Gazetari Nuhi Bytyçi pritet që të vazhdojë edhe nesër dëshminë e tij në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Gjatë fundit të seancës, dëshmitari është marrë në pyetje nga avokati i Veselit, Ben Emmerson, i cili e pyeti dëshmitarin se a ishte në dijeni për rolin e klientit të tij për shoqërimin e refugjatëve dhe trajtimin e personave të lënduar e të plagosur gjatë luftës, raporton “Betimi për Drejtësi’.
“Si gjithë luftëtarët e tjerë të lirisë, bashkë me mjekët që kanë qenë në radhët e UÇK-së kanë ndihmuar që të ndihmohet popullata civile sidomos të plagosurit në zonat e luftës”, tha dëshmitari.
Më pas, pyetjet për dëshmitarin i vazhdoi avokati i Rexhep Selimit, Eric Tully, i cili u fokusua tek disa bllok-shënime që kishte bërë dëshmitari gjatë kohës së luftës.
Bytyçi pohoi se ashtu se Selimi dhe populli kishin kritika lidhur me nivelin informimit që bëhej për situatën në Kosovë.
Ndryshe, Tully tha se pyetjet për dëshmitarin do t’i vazhdojë edhe nesër, por që i duhen edhe 45 minuta, ndërsa mbrojtja e Krasniqit përmes avokates Venkateswari Alagendra tha se do të mundohen të shfrytëzojnë gjysmë ore më pak se sa kishin parashikuar për kundërpyetjet e tyre.
Megjithatë, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III tha se ka mundësi që nesër të përfundojë edhe dëshmia e dëshmitarit të parë rezervë, i cili është paraparë të jetë gati për këtë javë mirëpo për të dytin tha se nuk do ta kenë këtë javë.
Me kaq përfundoi seanca e sotme në këtë çështje gjyqësore për të vazhduar edhe nesër.