“Nuk kam asnjë problem.” Kështu është shprehur kryeministri i Kosovës Albin Kurti në “Debat” në A2 CNN, teksa u pyet nga moderatorja Alba Alishani për zërat që flasin për një krisje në raportin e tij me Presidenten Vjosa Osmani.
I vendosur përballë faktit se Osmani reagoi e acaruar pas konsultimit të munguar me qeverinë për letrën për Asocacionin e komunave me shumicë serbe që ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, dërgoi në limitet e kohës në KiE, Kurti tha se përplasje të tilla ka pasur gjatë 3 viteve të qeverisjes, por janë tejkaluar me bashkëbisedime.
Shefi i legjislativit në Prishtinë refuzoi, siç ai tha, të bëjë analistin e studiove televizive për të komentuar marrëdhënien e tij me Presidenten.
Në rastin e Këshillit të Europës dhe dështimit për të kaluar atë prag, duket se kishte edhe një moskoordinim ndërinstitucional dhe këtu kamë një stimul nga letra që zonja Gërvalla e dërgoi dhe bëhej fjalë për një punë të nisur drejt GJK për në draft të Asociacionit që ndoshta do të ishte një iniciativë për zhbllokim në minutë të fundit. A e patë të arsyeshme dhe a kishte koordinimin e plotë të institucioneve të Kosovës?
Nuk mendoj se është më aktuale kjo temë, pasi 17 maji ishte dita kur do të mund të ndryshonte diçka me një ofertë të fundit që ne të shkruajmë statutin siç e ka bërë zonja Gërvalla dhe kjo nuk u bë sepse ideja ishte që të ketë një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave që Kosova të anëtarësohej. Meqenëse kjo nuk u bë atëherë tashmë do të presim mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave.
A keni shpresë për një seancë të mundshme të jashtëzakonshme, meqenëse do të ndryshojnë edhe balancat për shkak të zgjedhjeve?
Gjithmonë kemi shpresa, gjithmonë jemi optimist dhe punojmë me krejt çka dimë dhe mundemi, mirëpo në të njëjtën kohë për anëtarësimet dhe integrimet ndërkombëtare e kemi si udhërrëfyes kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë.
Kjo mungesë koordinimi pavarësisht tejkalimit të aktualiteti ka shqetësuar Presidenten tuaj të Republikës që ju akuzoi se nuk ishte një letër e konsultuar me të.
Ka shumë raste të këtilla edhe në të kaluarën kur nuk e kemi arriture që të përfshihet krejt çfarë kemi dashur dhe është nevojitur, por mua më duhet të shoh përpara tash.
Po flasim për konsultimin obligativ me Presidenten e Kosovës, e cila tha se këto janë justifikime qesharake dhe kishte një komunikim të pakoordinuar dhe jo në harmoni me kryeparlamentarin Konjufca.
Aty le të diskutohet ajo punë. Nuk është se nuk ka ndonjëherë dallime, por nuk ka dallime të cilat janë kundërthënie të pazgjidhshme, përkundrazi, përgjatë këtyre 3 viteve të gjitha dallimet, diferencat që kemi pasur, qofshin në aspektin e vlerësimeve apo operacioneve gjithmonë me bashkëbisedim i kemi tejkaluar. Ndonjëherë situata ka qenë më e vështirë, ndonjëherë më e lehtë por në bindjen time nuk është një situata alarmante dhe aktuale siç është përpjekur ta paraqesin.
Asnjë problem me Presidenten? Mos ndoshta këto përqasje të ndryshme e ka sjellur një lloj bekimi që ndërkombëtarët sa herë që kanë irritime ose pakënaqësi të vogla me ju duket se e gjejnë të kompensuar të Presidentja e Republikës?!
Nuk kam probleme. Nuk mund ta bëj unë analistin politik të studiove televizive në orët e mbrëmjes. Unë mund t’iu tregoj bindjen time njëherë dhe nuk kam diçka të re t’ju them në pyetje të vjetra.