unë kam deklaru që janë vra mbi dhjetë mijë civil shqiptar. Gabimet e tilla mund t’i bëjnë edhe gazetaret edhe mediat. Prandaj, të keni kujdes që njerëzit që janë të akuzuar të mos ndëshkohen në bazë të disa shkrimeve apo informacioneve të paverifikuara”, tha dëshmitari.

Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se shpesh ndodhë që dalin në shtyp gjëra që nuk janë thënë.

“Dëshmitar, ju lutem përpiquni të përgjigjeni pyetjet që ua bën prokurori. Në qoftë se ka ndonjë problem me pyetjet vendos trupi gjykues nëse do të bëhet pyetja. Ne gjithashtu nuk e kontrollojmë se çfarë boton shtypi. Shpesh ndodhë që dalin në shtyp gjëra që nuk i kemi thënë as ne. Kështu që ju lutem, me aq sa të mundeni përpiquni që t’i përgjigjeni pyetjes që zgjedh të bëjë prokurori”, tha Smith III për të vazhduar më pas pyetjet prokurori.

Ndryshe, ditën e djeshme dëshmitarit iu prezantuan disa tituj të mediave ndërkombëtare në të cilët flitej për një incident në Bardhin e Madh në të cilën shkruhej se anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kishin marrë në kontroll një minierë të thëngjillit në fshatin Bardh i Madh dhe se kishin marrë peng nëntë minatorë serbë.

Për këtë pati kundërshtime mbrojtja e të akuzuarve duke thënë se ky incident nuk është përmendur fare në aktakuzë dhe se Prokuroria po përpiqet t’i përfshijë të akuzuarit në një incident të tillë.

Nuhi Bytyçi tha se një dokument i tillë nuk iu është prezantuar më herët nga prokurori Matt Halling.

Pas kësaj, dëshmitari tha se ky është një provokim i papranueshëm për atë në mënyrë që prokurori ta vë në lajthitje para trupit gjykues.

“Dokumenti që m’u prezantua këtu për Mihjen sipërfaqësore në Bardh të Madh nuk më është prezantuar deri në këtë moment gjatë bisedave me prokurorin Matt. Ky është një provokim i papranueshëm për mua që të qes në lajthitje përpara trupit gjykues dhe opinionit. Atë dokument, për herë të parë unë e pash sot”, tha dëshmitari.

Vlen të theksohet se në këtë zonë, dëshmitari kishte bërë xhirime ku ishin të pranishëm edhe të akuzuarit kur kjo zonë ishte nën udhëheqjen e UÇK-së.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. 

Publikohet në Hagë paraqitja e parë publike e Thaçit, dëshmon ish-gazetari i RTP-së

Ish-gazetari i Radio Televizionit të Prishtinës (RTP), Nuhi Bytyçi e ka komentuar paraqitjen e parë publike të Hashim Thaçit, të cilën e kishte incizuar vet.

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë të mërkurën, ai është pyetur nga prokurori i Zyrës së Specializuar për këtë xhirim.

“Është paraqitja e parë publike e z. Hashim Thaçi si udhëheqës politik i UÇK-së”, ka thënë ai.

I pyetur nëse ka biseduar me Thaçin para xhirimit dhe nëse e ka sugjeruar atë që të përdorë gjuhë më të moderuar, bazuar në shkrimet e botuara në një libër të tij, dëshmitari ka thënë:

“Po, gjatë përgatitjeve të këtij xhirimi, meqenëse ishte e para paraqitje publike e z. Thaçi duke qenë se ai kishte emocione, të cilat ishin të natyrshme, atëherë z. Thaçi doli publikisht me konstatimin se UÇK-ja duhet të gëzonte mbështetje më të madhe nga i gjithë populli, si dhe nga udhëheqja politike në Prishtinë”.

Ai foli edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe ish-presidentin Ibrahim RTugova, për të cilin tha se gjatë kohës së luftës “i mungonte guximi dhe vendosmëria që publikisht të ftonte popullin të përkrahte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

Gazetari Nuhi Bytyçi vazhdon dëshminë në Speciale

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë edhe sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ndryshe dje Prokuroria në çështjen Thaçi dhe të tjerët thirri dëshmitarin e 71-të, gazetarin Nuhi Bytyçi i cili ka mbuluar luftën në Kosovë. Gazetari Nuhi Bytyçi do të vazhdojë edhe sot dëshminë në Speciale.

Gazetari Nuhi Bytyçi gjatë dëshmisë së tij në Hagë ka theksuar se nuk dëshiron që Specialja e sidomos Zyra e Prokurorit të Specializuar ta konsiderojë librin e tij si dëshmi për t’i akuzuar ish-krerët e UÇK-së.

“Nuk dua që kjo Gjykatë e sidomos Prokuroria, këtë libër timin ta konsiderojë si një dëshmi për të akuzuar luftëtarët e lirisë”, ka thënë ai derisa po pyetej nga prokurori Matt Halling për librin e tij “Libri i Luftës”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat