Presidenti i Akademisë Papnore për Jetë: Rugova e donte popullin dhe vendin e tij, ishte Gandi i Ballkanit

Aktuale

Presidenti i Akademisë Papnore për Jetë: Rugova e donte popullin dhe vendin e tij, ishte Gandi i Ballkanit

Më: 10 qershor 2024 Në ora: 13:03
Vincenzo Paglia, president i Akademisë Papnore për Jetë

Vincenzo Paglia, president i Akademisë Papnore për Jetë, ka thënë se është i nderuar dhe i lumtur për pjesëmarrjen në konferencën ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi” që është duke u mbajtur sot në KlanArena.

Ai para të pranishmëve ka thënë se presidenti historik, Ibrahim Rugova, ishte vizionar për vendin e tij, Ballkanin dhe një Evropë me Ballkanin Perëndimor brenda saj.

“Presidenti Ibrahim Rugova ishte kolos fragjil i Kosovës. Ai e drejtoi vendin e tij drejt pavarësisë, ai është një nga personalitetet më të shquara ballkanike të shekullit të XX-të. Prej kur ishte president Ibrahim Rugova qëndroi besnik qëllimit për arritjen e pavarësisë së plotë të këtij vendi edhe kur filloi të negocionte një marrëveshje shkollash dhe universitetesh me Beogradin në vitin 1995, ai nuk e braktisi kurrë qëllimin e pavarësisë”, ka thënë Paglia.

Ndër tjera, Paglia theksoi se Rugova ishte një mik shumë i mirë i tij, i cili e bëri të dashuronte popullin e tij, kosovar.

“Ai ishte një person i edukuar, ai e donte vendin e tij, kjo tregohej edhe për krenarinë dhe dashurinë që e shfaqte edhe për mineralet e vendit të tij. Në Itali dhe përtej ai ishte i njohur si Gandi i Ballkanit, e mirëpres atë titull dhe e mbroj atë titull me lehtësi për Rugovën” , ka thënë Paglia. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat