Këta janë dy shqiptarët e arrestuar për spiunazh me BIA-n/ Prokuroria merr vendimin

Aktuale

Këta janë dy shqiptarët e arrestuar për spiunazh me BIA-n/ Prokuroria merr vendimin

Më: 5 qershor 2024 Në ora: 12:51 Përditësuar në ora: 18:05 më 05.06.2024
Aksioni i Krimeve të Rënda të Policisë së Kosovës është duke vazhduar

Kujt i raportonin të dyshuarit për spiunazh?

Në një aksion të institucioneve të sigurisë së Kosovës ku janë të përfshirë Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), Prokuroria Speciale dhe Policia, janë ndaluar dy persona të nacionalitet shqiptar si të dyshuar për veprën penale-spiunazhë.

Burime nga institucione të larta të sigurisë i kanë thënë RTK-së se njëri nga të ndaluarit është bashkëpunëtor i hershëm i Shërbimit Sekret Serb (BIA) që nga vitet e ’90-ta.

I njëjti, sipas këtyre burimeve kishte si detyrë të mblidhte informata dhe të trillonte me qëllim të njollosjes së imazhit të Kosovës duke ndërtuar narracione të njëjta me Serbinë edhe në kontekstin e ndryshimit të fakteve historike.

Të ndaluarit, sipas burimit të RTK-së, janë përcjellë me vite nga institucionet e sigurisë. Po ashtu, ky burim bën të ditur se të ndaluarit i kanë raportuar një oficeri të shërbimit sekret serb me emrin Sërgjan Rosiq.

Kush është Srdjan Rosiq?

Srdan Rosiq gjatë viteve ’90-ta ka jetuar në Ferizaj derisa ishte i angazhuar si oficer në shërbimin sekret serb. Emri i tij është përmendur edhe në rastin e gjykimit ndaj kryekriminelit serb Slobodan Millosheviq në Tribunalin Ndërkombëtar të krimeve të luftës në Hagë.

Në transkriptin e njërës prej seancave gjyqësore të datës 22 shtator 2005, një dëshmitar i cili ishte polic i SUP-it serb (Sekretariati i Punëve të Brendshme), pyetet nëse e njeh Srdjan Rosiqin.

Ai përgjigjet se Sërgjan Rosiq në atë kohë ( sq. vitet e ’80-ta dhe ’90-ta) ishte punonjës operativ në Shërbimin shtetëror të sigurisë për rajonin e Ferizaj.

Dogana: I arrestuari për spiunazh është pushuar nga puna në vitin 2004

Dogana e Kosovës ka lëshuar sot  një sqarim, pasi në media ka qarkulluar lajmi se një person me inicialet, B.SH i arrestuar për spiunazh, ishte pjesë e Doganës së Kosovës.

Dogana e Kosovës sqaron opinionin se personi i cituar me inicialet B.Sh. është pushuar nga pozita e tij në Doganën e Kosovës 20 vite më parë, konkretisht në fillim të vitit 2004.

“Shkarkimi i tij ka ardhur për shkak të shkeljeve të Kodit të Mirësjelljes së Doganës së Kosovës, lidhur me komunikimet e paautorizuara me mjetet e informimit masiv. Që nga shkarkimi i tij, personi në fjalë nuk ka pasur asnjë lidhje me Doganën e Kosovës”, thuhet në sqarim.

Dogana e Kosovës përgëzon autoritetet e Kosovës për zbatimin e ligjit për përpjekjet e tyre në adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me sigurinë.

“Ne punojmë ngushtë me të gjitha institucionet e sigurisë për të mbështetur sigurinë kombëtare, në përputhje me misionin tonë. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në respektimin e standardeve më të larta të integritetit dhe transparencës në radhët tona”,  thuhet tutje në sqarim.

Shqiptohet masa e ndalimit për 48 orë ndaj dy të dyshuarve për spiunazh

Prokuroria Speciale ka njoftuar se janë ndaluar për 48 orë dy të dyshuarit për spiunazh.

Në komunikatën e dërguar për media, theksohet se kanë realizuar hetime disa mujore.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ndaj të dyshuarve ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtëve do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, ka njoftuar prokuroria.

Ndërkaq sot në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “spiunazhi”.

Sipas informacioneve të siguruara, arrestimi ka ndodhur në Ferizaj, nën dyshimet se ata kanë qenë të angazhuar për vite me radhë nga BIA serbe.

------

Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi janë dy personat e arrestuar sot në Ferizaj, nën dyshimin për spiunazh me Agjencinë e Inteligjencës Serbe (BIA).

Shabani dhe Qerimi janë arrestuar sot në një aksion të Drejtorisë për Krime të Rënda të Policisë së Kosovës.

Burime brenda Policisë thanë se dy të arrestuarit dyshohen se kanë bashkëpunuar me strukturat e inteligjencës serbe në Kosovë.

Aksioni i Krimeve të Rënda të Policisë së Kosovës është duke vazhduar ende me bastisjen e pronave të dy të dyshuarve.

Ata dyshohen se për shumë vite kanë bashkëpunuar me strukturat e inteligjencës serbe.

Njëri prej të arrestuarve ka qenë zyrtar doganor gjatë viteve 90-99, derisa pasluftës ka vazhduar të ushtrojë funksionin e doganierit gjatë periudhës së administrimit të UNMIK-ut në Kosovë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat