Qeveria e Kosovës ka marrë para disa ditësh vendimin përfundimtar për shpronësimin e pronave të paluajtshme në Zubin Potok e Leposaviq, të cilat do të shërbejnë për projekte infrastrukturore me interes publik. Kjo është bërë në pajtim me aktgjykimet e plotfuqishme të Gjykatave të Republikës së Kosovës.
Në lidhje me këtë, pronarët e këtyre tokave nuk kanë pranuar të flasin publikisht, ndërsa qytetarët serbë të veriut shpronësimin nga ana e qeverisë e konsiderojnë si diçka të parregullt dhe për çka është dashur të arrihet marrëveshje paraprakisht me pronarët e tokave.
Disa prej tyre kanë thënë se procesin e shpronësimit e shohin edhe si uzurpim.
Dragolub Vllajiq, qytetar nga veriu i Mitrovicës, tha se çështja e shpronësimit është dashur të zgjidhet duke arritur marrëveshje me banorët paraprakisht.
Vllajiq: Uzurpim është, çka tjetër
“Mendoj se nuk është në rregull, sepse e huaja nuk duhet të merret, kjo është e kundërligjshme dhe kundër normave shoqërore…Uzurpim është me siguri, sepse të marr unë nga tjetërkush e që nuk është e imja dhe që është në emrin e tij, çka është kjo tjetër… Kjo është dashur të rregullohet me ligj paraprakisht dhe me marrëveshje të zgjidhet, e jo ta marr njëherë e pastaj të shohim.. Pse nuk janë marrë vesh fillimisht, çka kanë pritur, e marrin pastaj hajde të arrimë marrëveshje, mendoj mbrapsht është kjo”, ka thënë Vllajiq.
Radovan Glligoviq, një qytetar tjetër nga veriu i Mitrovicës, theksoi se pasuria private është e paprekshme dhe se ajo nuk ishte dashur t’i merret me forcë askujt.
Sipas tij, shteti posedon mjaftueshëm toka të pashfrytëzuara të cilat është dashur t’i përdorë për qëllime të veta dhe jo të marrë toka që janë në pronësi private.
Glligoviq: Pasuria private është e paprekshme
“Mendoj se gjeneralisht pasuria private është e paprekshme dhe nëse është kështu, atëherë nuk ishte dashur askujt t’i merret me forcë toka… Kjo varet, ligjvënësi mund ta ndryshoj ligjin dhe në atë rast nuk është veprim ilegal, mirëpo përgjithësisht t’ia marrësh dikujt pasurinë private nuk ishte dashur të jetë veprim legal… Shteti me siguri ka ndonjë vend tjetër ku nuk ishte dashur të marrë nga qytetarët, ka toka të pashfrytëzuara të cilat nuk janë prona private”, tha Glligoviq.
Ndërkaq, analisti Branisllav Kërstiq, e ka quajtur shpronësimin si proces krejtësisht normal.
Ai kërkoi që shteti ta bëjë dëmshpërblimin ndaj pronarëve të tokave sa më shpejtë dhe në mënyrë korrekte, ndërsa tha se nuk ka vend për alarmim të situatës.
Vetëm gjatë ditës së enjte, shtoi ai, katër banorë nga fshati Dren i komunës së Leposaviqit, pronarë të tokave, kanë nënshkruar aplikacionin për dëmshpërblim.
Kërstiq: Ne e dimë si kanë ardhur amerikanët në Bondsteel, Ballkan dhe kudo në botë
“Është diçka normale, asgjë nuk është për alarm. Vetëm se është e nevojshme që pushteti të reagojë shumë shpejt dhe të realizojë dëmshpërblimin e atyre njerëzve. Ne e dimë qysh kanë ardhur forcat amerikane në Bondsteel, në Ballkan dhe kudo në botë, që do të thotë shtetasit e huaj janë duke ardhur në shtetin tonë dhe janë duke uzurpuar vendet të cilat i kanë zgjedhur vetë. Por, ata procesin e dëmshpërblimit e kanë rregulluar shumë shpejt dhe tepër korrekt… Dje i kemi pasur katër qytetarë nga fshati Dren i Leposaviqit të cilët kanë shkuar në komunë për të nënshkruar aplikacionin për dëmshpërblim, që do të thotë këto gjëra janë tepër normale”, sqaroi Kërstiq.
Në anën tjetër, shpronësimi i këtyre pronave është parë problematike prej kur ka filluar, në janar të vitit të kaluar.
SHBA-ja dhe BE-ja vazhdimisht i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ketë kujdes me procesin, andaj për këtë arsye qeveria e kishte larguar disa herë këtë çështje nga agjenda e saj.
Shpronësimin e këtyre pronave e kishte përmendur edhe emisari i SHBA-së për Ballkanin perëndimor, Gabriel Escobar. Muaj më parë diplomati amerikan këtë çështje e kishte ndërlidhur edhe me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Kundër këtij vendimi kishte dalë edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
‘Ne jemi të vetëdijshëm për këtë, është e papranueshme. Është një prej arsyeve që pasi të shkoj në Kosovë, do të shkoj në veri të saj dhe të flasë me qytetarët atje. Më pas do ta konfrontojë qeverinë në Prishtinë me këtë situatë. Është një nga detyrat e mia dhe të them një nga shqetësimet kryesore për momentin. Shohim se stabiliteti në veri, nëse mund ta quajmë stabilitet, është shumë i brishtë. Nuk mund të pranojmë të shtojmë më shumë benzinë në këtë proces’, ka thënë Cramon në një konferencë për media.
Veprimet e qeverisë së Kosovës për shpronësimet në veri ishin kundërshtuar edhe nga vetë serbët lokalë, të cilët organizuan protesta, ndërsa reagimi nuk mungoi as nga partia më e madhe e tyre në Kosovë, ‘Lista Serbe’.
Në janar të këtij viti Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerrë aktvendime me epilog të ndryshëm në paditë individuale ndaj vendimit të qeverisë për shpronësim në disa zona në Leposaviq dhe Zubin Potok.
Në dy raste gjykata në shkallën e parë aprovoi padinë individuale ose grupore të pronarëve të parcelave, pjesëtarë të komunitetit serb. Në tre raste tjera, Themelorja hodhi poshtë paditë individuale ose grupore të pronarëve ndaj vendimit të njëjtë të qeverisë.
Së fundi, në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për shpronësimin në veri, të enjten kanë reaguar edhe shtetet e Kuintit, Zyra e BE-së në Kosovë dhe Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë.
Ata përmes një deklarate të përbashkët kanë shprehur keqardhje për vendimin e marrë nga qeveria e Kosovës më 30 maj, që të finalizojë shpronësimin e tokës në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
‘Qeveria e Kosovës ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit. Vërejmë se sistemi gjyqësor i Kosovës ka identifikuar shqetësime të ngjashme ligjore me vendimin preliminar të shpronësimit, të cilin qeveria ende nuk e ka adresuar. Na vjen keq që Qeveria e Kosovës nuk priti që të gjitha procedurat e hapura gjyqësore të gjykoheshin plotësisht, përpara se të merrte këtë vendim. Ne kemi shprehur poashtu shqetësimet tona ndaj qeverisë se projektligji i shpronësimit nuk është në përputhje me zotimet e Kosovës të marra sipas planit të Ahtisaarit dhe kemi inkurajuar ata që ta modifikojnë ligjin në përputhje me rrethanat si përpara se ta miratojë atë’, thuhet mes tjerash në këtë deklaratë.
Ndryshe, sipërfaqja e tokës që është objekt i shpronësimit llogaritet të jetë mbi 100 hektarë, 83 prej të cilave në komunën e Leposaviqit, ndërsa të tjerat në komunën e Zubin Potokut, përkatësisht në Zubin Potok, Jasenovik, Banjë, Veli Breg dhe Bërnjak.