Republika e Kosovës edhe këtë vit shënon 25-vjetorin e përfundimit të luftës gati 100 vjeçare që nga Konferenca e Londrës. Por as këtë vit, 12 Qershori i njohur si Dita e Çlirimit të Kosovës nuk figuron në kalendarin e festave zyrtare të shtetit dhe nuk është zyrtarisht ditë pushimi ( shiko kalendarin e festave zyrtare : https://mpb.rks-gov.net/f/86/Kalendari-i-Festave-Zyrtare-).
Dita e çlirimit në luftën e dytë botërore është caktuar Dita kur ushtari i fundit i pushtuesit është larguar nga vendi, me çka i bie që Kosova ketë ditë ta ketë kah fundi i qershorit.
Sipas deklaratave, ndryshimi i Ligjit për Festat Zyrtare po vazhdon të kushtëzohet nga Lista Serbe. Ndërkaq, një gjë të tillë e kritikon Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK). Sipas kësaj organizate, vjetëve të fundit këto festa po shënohen në mënyrë të plogësht nga institucionet e vendit, ndërsa partitë opozitare konsiderojnë se mungon vullneti politik që Dita e Çlirimit të futet në kalendarin e festave zyrtare.
Kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Valon Ramadani thotë se nuk po arrin të ndryshohet Ligji për Festat Zyrtare.
Ramadani: Duhet të rregullohen disa çështje në Ligjin për Festat Zyrtare
“Derisa jemi tek Ligji për Festat Zyrtare i kemi disa çështje të cilat duhet të rregullohen aty, jo vetëm shënimi i tyre. Tjetra është 9 maji që do ta kemi shumë shpejt e që nuk e di që nuk ka ndonjë shtet në Evropë që e feston dhe e kemi ditën e festës kur bie të shtunën ose të dielën që festohet të martën eventualisht të hënën, varet nëse i bie rend ato dy data. Këto dy tema duhet të hiqen, janë dy çështje që janë tejkaluar, mirëpo neve na kanë mbetur peng të kushtëzimit të Listës Serbe për arsye se është njëri nga 28 ligjet pa komunitetet ose pa 2/3 e komuniteteve nuk ka mundësi të ndryshohet”, shton ai.
Më tej, Ramadani thekson se Ligji për Festat Zyrtare është me interes vital dhe duhet të votohet nga deputetët e komuniteteve.
Ramadani: Dita e Çlirimit festohet në nivel komunal
“Dita e Çlirimit në Kosovë festohet më shumë në të gjitha ato komuna, ku komunat në statusin e tyre e kanë paraparë që të jetë festë zyrtare komunale në format e veta secila komunë e feston. Mirëpo edhe dihet që nuk është e njëjta ditë, diku fillon me 12, diku me 13 edhe deri te komuna e fundit ku është dita ose data kur është çliruar. Si komunë festohet në nivel komunal me statutet e tyre, komuna e cila e ka rregulluar këtë çështje me status”, shton ai.
Xhavit Jashari nga Organizata e Familjeve të Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thekson se është kërkesë e tyre e vazhdueshme që Dita e Çlirimit të zyrtarizohet.
Jashari: Festat janë të plogështa nga institucionet e Kosovës
“Ne pavarësisht a do t’i zyrtarizojnë apo ligjësojnë, ne po bëjmë përpjekje që t’i shënojmë në përmasën e duhur për t’i nderuar dhe kujtuar këto data të rëndësishme, siç është festa e flamurit, dalja publike e UÇK-së, ditëlindja e komandantit (Adem Jashari), por edhe ditën e çlirimit që mendoj se kohëve të fundit këto festa nga institucionet e Kosovës janë të plogështa... Pakicat që jetojnë në Kosovë, komunitetet, i kanë të ligjësuara festat e tyre në përputhje çfarë ndoshta edhe e meritojnë, por mjerisht këto kushtëzime duhet të marrin fund që edhe ne që jemi popull shumicë shqiptare të kemi festat e ligjësuara edhe në koordinim me përmasën kombëtare”, shprehet Jashari.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala konsideron se ka munguar vullneti politikë për të ndodhur një gjë e tillë.
Shala: Nuk ka pasur vullnet nga institucionet që ky ligj të jetësohet
“Legjislacioni jonë lë shumë për të dëshiruar sa i përket festave zyrtare dhe festave në tërësi që i kemi. Konsideroj që Kosova duhet ta ketë Ditën e Çlirimit të rregulluar me legjislacion dhe ajo të jetë pa marrë parasysh vullnetit të një numri apo një partie apo subjekti politik, cili do qoftë ai. Këtu duhet të rishikohen edhe disa festa të tjera të cilat me legjislacion në një periudhë të caktuar kohore janë, por që duhet rishikuar komplet orari dhe Ligji për Festat Zyrtare...Kur ka vullnet të subjekteve të brendshme, kur ka vullnet të mazhorancës gjenden alternativat dhe mundësi, ku ne shumë herë kemi pasur mundësi që të ndryshojmë ligje të cilat mund të bëhen. Por, që në këtë relacion nuk ka pasur as vullnet dhe as ide, e as angazhim minimal të institucioneve qeveritare”, deklaron ai për KosovaPress.
Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj konsideron se shpejt duhet të rregullohet ky ligj dhe Dita e Çlirimit të figurojë ne kalendarin e festave zyrtare.
Dreshaj: Kjo festë e ka vendin në Ligjin për Festat Zyrtare
“Mendoj se kjo festë e ka vendin në Ligjin për Festat e rregulluar nga Kuvendi i Kosovës dhe mendoj që do të duhet të rregullohet sa më shpejt që është e mundur, por ju e dini që kemi një problem që Ligji për Festat Zyrtare i takon grupit të ligjeve me rëndësi të veçantë dhe për të kaluar në kuvend këto ligje kërkojnë 2/3 të kuvendit dhe 2/3 të minoriteteve. Për këtë arsye kjo ditë që nuk është e futur është njëra prej arsyeve, ani pse ne deri më sot nuk e kemi pasur një propozim të tillë. Mendoj që është propozim i drejt dhe duhet të bëhet”, përfundon ai.
Lista Serbe kushtëzon me 28 qershorin “Vidovdanin” që të futet në kalendarin e festave zyrtare.
29 nëntori në Shqipëri është festë zyrtare që përkujton çlirimin nga pushtimi fashist dhe nazist në vitin 1944. Përveç në Shqipëri, edhe Mali i Zi e shënon si festë zyrtare 13 korrikun që përkujton fillimin e kryengritjes së përgjithshme popullore në vitin 1941 dhe njohjen ndërkombëtare të shtetit malazez nga Kongresi i Berlinit në vitin 1878. Ndërkaq, Serbia e shënon me punë 21 tetorin si festë zyrtare të çlirimit të Beogradit gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kosova u çlirua përfundimisht nga Serbia në qershor të vitit 1999. Kjo u arrit pas një përpjekje të gjatë ( shiqo https://sq.wikipedia.org/wiki/Konferenca_e_Londrës_(1912–1913 ) dhe luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pas 78 ditë bombardimesh të NATO-s, udhëhequr nga ShBA-të, kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë, Serbi e Mal të Zi.
Ministria e Kulturës ka publikuar agjendën shtetërore për shënimin e 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, të cilat nisin nga data 8 deri më 21 qershor.
Më 12 qershor do të mbahet seanca solemne në Kuvendin e Kosovës dhe parakalimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës.