Njohësi i sigurisë, Avni Islami duke komentuar arrestimin e dy shqiptarëve për spiunazh, ka deklaruar se ata kanë pasur plane të shkaktojnë dëme për Kosovën.
Islami ka thënë se vet fakti që janë arrestuar në këtë kohë, tregon se ata kanë qenë para kryerjes së ndonjë veprimi armiqësor ndaj vendit të tyre.
“Dëmet janë jashtëzakonisht të madh të liheshin të vepronin edhe më tutje. Mendoj që ata kanë vepruar për një kohë të gjatë në Kosovë, mendoj që ata kanë mundur të shkaktojnë një rrezik të përgjithshëm në vendin tonë. Për vet faktin që në një kohë të caktuar ata janë arrestuar mendoj që ata kanë mundur që të kryenin ndonjë veprim armiqësor në vendin e tyre, mendoj që ata kanë pasur plane të shkaktojnë dëme për vendin tonë”, është shprehur ai.
Për Islamin, duke qenë se të arrestuarit janë nga komuniteti shumicë dëmi është i madh pasi ata kanë pasur kontakte me shumë njerëz.
“Sigurisht që është një sukses në fatkeqësi ku dy qytetarë janë agjent të BIA-s të cilët kanë dhënë informacione, kanë punuar në dëm të Republikës së Kosovës dhe në shërbim të armikut. Kjo reflekton keq pasi kemi pasur edhe raste të tjera kur nga rastet e komuniteteve të tjera janë arrestuar për spiunazh, por nga komuniteti shqiptar dhe kur dihet që kontakti i tyre ka qenë i madh ne si ekspert mund të prolongojmë por, mendoj që lidhur me veprimtarinë e tyre duhet të japin institucionet e sigurisë së Kosovës. Tash fjalën e ka drejtësia, prokuroria dhe gjykata”, ka shtuar ai.