IKD: Draft Kodi i Sjelljes së Deputetëve në kundërshtim me Kushtetutën

Aktuale

IKD: Draft Kodi i Sjelljes së Deputetëve në kundërshtim me Kushtetutën

Më: 7 qershor 2024 Në ora: 15:16
IKD

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin “Kodi i Sjelljes së Deputetëve”, duke analizuar përputhshmërinë me parimet kushtetuese, Rregulloren e Kuvendit dhe standardet e parlamenteve demokratike.

Në komunikatën e IKD-së thuhet se Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës miratimin e Kodit të Sjelljes për Deputetët. Ky Kod synon të vendosë parime, të përcaktojë sjelljet e papranueshme, të përshkruajë masat ndëshkuese dhe të formojë një Këshill të Etikës për zbatimin e këtij kodi.

“Edhe pse pati kohë të mjaftueshme prej një viti e nëntë muaj, për ta hartuar një kod në pajtim me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe standardet ndërkombëtare, Komisioni për Legjislacion nuk arriti të hartojë dhe të dërgojë në seancë plenare një draft të Kodit të Sjelljes në pajtim me këto dokumente”, thuhet në komunikatë.

Draft Kodi aktual përmban disa çështje të cilat minojnë efektivitetin dhe përafrimin e tij me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe standardet e parlamenteve demokratike.

“Për këto arsye Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) e ka parë të nevojshme publikimin e një dokumenti të tillë, në mënyrë që t’u ndihmojë deputetëve të kenë një qëndrim të mirinformuar sa i përket këtij draft kodi, për të cilin IKD kërkon nga Kryetari i Kuvendit dhe deputetët që një kod të tillë ta tërheqin nga miratimi prej seancës së ardhshme plenare, t’i bëjnë ndryshimet në përputhje me komentet e IKD-së dhe më pastaj ta sjellin për miratim”, thuhet në njoftim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat