​Gërvalla: Anëtarësimi në KiE ka qenë synim këtë vit, por jo objektiv real i Kosovës

Aktuale

​Gërvalla: Anëtarësimi në KiE ka qenë synim këtë vit, por jo objektiv real i Kosovës

Më: 8 qershor 2024 Në ora: 12:28
Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, thotë se anëtarësimi në Këshill të Evropës gjatë këtij viti ka qenë synim, por jo objektiv real.

Sipas saj, objektivi ka qenë kalimi i kërkesës në organet e Këshillit të Evropës dhe marrja e votës në Asamblenë Parlamentare, në mënyrë që anëtarësimi të arrihet muajt ose vitin e ardhshëm.

Ajo nuk pranon ta quajë dështim mos përfshirjen e Kosovës në agjendë të Komitetit të Ministrave të Punëve të Jashtme më 17 maj, por konsideron sukses marrjen e mbi 82 për qind të votave në Asamblenë Parlamentare.

Kryediplomatja flet edhe për mungesën e njohjeve të reja, rrezikun nga Serbia, zgjedhjet e reja dhe bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje.

Gërvalla: Anëtarësimi në KiE ka qenë synim, por jo objektiv real i Kosovës

“Kosova në vitin 2024 jo vetëm që nuk ka dështuar, por ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm drejt rrugëtimit të një anëtarësimi të plotë në Këshillin e Evropës. Vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, vendimi me 82 për qind të votave për anëtarësimin e Kosovës, për të kërkuar nga Këshilli i Ministrave që të pranojë Kosovën në këtë organizatë është një votim kaq masiv saqë besoj që edhe skeptikët më të mëdhenj ose optimistët më të mëdhenj të Kosovës nuk do ta kenë llogaritur. Është e vërtetë se për ne do të kishte qenë ideale sikurse të kishim arritur anëtarësimin e plotë, mirëpo objektivi që i kemi vënë vetvetes për këtë maj të vitit 2024 është arritur me marrjen e votës së fuqishme...Ne e kemi synuar, por nuk ka qenë në objektiva të shkruara tonat. Kemi shpresuar që me këtë votë të fuqishme të Asamblesë Parlamentare edhe skeptikët nga radhët e ministrave do të mundin të kapërcenin skepticizmin e tyre, por që nuk doli ashtu. Ne hapëm edhe një rrugë shtesë për t’ia lehtësuar disa nga ata që hezitonin për të marrë një vendim që në maj. Për të qenë real objektivi ynë ka qenë kalimi i kërkesës së Kosovës, marrjes së votës në Asamblenë Parlamentare për muajt e ardhshëm dhe më së voni për vitin e ardhshëm”, thotë ajo.

Gërvalla thotë se gjatë mbi tri viteve në krye të diplomacisë kanë arritur bilance pozitive në politikën e jashtme.

Duke folur për mungesën e njohjeve të reja, ajo thekson se po punojnë për të arritur të njëjtat, por shton se faza kur njohjet e reja kanë qenë element kyç për forcimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ka kaluar.

Gërvalla: Ka kaluar faza kur njohjet kanë qenë element kyç për Kosovën

“Nuk ka njohje të reja, mirëpo të hymë njëherë me bilancin. Në këtë mandat qeveritar është arritur ajo e cila ka qenë shqetësimi kryesor i qytetarëve tanë. Pra, në muajt e parë të punës time çdo teme ka qenë e lidhur me liberalizmin e vizave, çdo përpjekje. Sot për mua është një kënaqësi jashtëzakonisht e madhe të shoh që qytetarët e Kosovës vetëm me pasaportën e tyre që dorëzojnë në sportelin e një kufiri kudo që të jetë brenda zonës Shengen kanë mundësi të lëvizin të lirë, dhe të mos jenë populli i izoluari në Evropë. Në anën tjetër, liberalizmi i vizave ka hapur edhe mundësi të mëdha, edhe për heqjen e vizave në raport me shtetet tjera, prandaj këtë ndoshta do të emëroja si suksesin më i madh i politikes së jashtme, dhe politikes që është e ndërlidhur me politikën e brendshme, sepse pa progres në demokratizim dhe sundim të ligjit, as liberalizmi i vizave nuk do të kishte ndodhur. Në anën tjetër, kemi disa anëtarësime të rëndësishme në organizata ndërkombëtare...Tema e njohjeve është temë e rëndësishme, ku punojmë çdo ditë. Ka sinjale të reja në shumë drejtime, por faza kur njohjet e reja kanë qenë elementi kyç për forcimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare ka kaluar. Pra, çdo njohje është shumë e mirëseardhur, por nuk është kjo ajo njësia matëse në të cilën Kosova e forcon shtetësinë e saj”, thekson Gërvalla.

Sa i përket rrezikut që i kanoset Kosovës nga Serbia, zëvendëskryeministrja Gërvalla thotë se vendi është i gatshëm t’iu bërë ballë kërcënimeve që vijnë nga fqinji verior.

Gërvalla: Jemi vigjilentë për rrezikun nga Serbia, por nuk frikësohemi

“Serbia nuk është kërcënuese vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj shteteve të tjera të rajonit tonë. Shohim Bosnjën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbia gjithkund dëshmon se nuk ka hequr dorë nga synimet e saj hegjemoniste ndaj shteteve të saja fqinje. Unë jam shumë e sigurt që në Kosovë jemi më të përgatitur sesa gjithkund tjetër në rajon për t’iu bërë ballë kërcënimeve nga Serbia. Nuk llogaris në një luftë direket të Serbisë, pasi në Kosovë kemi trupat e NATO-s, kemi FSK-në të përgatitur sipas standardeve të NATO-s dhe një polici profesionale dhe të aftë për të mbrojtur vendin. Mirëpo llogarisë që Serbia mund të vazhdojë me këtë strategji dekonstruktive që ka...Ndoshta jo identik me Banjskën, por ne e dimë se në Serbi, jo larg kufirit me Kosovën, përsëri në ambiente zyrtare të ushtrisë serbe janë duke trajnuar njerëz për forma të ndryshme të ndërhyrjeve në Kosovë. Jemi vigjilentë pa qenë të frikësuar nga situata”, thekson ajo.

Në anën tjetër, bashkëkryetarja e Partisë Guxo për KosovaPress shprehet e gatshme për zgjedhje të reja, por kërkon që opozita të qartësojë qëndrimin e saj për shkuarje ose jo në garën zgjedhore.

Gërvalla: Opozita ta qartësojë nëse dëshiron zgjedhje të reja ose jo

“Është qartësuar këto ditë se ka vetëm një koalicion që është i gatshëm për zgjedhje. Ajo është Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Guxo. Ne jemi të gatshëm për zgjedhje në çdo kohë. Mendojmë se puna e jashtëzakonshme që është bërë gjatë këtyre pak më shumë se tri vjetëve është dëshmi se ky koalicion nëse vazhdon këtë mandat edhe për katër vjet të ardhshme do të sjellë hapa pozitivë dhe progres në shumë fusha. Kemi pa që opozita pavarësisht se faktit se çdo ditë ka dëshirë të flasë për zgjedhje, në fakt jo vetëm që nuk janë të përgatitur, por edhe nuk i duan ato zgjedhje. Edhe unë po të isha në pozitën e AAK-së, LDK-së apo të tjerëve dhe po t’i shihja sondazhet aktuale, do të doja të kalojnë edhe vite të shkojnë. Nuk kanë shfrytëzuar kohë në opozitë për t’u përgatitur për zgjedhje të reja. Prandaj ne jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje në vjeshtë, por jemi të gatshëm edhe të përfundojmë mandatin qeveritar në shkurt të vitit të ardhshëm...Opozita duhet të tregoj qartë se çfarë dëshiron. Nëse duan zgjedhje të shpërndajmë Kuvendin dhe të shkojmë në zgjedhje. Nëse nuk duan zgjedhje, atëherë mos të flasin për zgjedhje”, deklaron ajo.

Gërvalla është e hapur për një bashkëpunim të dytë me Lëvizjen Vetëvendosje, megjithëse thotë se biseda të tilla ende nuk janë bërë në strukturat e partisë.

Gërvalla: Jemi të hapur për bashkëpunimin me LVV-në

“Nuk është tema e sotme ajo. Ajo është temë që përcaktohet në momentin kur e dimë të paktën se kur po shkojmë në zgjedhje. Ne kemi konsoliduar partinë, jemi shtrirë në të gjithë territorin e Kosovës dhe jemi duke punuar për fuqizimin e partisë Guxo. Çfarë do të ndodhë, cila do të jetë strategjia, a do të hyjmë në zgjedhje me LVV-në apo do të hyjmë vetëm ajo është një temë që duhet vendosur nga strukturat tona”, përfundon Gërvalla. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat