Takimet i kanë të shpeshta.
E hallin e kanë të përbashkët.
Secili prej këtyre banorëve të lagjes Bregu i Diellit në Prishtinë paguan tatimin në pronë, por i ka dal një telash me tokat e tyre me një ligj që daton që nga ish Jugollsavia.
Derisa të gjithë janë banorë të këtyre shtëpive, komuna e Prishtinës është titullar juridik i tyre.
Kjo bazuar në nenin 29 të ligjit 827 për marrëdhënie themelore juridike-pronësore, ligj i cili u përcaktua në vitin 1980 në ish-Jugosllavi.
E ndonëse me plotësim ndryshimin e tij në vitin 1996, ish pushteti e shfuqizoi këtë ligj, duket që Gjykatat në Kosovë janë të vetmet që ende funksionojnë me të.
Kjo duke u thirrur në rregulloren e UNMIK-ut 1999/24, sipas të cilës ligjet të cilat nuk janë diskriminuese zbatohen përmes kësaj rregullore.
E ka mbi 30 vjet që qytetarët po kërkojnë kthimin e pronës së tyre.
“Pronarë të këtyre shtëpive dhe pllaceve jemi qysh para viteve të 70-ta të shek të kaluar. Kemi patur në vitet e robërisë serbe në vitin 1985 një sulm agresiv ndaj të drejtave tona. Në atë vit neve na është ekspropriu prona padrejtësisht”, thotë Haki Kasumi, banor në lagjen “Bregu i Diellit”.
E të njëjtat kërkesa, sipas tyre gjykatat po i refuzojnë.
Prandaj Xhafer Gashi ndihet i rënduar nga të gjitha tentimet e pasuksesshme.
“Na kemi qenë të ngarkum edhe psiqikisht edhe fizikisht sepse na kemi jetu me një stres, me një ankth se e kemi ndi veten se jemi në tokën e huaj apo në vend të huaj edhe e kemi kundërshtu”, shprehet Xhafer Gashi, banor në këtë lagje
Madje për shpronësimin e pronave të tyre, ata thonë se nuk janë paguar fare.
“Si është e mundur kur neni 46 i Kushtetutës së Kosovës e garanton të drejtën e pronës kurse komuna e bën pronën tonë pa shpronësim, pa asnjë pagesë, pa asnjë ofertë”, thotë Skënder Sylejmani, përfaqësues i lagjes “Bregu i Diellit”.
Megjithatë të drejtën e tyre pronësore e kanë kërkuar gjithnjë.
“Na është kthy si përgjigje që kjo çështje duhet të zgjidhet përmes komunës, kurse komuna më herët kemi marrë përgjigje, që duhet përmes gjykatës”, thotë ai.
Komuna e Prishtinës bëri të ditur se ky institucion nuk ka përgjegjësi.
Ndërsa përkundër faktit që edhe rregullorja e UNMIK-ut shkon në favor të pronarëve privat, problematike mbetet zgjidhja e këtyre çështjeve në gjykata.
“E vetmja gjykatat e Kosovës ende e zbatojnë këtë ligj me çka cenohet rëndë e drejta themelore e personave fizik, siç është e drejta pronësore”, shprehet avokati për çështje pronësore, Shemsedin Thaçi.
Televizioni ka dërguar pyetje edhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe atë të Apelit, por deri në publikimin e kësaj kronike nuk ka marrë përgjigje.
Po ashtu media ka dërguar pyetje në Ministrinë e Drejtësisë për atë se çfarë është duke u bërë në këtë drejtim, mirëpo as këta nuk kanë kthyer përgjigje.