Tony Blair para deputetëve të Kosovës: Ne i dhamë fund një makthi, por tani mund të ndërtojmë një ëndërr

Aktuale

Tony Blair para deputetëve të Kosovës: Ne i dhamë fund një makthi, por tani mund të ndërtojmë një ëndërr

Më: 10 qershor 2024 Në ora: 07:53 Përditësuar në ora: 12:27 më 10.06.2024
Foto nga vendi i ngjarjes

Blair nga Kuvendi: Ne i dhamë fund një makthi, tash le të punojmë për të ardhmen e popullit të Kosovës

Tony Blair, ish-kryeministri britanik, në një fjalim në Kuvendin e Kosovës për 25-vjetorin e çlirimit të vendit, bëri thirrje për përkushtim ndaj ndërtimit të një të ardhmeje më të mirë për popullin e Kosovës.

Ish-kryeministri britanik Tony Blair, i cili luajti një rol kyç në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, iu drejtua sot Kuvendit të Kosovës me një fjalim të veçantë për të shënuar 25-vjetorin e çlirimit të vendit,

Ish-kryeministri britanik ka thënë se nuk është penduar asnjëherë që e ka ndihmuar Kosovën në çlirimin e saj.

Blair bëri thirrje për përkushtim ndaj ndërtimit të një të ardhmeje më të mirë për popullin e Kosovës, duke kujtuar sakrificën dhe kurajon e atyre që luftuan për lirinë e vendit.

“25 vjet më parë, Kosova fitoi lirinë e saj dhe populli i saj fitoi të drejtën për të jetuar, shpresuar dhe besuar sërish,” tha Blair, teksa kujtoi përvojat e tij gjatë asaj kohe, përfshirë tensionet e negociatave dhe takimet me refugjatët kosovarë.

Blair shprehu mirënjohje për bashkëpunëtorët e tij ndërkombëtarë dhe liderët kosovarë, duke përmendur në veçanti presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova dhe presidentin amerikan Bill Clinton.

Blair theksoi rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve për pavarësinë e fuqishme të Kosovës dhe integrimin e saj në Bashkimin Evropian.

“Atëkohë, takova refugjatët afër Shkupit dhe pashë fytyrat e tyre përballë fytyrës time, që kërkonin ndihmë. Ne ndihmuam dhe kurrë nuk do ta harroj këtë. Falënderoj të gjithë ata që punuan me mua për atë ditë, në veçanti presidentin Rugova, sekretarin Solana, kryeministrin Italian, gjeneralin Clark, gjeneralin Clarkson dhe sigurisht lidershipin vital të presidentit Klinton. Vendosmëria juaj simbolizon dëshirën tuaj për një të ardhme më të mirë. Është për pavarësinë e fuqishme dhe shtetin e pavarur sovran dhe përpjekjen e Kosovës për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian”, ka shtuar Blair.

“Ne i dhamë fund një makthi, por tani mund të ndërtojmë një ëndërr,” tha ai, duke nënvizuar se ndjekja e shembullit të atyre që luftuan për lirinë e Kosovës është detyrimi më i madh për brezin e sotëm.

Tony Blair para deputetëve: Nuk pendohem kurrë për mbështetjen ndaj pavarësisë së Kosovës

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair u është drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Blair, i cili ka luajtur rol udhëheqës gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 që ndaloi përparimet e forcave okupatore serbe dhe ndihmoi Kosovën të fitonte pavarësinë, tha se nuk pendohet kurrë për vendimin që kishin marrë 25 vite më parë.

“Është nderë për mua të jem sot këtu dhe nuk mund t’ju falënderoj mjaftueshëm për mirëpritjen e ngrohtë.25 vite më parë u arrit marrëveshja për çlirimin e territorit të Kosovës, dhe Kosova më fund ishte e lirë dhe populli ishin të lirë të jetojnë, shpresojnë e të besojnë sërish në një të ardhme të lirë… Ne ndihmuam dhe nuk pendohem kurrë”, tha Blair.

Blair tutje shtoi se sot kujtojmë ata që dhanë jetën për liri, kujtojmë guximin dhe sakrificën e tyre dhe shprehim mirënjohje të thellë për ta dhe familjet e tyre.

“Si kryeministër asokohe më kthehen shumë kujtime të negociatave me liderët botërorë dhe për kompleksitetin e vendimit në atë kohë lufte”, tha Blair.

Blair u bëri thirrje vendeve që se kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë këtë. Ai theksoi se rinia është e ardhmja e Kosovës.

“E di që Kosova ende ballafaqohet me sfida, por rinia që keni e që është shumë e zgjuar është e ardhmja e Kosovës”, tha Blair

Konjufca – Blairit në seancën solemne: Ky parlament është i juaji, urdhëroni

Kryeparlamentari Glauk Konjufca i tha ish-kryeministrit britanik, Tony Blair që të ndjehet si në shtëpinë e tij, në seancën solemne parlamentare.

Para se ta ftonte për të folur para deputetëve, Konjufca tha se ky parlament është edhe i Blairit, i cili luajti një rol të rëndësishëm për çlirimin e Kosovës më 1999.

“Jeni gjithmonë i mirëseardhur në Kosovë dhe duhet të ndiheni, e nuk kam kurrfarë dyshimi që ndiheni po sikur në shtëpinë tuaj, prandaj edhe kjo foltore, edhe ky parlament, është i juaji”, tha Konjufca.

Ai tha se Blair dhe figurat e tjera e ndalën gjenocidin në Kosovë.

“Ne jemi të gjithë të nderuar, zonja dhe zoterinj, të dashur kolegë, ta kemi të pranishëm mikun e madh të Kosovës, njeriun i cili në çdo pozitë në tē cilën ishte, e sidomos për 10 vite sa ishte kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, dha një kontribut të jashtëzakonshëm në ditët tona më të rënda si popull”, tha Konjufca.

Blair: Sot jam këtu për ta përgëzuar popullin e Kosovës, mezi pres t’ju shoh në familjen evropiane

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, pas takimit me presidentes e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur shkurt para mediave, duke ritheksuar sërish mbështetjen për Kosovën.

“Emocione të thella të jem këtu. Përgëzime popullit të Kosovës për guximin dhe vendosmërinë e tyre të palëkundur që ta shfrytëzojnë atë për çlirimin e vendit. Atëherë isha i bindur që ishte gjëja e duhur për ta bërë, dhe sot jam i bindur që të jem përkrah popullit të Kosovës”, u shpreh Blair në konferencën me Osmanin.

Blair ka thënë se pret që Kosova, në të ardhmen, të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

“Këtu po ndodhin shumë gjëra pozitive, që janë në të mirë për gjithë botën. Mezi pres ta shoh ditën që Kosova të zërë vend në familjen evropiane. Së shpejti do t’i adresohem deputetëve të Kuvendit por edhe njëherë dua të shpreh solidaritetin me njerëzit e Kosovës”, tha Blair.

Paraprakisht, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur falënderime ndaj ish-kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair, për “shpëtim nga shfarosja”.

E para e shtetit ka deklaruar se vendimi i atëhershëm për intervenim ishte i duhur dhe se për këtë, mirënjohës është i gjithë populli i Kosovës.

“Bota demokratike do të kujtohet për here kumbimin e fjalive ‘kjo është gjëja e duhur për tu bërë”. 25 vite më pas edhe çdo ditë nga ajo ditë, ne ju themi faleminderit, që përkundër sfidave ju orientuat kompasin e historisë. Në vitet 99-ta, roli juaj si kryeministër ishte vendimtar, andaj sikurse atëherë që ishit hero i popullit, e demokracisë, edhe sot jeni hero i paqes për vendimin e drejtë të asaj kohe. Ju na shpëtuat nga shfarosja. Ju keni thënë se intervenimi në Kosovë ishte një betejë midis të mirës dhe keqes. Shumë fëmijë të asaj kohë mbajnë emrin tuaj. Trashëgimi juaja në Kosovë është trashëgimi e shprese, lirisë dhe partneritetit”, u shpreh Osmani.

Osmani e quan Blairin “kampion të popullit të Kosovës”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur ish-kryeministrin britanik, Tony Blair – “kampion të popullit të Kosovës”.

Përmes disa fotografive të postuara në rrjete sociale, Osmani i uroi mirëseardhje Blairit, në prag të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës.

“Mirë se vjen në Kosovën e lirisë, shpresës, demokracisë, Kryeministër Tony Blair! 25 vjet më vonë, trashëgimia juaj vazhdon. Do të mbeteni gjithmonë kampion i popullit të Kosovës”, ka shkruar e para e vendit.

Pas takimit, Osmani dhe Blair do të deklarohen për media.

​Nis takimi Osmani-Blair

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po pret në takim ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Tony Blair.

Pas takimit Osmani dhe Blair do të deklarohen për media.

Ish-kryeministri Blair në kuadër të 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës, do të mbajë një fjalë rasti në Kuvendin e Kosovës.'

Detaje tjera priten të japen.

​Presidentja Osmani pret kryeministrin Rama

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama. Mediat janë lejuar të marrin pamje te pritja para objektit të Presidencës, ndërkohë nuk është paraparë ndonjë konferencë e përmbashkët për media.

Presidentja Osmani në kuadër të 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës do të pres në takim edhe ish kryeministrin e Britanisë së Madhe, Tony Blair.

Rama do të marrë pjesë edhe në konferencën ndërkombëtare ‘’Rugova dhe Perëndimi’’, në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, ku do të marrin pjesë edhe Massimo D’Alema – ish-kryeministër i Italisë, Vincenzo Paglia - president i Akademisë Papnore për Jetën, Jeffrey Hovenier - ambasador i SHBA-së në Kosovë.

Kurse, pasdite, kryetari i Prishtinës Përparim Rama do të pres në takim kryeministri e Shqipërisë Edi Rama ku do t’i ndahet çmimi “Çelësi i Qytetit”. 

Presidentja Osmani sot në mëngjes pret në takim Edi Ramën dhe Tony Blair

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot për nder të 25 vjetorit të çlirimit, që në mëngjes do të pres mysafirë të rëndësishëm.

Në njoftimin e Presidencës bëhet e ditur se në ora 08:00 të mëngjesit, Osmani do të pres në takim kryeministrin shqiptar, Edi Rama, kurse nga ora 09:00 ish-kryeministrin e Britanisë, Tony Blair.

Pas përfundimit të takimit, Osmani dhe Blair do të deklarohen për media.

Njoftimi i plotë:

Agjenda e aktiviteteve të Presidentes Osmani në nder të 25 vjetorit të çlirimit, për nesër (10 qershor 2024)

Në orën 08:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

Në orën 09:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim z. Tony Blair, ish-Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar.

Pas përfundimit të takimit, Presidentja Osmani dhe z. Blair do të deklarohen për media.

Në orën 16:00, Presidentja merr pjesë në shënimin e 146 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit në Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat