Shubariq thotë se nga frika kishte shkrepur armën në drejtim të vëllait të tij

Aktuale

Shubariq thotë se nga frika kishte shkrepur armën në drejtim të vëllait të tij

Më: 7 qershor 2024 Në ora: 14:06
Millorad Shubariq

Millorad Shubariq gjatë dhënies së mbrojtës në Gjykatën Themelore në Prishtinë tha se në momentin kritik kur kishte shkrepur me armë në drejtim të vëllait të tij ishte nderë i frikësuar nga ai pasi që paraprakisht i kishte parë diçka të zezë në duar.

“Kam shkrepur nga frika… mua me kujtohet se vetëm në duart e tij kam pa diçka zi”, deklaroi Shubariq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shubariq po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për veprën penale “Vrasje e rëndë” pasi që me datë 7 maj të 2022 për shkak të mosmarrëveshjeve kishte privuar nga jeta vëllain e tij tani të ndjerin D.SH.

Paraprakisht Shubariq sqaroi se në momentin kritik kishte pranuar një goditje nga i ndjeri në pjesën e kokës dhe se nga goditje kishte përjetuar tronditje duke mos parë edhe mirë dhe se pas goditjes kishte shkuar në shtëpi që të merrte armën.

Sipas tij, arsyeja pse ka shkuar të marrë armën është se kishte dëgjuar nga disa miq se i ndjeri D.SH ka blerë armë dhe se pas goditjes e ishte ndjerë i kërcënuar.

Shubariq po ashtu në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Kushtrim Shyti, sqaroi se ka qenë polic i Kosovës për 22 vite me radhë dhe se ka kaluar të gjitha teste e nevojshëm për përdorim të armës dhe se armën qe e ka përdorur ka qenë e policisë dhe se e kishte parë të nevojshëm përdorimin e të njëjtës në ditë kritike.

Paraprakisht Shubariq duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Asdren Hoxha, duke thënë se para aktit të vrasje me të ndjerin kishin pasur mosmarrëveshje dhe se i kishte kërkuar që të lirojë pronën edhe përkundër që sipas Shubariq toka ishte e babait të tyre.

Shubariq po ashtu tha se në shumë raste gruaja e tij e kishte telefonuar dhe i kishte treguar për presionit që i ndjeri D.SH i ka bërë të njëjtës si dhe duke shtuar se në disa raste edhe e kishte goditur por se sipas tij gjithmonë ishte munduar të qetësonte situatën.

Për të ndjerin vëllain e tij, Shubariq tha se nuk ka pasur marrëdhënie të mira as me familjarët tjerë dhe se nuk ka pasur edhe shumë shoqëri me personat dhe duke e përshkruar se edhe nuk ka qenë mirë në aspekt shëndetësor.

Pas përfundimit të mbrojtjes nga Shubariq, me kërkesë të prokurores Fitore Sadikaj seanca u ndërpre në mënyrë që e njëjta të jetë e gatshme për përgatitjen e fjalës përfundimtare.

Sipas aktakuzës të datës 13 prill 2023, i akuzuari Millorad Shubariq me nofkën “Miqa” i cili gjendet në paraburgim, akuzohet se me datën më 7 maj 2022 rreth orës 15:30 minuta, në fshatin Gushtericë e Ultë, Komuna e Lipjanit, për shkak të disa mosmarrëveshjeve në mes të pandehurit dhe tani të ndjerit D.Sh. dhe zënkave disa vjeçare rreth pronës-shtëpisë së përbashket të vëllezërve- të pandehurit Millorad Shubariq dhe D.Sh., derisa tani i ndjeri D.Sh., ishte duke punuar me kosë para shtëpisë së tij në oborrin e përbashkët me të pandehurin, ndërsa i pandehuri Millorad Shubariq ishte duke konsumuar birra, mes tyre ka filluar një fjalosje dhe kacafytje ku i pandehuri Millorad Shubariq ka hyrë në dhomën e tij ku ka marrë armën e tij zyrtare të tipit “Glock”, pastaj ka shkuar te shtëpia e tani të ndjerit dhe me dashje ka shtënë me armë tetë herë në drejtim të tij dhe e ka qëlluar, ku si pasojë e plagëve tani i ndjeri ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Me këtë i pandehuri ngarkohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 175. paragrafi 1. nënparagrafi 1.3 dhe 1.6 të KPRK-së.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat