​Analiza e raporteve mes dy kryeministrave Kurti-Rama, vazhdojnë mostakimet

Aktuale

​Analiza e raporteve mes dy kryeministrave Kurti-Rama, vazhdojnë mostakimet

Më: 10 qershor 2024 Në ora: 16:40
Albin Kurti dhe Edi Rama

Raportet mes dy kryeministrave të Kosovës Albin Kurti dhe kryeministrit të Shqipërisë duket se nuk kanë lëvizur pozitivisht.

Pas shumë takimeve e aktiviteteve të mbajtura në Kosovë për 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s dhe Çlirimit të Kosovës, Kurti nuk është parë në takim me homologun e tij shqiptar Edi Rama.

Madje një takim mes dy kryeministrave nuk është parapa në agjendën e 10 qershorit.

Kryeministri Rama gjatë vizitës së tij zyrtare takimin e parë në Kosovë e nisi me presidenten Vjosa Osmani.

Ndërsa është pritur në takim edhe nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama me ç’rast iu është dhënë “Çelësi i qytetit”.

Ndërkaq Rama ka marr pjesë edhe në konferencën e ndërkombëtare të Lidhjes Demokratike e Kosovës dhe Fondacioni “Ibrahim Rugova”, “Rugova dhe Perëndimi”, në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës.

Nga aty Rama e ka këshilluar homologun e tij Kurtin që ti ruaj miqt pas përkeqësimit të raporteve të Kurtit me SHBA-në.

Rama: Dogmatizmi dhe kryelartësia provinciale kthehet në një ndëshkim të kushtueshëm për popujt

“Siç thoshte mësuesi im Rolan Bard politika fillon me një dëshirë dhe pasion dhe pastaj ajo kthehet në veprim. Kështu fliste ati themelues i Kosovës së lirë të pavarur e demokratike i bindur se në arenën e lojës së madhe politike, kalorësit e idealeve duhet të zbresin në tokën e llogarive strategjike. Se aleatët dhe albitrat e jashtëm kanë po aq rëndësi sa vullneti i brendshëm rëndësi, se dogmatizmi dhe kryelartësia provinciale herët apo vonë kthehet në një ndëshkim shumë të kushtueshëm për popujt e udhëhequr me arsyen e pasionit dhe jo pasionin e arsyes”, tha ai.

Ndërkaq, në një intervistë për mediat e Shqipërisë, gjatë javës së kaluar Kuti ka përmendur se punët e kryera dhe rezultatet e arritura ndërmjet Kosovës e Shqipërisë për tri vite janë më të mira se të gjitha qeveritë e mëhershme.

Ai ka numëruar mbledhjet e qeverive dhe marrëveshjet që kanë arritur me Shqipërinë etj.

Në raste përvjetorësh si dita e çlirimit, njohësit nga Kosova e Shqipëria vlerësojnë se një takim mes dy kryeministrave do të duhej të ndodhte.

Arbnor Sadiku, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare tha se nuk është gjë e rëndomtë kur kryeministri i Shqipërisë e viziton Kosovën dhe mos të ketë takim me Kurtin.

Sadiku: Nuk është e rëndomtë që të vij kryeministri i Shqipërisë në Kosovë dhe mos të ketë takim

“Praktikisht nuk është një gjë e rëndomtë që të vij kryeministri i Shqipërisë në Kosovë dhe mos të ketë takim bilateral me kryeministrin e Kosovës, por si duket raportet e këqija mes kryeministrit të Kosovës dhe kryeministrit të Shqipërisë rreth koordinimit mbarë shqiptar të agjendës shqiptare dhe në të njëjtën kohë koordinimi i agjendës ndërkombëtare të Kosovës kanë bërë që mos të ketë vizita të tilla për faktin se dihet se zoti Kurti nuk ka pas koordinim as me kryeministrin shqiptar e as me një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare rreth hapave dhe veprimeve të Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe për veprim në veriun e Kosovës”, tha Sadiku.

Derisa Sadiku komenton edhe ftesat e institucioneve për raste të tilla.

Sadiku: Ideja është të kryhet një obligim që është në të mirën e Kosovës

“Në rrethana të tilla është kryeministri i Kosovës ai që është autoriteti kryesor që organizon dhe mirëpret por në të njëjtën kohë do të ishte mirë që edhe presidentja për faktin se kjo nuk është ndonjë gjë e cila është për konkurrencë se cili institucion e bënë ftesën më përpara. Ideja është të kryhet një obligim që është në të mirën e Kosovës. Dhe le të themi ftesa për përkujtimin e përvjetorit të sulmit të NATO-s në Kosovë dhe çlirimin e Kosovës dhe popullit të Kosovës për liri andaj kushdo që ta bënte këtë event do të ishte e mirëseardhur”.

Ndërkaq, analisti shqiptar Ben Andoni tha se dy kryeministrat do të duhej të bënin çmos të takoheshin mes vete.

Por sipas tij edhe Kurti edhe Rama po i shmangin këto mundësi për të treguar protagonizmin në botën shqiptare.

Andoni: Shmangin këto mundësi, për të treguar protagonizmin në botën shqiptare

“Normalisht zotëri Rama duhet ta takonte zotëri Kurtin. Madje edhe zotëri Kurti duhet të bënte çmos që brenda protokollit kryeministror të gjente një qep që ta takonte zotëri Rama. Por ka kohë që qoftë zotëri Rama, qoftë zotëri Kurti shmangin këto mundësi, thjesht për të treguar këtë protagonizmin në botën shqiptare”, deklaron ai.

Mospajtimet mes Kurtit dhe Ramës kulmuan në korrik të vitit të kaluar, kur Rama qëndroi në vizitë në Prishtinë dhe kryeministri kosovar kishte refuzuar ta takonte.

Derisa edhe kryeministri Rama mbledhjen e qeverive të të dyja shteteve e kishte refuzuar me formatin e zakonshëm dhe kishte kërkuar ndërrimin e tij për shkak të tensioneve në veri të Kosovës.

Së fundi në muajin maj gjatë Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së në Kotor të Malit të Zi ishte shpërndarë një video ku Kurti pas arritjes në samit ishte përshëndetur me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, kryeministrin Rama dhe të dërguarin e Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccaz.

Por ndryshe nga zyrtari i lartë amerikan, Rama nuk ishte ngritur në këmbë për të përshëndetur Kurtin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat