11 plumba, Land Rover-i i luftës së Kosovës, një histori nga gazetari Vaughan Smith

Aktuale

11 plumba, Land Rover-i i luftës së Kosovës, një histori nga gazetari Vaughan Smith

Më: 10 qershor 2024 Në ora: 15:50
Gazetari britanik Vaughan Smith dhe rrëfimi për "loçkën" e tij, Land Roverin e kohës së luftës në Kosovë

Gazetari britanik Vaughan Smith, i cili gjatë luftës në Kosovë xhiroi sulmin në Prekaz dhe kufomat e të vrarëve, ka ardhur me një rrëfim tjetër interesant mbi atë periudhë.

Në emisionin “Ora 7” Smith foli për veturën e tij të famshme që e kishte përdorur në kohën e luftës në Kosovë.

Këto detaje, Smith i dha për kolegun e tij gazetar, Milot Hasimja.

Gazetari britanik, “Land Rover”-it të tij të famshëm i referohet si “loçkë”.

“Po, kjo ka qenë loçka ime. Ka qenë transporti im. Ishte bërë shumë e njohur. Edhe numrin e targave e njihnin shumë njerëz në Drenicë, shumë bujq dhe shumë të tjerë që jetonin në Drenicë. Sepse ka shkelur bash në secilën rrugë të Drenicë, në secilën rrugë rurale”, thotë në fillim Vaughan Smith.

Ai tregon se veturën në fjalë e kishte blerë në Bosnje e Hercegovinë në vitin 1994.

“E pata blerë këtë makinë, jam video-gazetar i pavarur, dhe e pata blerë këtë makinë në Bosnjë më 1994, është Land Rover britanik Defender 10. Dhe është një kompani me emrin ‘Kevlar’, dhe kjo këtu lart, dyert, si dhe pjesa poshtë, nuk janë të metalit, por janë material të kevlarit, e që është material shumë i fortë dhe antiplumb, por e bën makinën shumë të rëndë, dhe ta ngasësh atë është sikur të lundrosh me varkë. Land Rover-ët janë të ndërtuar për të tërhequr dhe jo domosdo për të bartur. Prandaj kjo është një karakteristikë e vozitjes së kësaj makine, e që është unike”, flet Smith për “loçkën” e tij.

Arsyeja pse e bleu këtë veturë ishte fakti se gazetari britanik kishte themeluar dhe e udhëheqtë një organizatë për gazetari të pavarur të quajtur Frontline News Television në Sarajevë.

Sipas tij, meqë organizatës i duheshin para, veturën e jepnin me qira për organizata tjera të lajmeve me të cilat organizata e tij punonte, nga e cila fitonin shumë para.

“Pra, ju mund të më punësonit mua bashkë me kamerën time dhe me automjetin tim, me automjetin tim të besueshëm”, theksoi ai për “Ora 7”.

Ndërkaq, tregon edhe sa herë është qëlluar ndaj saj me plumba.

“Në këtë automjet kanë shtënë 11 herë, por është vetëm një shenjë plumbi që i ka mbetur, sepse më duhej që t’i riparoja, për shkak që nëse doja që ta jepja me qira, atëherë njerëzit nuk donin t’i shihnin plumbat aty, dhe nganjëherë më duhej ta çoja makinën në Oksford ku është fabrika e COHTORIT, në mënyrë që ata ta riparonin, dhe të cilët kishin pajisje të riparimit. Shenja e plumbit që i ka mbetur është kjo këtu (tregon në video), e që ishte një plumb i largët i shtënë me snajper, dhe kjo shenjë nuk është nga Kosova, por është nga Iraku. Sepse pas fundit të luftës në Kosovë, ia pata huazuar makinën një miku”, tha gazetari Vaughan Smith.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat