Mes tensionesh përfundon dëshmia e Nuhi Bytyçit- ja çfarë ndodhi

Aktuale

Mes tensionesh përfundon dëshmia e Nuhi Bytyçit- ja çfarë ndodhi

Më: 6 qershor 2024 Në ora: 06:54 Përditësuar në ora: 13:38 më 06.06.2024
Nuhi Bytyqi

Tensione në Speciale: Gjyqtari ‘kërcënon’ gazetarin Nuhi Bytyqi se do t’ia thërras sigurimin

Një situatë e paprecedentë është parë sot në Gjykatën Speciale, aty ku përfundoi dëshminë gazetari i kohës së luftës, Nuhi Bytyqi.

Ky i fundit, në përfundim të dëshmisë së tij deshi të jap edhe një opinion në lidhje me marrjen në pyetje të tij, duke kërkuar libri i tij të mos ketë ndikim në verdiktin ndaj krerëve të UÇK-së.

“U përgjigja edhe në pyetjet e prokurorisë, edhe në të tuajat edhe të mbrojtjes. Desha t’u falënderoj që ma dhatë mundësinë që para kësaj gjykate të respektuar dhe para opinionit të paraqes dëshminë time për punën time si gazetar gjatë periudhës së luftës, e cila konsideroj se ka qenë një ndër periudhat më të rëndësishme të punës time profesionale. Unë jam përpjekur ta them të vërtetën dhe pashë se një pjesë e madhe e librit është përdorur këtu nga prokuroria si dokument i kësaj gjykate. Ju lus të keni parasysh faktin se këto janë kujtimet e mia dhe të mos ndikojnë në aktgjykimin e kësaj gjykate..”, tha fillimisht gazetari Bytyqi.

Kjo shkaktoi reagimin e ashpër të kryegjyqtarit, Charles Smith, i cili i kërkoi Bytyqit të dalë nga salla, por që ai refuzoi thirrjen e tij.

Në një moment, kryegjyqtari Smith e kërcënoi Bytyqin se do ta thërrasë sigurimin nëse ai nuk del në ato momente.

Pjesë nga biseda dhe videoja e asaj që ndodhi:

Gjykatësi: Mund të largoheni nga salla e gjyqit, faleminderit shumë që ishit me ne, gjithë të mirat.

Nuhi Bytyqi: U përgjigja edhe në pyetjet e prokurorisë, edhe në të tuajat edhe të mbrojtjes. Desha t’u falënderoj që ma dhatë mundësinë që para kësaj gjykate të respektuar dhe para opinionit të paraqes dëshminë time për punën time si gazetar gjatë periudhës së luftës, e cila konsideroj se ka qenë një ndër periudhat më të rëndësishme të punës time profesionale. Unë jam përpjekur ta them të vërtetën dhe pashë se një pjesë e madhe e librit është përdorur këtu nga prokuroria si dokument i kësaj gjykate. Ju lus të keni parasysh faktin se këto janë kujtimet e mia dhe të mos ndikojnë në aktgjykimin e kësaj gjykate..

Gjykatësi: Të lutëm, të lutem…po futeni në materialet të cilat i keni shtjelluar gjatë dëshmisë tuaj, faleminderit, mund të largoheni nga salla.

Nuhi Bytyqi: Faleminderit për mundësitë që ma dhatë. Doja të shprehja opinionin tim se si gazetar që kam pasë…

Gjykatësi: E keni thënë këtë….dëshmitar…dëshmitar të kam fikur mikrofonin. Të lutem largohuni nga salla tani…

Nuhi Bytyqi: Duke përcjellur si gazetar i pavarur dy procese gjyqësore, të Limajt dhe Haradinajt

Gjykatësi: Dëëëshmitar, dëshmitar, jau fika edhe njëherë mikrofonin. Dëshmitar, në qoftë se nuk do dalësh tani, do t’i them sigurimit t’ju nxjerr nga salla. 

Përfundon dëshminë Nuhi Bytyçi në rastin Thaçi dhe të tjerët

Gazetari Nuhi Bytyçi ka përfunduar dëshminë e tij në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po akuzohen për krime lufte nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.

Gjatë fundit të dëshmisë së tij, dëshmitari u përgjigj në pyetjet shtesë të prokurorit Matt Halling, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se gjatë luftës ishte takuar edhe me Fehmi Lladrovcin në Abri të Drenasit në fund të prillit ose në fillim të majit të vitit 1998.

Por, në librin e tij dëshmitari e kishte përshkruar këtë takim në të cilin Lladrovci i kishte thënë të dakordohet me Shtabin e Përgjithshëm se pa lejen e njerëzve kompetent ai nuk mund të jepte intervistë.

Bytyçi sërish insistoi që ai e kishte bërë një punë objektive gjatë kohës së luftës, por e kishte edhe qëllim që UÇK-në ta paraqiste si ushtri të fuqishme dhe serioze, pasi sipas tij ajo ishte ushtri e cila nuk bënte krime ndaj popullatës civile serbe.

Bytyçi thotë se gjatë punës si gazetar ka paraqitur nivel organizimi dhe pushteti të UÇK-së që nuk ishte në realitet

Gjatë dëshmisë së tij dëshmitari Nuhi Bytyçi pohoi se gjatë punës së tij si gazetar ka treguar një nivel organizimi dhe pushteti të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që në fakt nuk ishte realiteti i asaj kohe.

Fillimisht kjo pyetje iu bë nga avokati i Rexhep Selimit për të cilën dëshmitari u përgjigj duke thënë ‘po ashtu është’.

Dëshmitari po ashtu tha se gjatë punës së tij më së shumti ka vepruar në zonën e Pashtrikut e që në librin e tij ai e kishte portretizuar si zonën me të organizuar.

Ai tha se në këtë zonë, ka qenë raportimi në nivel sepse aty kanë vepruar edhe “Radio Evropa e Lirë” edhe Agjencia “Kosovapress” dhe disa institucione të lira në atë periudhë të luftës.

“Ju thatë; Pasi unë dhe Abazi nuk kishim shumë përvojë në xhirime, por unë doja që ta portretizoja UÇK-në më të emancipuar, me urbane, me të fortë”, tha avokati Tully më pas.

Nuhi Bytyçi tha se qëllimi i tyre ishte që ta portretizojnë UÇK-në në mënyrë sa me serioze duke treguar se kishin xhiruar dy herë betimin solemn e që me xhirimin e njërit prej tyre ishin të pakënaqur.

“Qëllimi jonë ishte që ta prezantojmë në mënyrë sa më serioze Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës para opinionit shqiptar por edhe atij ndërkombëtar. Ne provuam që ta bëjmë një xhirim në Luzhnicë të betimit. E bëmë një xhirim por ne nuk ishim të kënaqur me atë xhirim, për këtë arsye e kemi organizuar xhirimin në Kleçkë me 26 qershor të viti 1998 duke i sjellë shumë ushtar edhe nga zonat e tjera, edhe nga Drenica edhe nga brigadat e tjera të Zonës së Pashtrikut dhe Drenicës”, tha dëshmitari Bytyçi.

I pyetur edhe për një intervistë të Selimit që e kishte realizuar në natën e vitit të ri më 1998, dëshmitari tha se shpesh i kishte këshilluar anëtarët e UÇK-së se çfarë të flasin për shkak se qëllimi i tyre ishte që ta portretizojnë UÇK-në në nivel të detyrës, të gatshme për përgjigje ndaj sulmeve serbe në mënyrë që popullata civile të ndihen të sigurt.

Më pas, pyetjet për dëshmitarin i ka vazhduar mbrojtja e Krasniqit përmes avokates Venkateswari Alagendra.

Duke u përgjigjur në pyetjet e Alagendras, dëshmitari foli për daljen e parë publike të Jakup Krasniqit si zëdhënës i UÇK-së.

Ai tha se nuk ka dashur që të dal vetë që të ia bëjë pyetjet Krasniqit për shkak të sigurisë së familjes dhe nga brenga që mund të arrestohet dhe nuk mund ta vazhdojë punën e tij si gazetar në informimin e opinionit për punën e UÇK-së.

Dëshmitari tha se paraqitja e parë publike e Krasniqit është xhiruar në shtabin e njësitit “Çeliku” në Kleçkë. Ai tha se paraqitja e Krasniqit me emër, mbiemër dhe pozicion ishte sakrificë e madhe dhe i ekspozohej një rreziku të madh ai dhe familja e tij.

Pyetje shtesë për dëshmitarin pati edhe prokurori Halling i cili kërkoi sqarime për deklaratat e djeshme në të cilat Bytyçi kishte thënë se edhe pse ishte Thaçi prezent, ushtarët nën komandën e Ramush Haradinaj nuk ia lejuan xhirimin në dy fshatra të zonës së Dukagjinit.

Dëshmitari e ripërsëriti se ushtarët i kishin thënë se Haradinaj ka urdhëruar që nuk do të bëhej asnjë xhirim në atë zonë dhe se Thaçi e dëgjoi këtë bisedë por nuk deshi që të përfshihej në konflikt.

Bytyçi për librin e tij: Jam munduar t’i afirmoj më tepër seç duhet anëtarët e UÇK-së, s’llogarita që do i shërbejë ZPS-së e Gjykatës

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon edhe sot dëshminë e tij dëshmitari Nuhi Bytyçi në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, i cili tha se në librin e tij ka dashur që anëtarët e UÇK-së t’i afirmojë pak më lartë sesa duhet, por që nuk ka llogaritur se ky libër do t’i shërbejë Prokurorisë dhe Gjykatës për t’i akuzuar ish-drejtuesit e UÇK-së.

Këtë deklarim, Bytyçi e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Selimit, Eric Tully, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ky libër është botuar pas luftës dhe jam përpjekur që ta prezantoj në mënyrë sa më origjinale punën time si gazetar dhe t’i paraqes pikëpamjet e mia  për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si i kam pa këta djem të ri dhe vashat e reja vullnetarë dhe jam munduar ta afirmoj pak më tepër sesa duhet dhe nuk kam llogaritë që libri do të shërbejë këtu para Prokurorisë dhe kësaj Gjykate për t’i akuzuar ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha dëshmitari.

Ai shtoi se libri i tij është publicistik, në të cilin është munduar që vlerat e UÇK-së t’i ngris sa më lartë.

“Ta keni parasysh këtë se ky është libër publicistik dhe jam munduar që vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës t’i ngris sa më lartë dhe të gjithë luftëtarët e UÇK-së t’i ngris në nivelin e duhur sepse ne nuk mund të themi se s’ka pas luftë, s’ka pas UÇK. Ka pas luftë, ka pas UÇK dhe falë sakrificës së luftëtarëve të lirisë, falë sakrificës së popullit, falë sakrificës së dëshmorëve të lirisë dhe falë ndihmës së NATO-s, Kosova është çliruar dhe sot është shtet i pavarur edhe për këtë punë unë e ndjej vetën krenar që kam arritur sa do pak të kontribuoj në informimin e opinionit për këtë”, tha Nuhi Bytyçi.

Deklarata e gazetarit erdhi pas Tully lexoi një fragment nga libri i tij në të cilin shënohej “Pa diskutim fare, Rexha ishte një luftëtar i vendosur dhe me përvojën e vet në Shtabin e Përgjithshëm, ai kishte shumë ndikim mbi vendimet dhe shërbimet e luftës…”.

Po ashtu, dëshmitari pohoi se recensent i librit të tij ishte profesori universitar, Bajram Kosumi, duke shtuar se ai është atdhetar, i burgosur politik dhe ish-Kryeministër i Kosovës.

“Bajram Kosumi është një veprimtar i shquar politik, atdhetar, i burgosur politik dhe ish-Kryeministër i Republikës së Kosovës në një periudhë të caktuar. Ka punuar edhe si gazetar, publicist. Tani është profesor dhe rektor i Universitetit ‘Kadri Zeka’ në Gjilan”, tha dëshmitari.

Ndërsa, për parathënien që Kosumi kishte bërë në librin e dëshmitarit, Tully pyeti se a është e vërtetë që ai ka thënë se ky libër duhet të lexohet si autobiografi dhe jo si libër historik.

“Ashtu është zotëri avokat. Kam thënë edhe në libër dëshmohet se këto janë kujtimet e mia, memoriet e mia si gazetar dhe kurrsesi si historian sepse historia shkruhet në bazë të dokumenteve konkrete, në bazë të fakteve, edhe pse edhe këtu ka fakte konkrete, por këto janë pikëpamje të miat si gazetar për ngjarjet që kam pas fatin t’i ndjekë para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës”, tha dëshmitari Nuhi Bytyçi.

Gazetari Bytyçi, mohoi se ka marrë pjesë në ndonjë prej takimeve të Shtabit të Përgjithshëm dhe rrjedhimisht se çfarë pozitash kishte aty dhe si merreshin vendimet.

Ndërsa, e pranoi se ka qenë në shërbim ushtarak në Ushtrinë Jugosllave gjatë 1982-ës, por si ushtar i thjeshtë dhe se e kishte vërejtur se atje kishte hierarki për dallim nga UÇK-ja që ishte ushtri vullnetare.

“Ushtar i thjeshtë. E di që aty ka pas hierarki dhe çdo komandant ka pas ushtarët e vet, përgjegjësinë e vet. Kurse, në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si ushtri vullnetare që ka lind nga populli me një vullnet të jashtëzakonshëm nuk ka pas hierarki. Ashtu e kam kuptu atëherë dhe deri më sot ashtu mendoj që ka qenë”, tha Bytyçi.

Në fillim të seancës, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III pyeti prokurorin Matt Halling se a janë në gjendje që të japin listën e dëshmitarëve për bllokun pasardhës që synojnë t’i ftojnë. Si rrjedhojë, Halling tha se do të japin përditësimin pas pushimit.

Më pas, avokati i Veselit, Ben Emmerson ngiti një çështje që kishte të bënte me përgatitjet dhe organizimet për dëshmitarin me kodin 04752, por që me kërkesën e tij seanca kaloi në sesion privat për diskutim.

Po ashtu, Smith III njoftoi për procesverbal se të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit përveç Jakup Krasniqit, i cili po e ndjek seancën përmes video-lidhjes.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. 

Gazetari Nuhi Bytyçi vazhdon edhe sot dëshminë në Speciale

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë edhe sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit

Dëhmitari i 71-të, gazetari Nuhi Bytyçi i cili ka mbuluar luftën në Kosovë, do të vazhdojë edhe sot dëshminë në Speciale.

Dëshmitari Nuhi Bytyçi tha dje se raportin e Dick Martyt e konsideron si përpjekje të Serbisë dhe Rusisë për të kriminailzuar luftën e UÇK-së.

Madje, gjatë dëshmisë së tij, ai ka theksuar se nuk dëshiron që Specialja e sidomos Zyra e Prokurorit të Specializuar ta konsiderojë librin e tij si dëshmi për t’i akuzuar ish-krerët e UÇK-së.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat