Njohësi i sigurisë, Hysen Gecaj ka thënë arrestimi i dy kosovare për spiunazh për BIA-n serbe, nuk është për tu befasuar.
Dy të arrestuarit kanë qenë ish-zyrtar të Policisë së Kosovës dhe Doganës së Kosovës.
Ai thotë se bashkëpunimi i një ish-pjesëtari të PK-së me BIA-n serbe mund të paraqesë rrezik.
“Natyrisht që rasti i tillë paraqet rrezik të madh, prandaj gjatë rekrutimit të Policëve duhet të ketë një kontroll më të rreptë se kush po pranohet”, ka thënë Gecaj.
Por, ai thotë se bashkëpunëtor me Serbinë mund të ketë në çdo sferë të jetës por dhe në institucione të ndryshme.
“Nuk është për tu befasuar se mund të gjendet dikush në secilin nivel të shoqërisë i cili punon këtë rast për armiqtë. Mund të ketë të tjerë edhe patjetër dhe nuk mund të fokusohemi se vetëm në një kategori e njerëzve punojnë për Serbinë, kjo mund të ndodhë edhe brenda institucioneve të ndryshme”, ka thënë ai.
Të mërkurën në Ferizaj janë arrestuar dy shtetas të Kosovës nën dyshimin për spiunazh. Të arrestuarit janë një ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe një ish-zyrtar i Doganës së Kosovës.
Të arrestuarave Prokuroria u ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orëve.