Dëshmitari Zoran Stankoviq gjatë dëshmisë së tij në Hagë ka pohuar se vëllai i tij, Igori, djali i xhaxhait, Dragani dhe xhaxhai i tij Millorad Stankoviq kanë qenë të mobilizuar në ushtrinë serbe gjatë kohës së luftës.
Fillimisht dëshmitari u pyet nga mbrojtja e Thaçit përmes avokates, Sophie Menegon se e dinte që vëlla i tij Igori ishte intervistuar nga një gjykatës hetues në Gjykatën e Beogradit dhe ai e pohoi një gjë të tillë.
Dëshmitari Stankoviq pohoi se ishte në dijeni që vëllai i tij ka thënë që në atë kohë ju dhe vëllai juaj kishit uniformë.
Sipas Menegon, gjatë seancës përgatitore me ZPS-në dëshmitari kishte pohuar se vëllai tjetër i tij, Dejani ishte marrë rezervistë gjatë kohës së luftës e gjë të cilën Zoran Stankoviq e pohoi.
Por, Menegon tha se nga informatat që ata kanë, kushëriri i dëshmitarit, Dragan Stankoviq kishte kryer shërbim ushtarak me 1991-ën dhe kishte punuar gjatë konfliktit në Kosovë (1998-99) si polic rezervist.
“Nuk ka punuar. Ishte thjeshtë rezervist ushtarak”, tha dëshmitari duke shtuar se këtë shërbim si rezervist e ka kryer në qytet dhe kishte armë kur ishte në këtë pozitë.
Menegon tha se edhe për babain e Draganit, Milorad Stankoviqin ishte i mobilizuar dhe angazhuar në ushtri gjatë kohës së luftës.
“Ishte thjeshtë shofer dhe mbante tesha civile”, tha dëshmitari duke mohuar se ka qenë rezervist i mobilizuar.
Tutje, Menegon tha se sipas informatave që kanë, Dragani ka thënë që i ati i tij, Milloradi ka qenë i mobilizuar.
“Po ka qenë i mobilizuar, por mbante tesha civile se ishte thjeshtë shofer”, tha Zoran Stankoviq si përgjigje në pyetjet e Menegon.
Më pas, Menegon tha se pothuajse të gjithë anëtarët e familjes së dëshmitarit kanë qenë të mobilizuar në luftë gjatë konfliktit gjë e cila u kundërshtua nga prokurori Cezari Mihalçuk i cili tha se avokatja përmendi vetëm tre prej anëtarëve ndërsa familje mund t’i këtë pasur më shumë burra. Kundërshtimi i prokurorit u pranua.
Më pas Menegon vazhdoi duke e pyetur dëshmitarin se ai, kushëriri i tij dhe xhaxhai i tij a ishin të mobilizuar gjatë luftës si rezervist.
“Vëllezërit e mi po, por unë jo. Për tre muaj kisha kontratë me shkollën që të punoja pastrues sepse personat që më parë kryenin këto detyra ishin mobilizuar”, tha dëshmitari.