Eksperti i Sigurisë, Drizan Shala, ka thënë se shteti i Rusisë në krye me presidentin Vladimir Putin është e institucionalizuar brenda shtetit të Serbisë.
Kështu deklaroi Shala, duke shtuar se Aleksandër Vulin tashmë është “kryespiun” i dekoruar nga Vladimir Putin dhe se rreth 4 mijë agjentë rusë e kanë si adresë zyrtare për t’i çarë “hallet dhe brengat” e tyre.
“Qe një element kur Rusia është institucionalizuar brenda Serbisë. Kemi zëvendësministrin e parë, Aleksandër Vulini, i cili është kryeshpiun i dekoruar nga vetë Vladimir Putin. 4 mijë e 47 agjentë të Rusisë kanë një adresë zyrtare ku munden t’i tregojnë brengat e veta. Ditëve të fundit shohim një element interesant që ngjason në aspektin e paraneksimit të Krimesë. 2011 deri 2014, Rusia ka instaluar forma të ndryshme”, deklaroi Shala.
Shala deklaroi se “Kuvendi i ashtuquajtur gjithëserb” është vazhdim i skenarit të vitit 1984, ku thuhet se aty ku jeton çdo serb, aty duhet të jetojë shteti serb.
Tutje, Shala përmendi vizitën e presidentit të Republikës Serbska, Milorad Dodik, gjatë muajit të kaluar në Beograd, duke thënë se Dodik ka përcjellë mesazhe që nuk përçohen përmes formave elektronike, por duke qenë vetë ai bartës i mesazhit.
“Është vazhdim i skenarit 1984-t, pikërisht për të zotuar territorin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Aty ku jeton çdo serb, aty duhet të jetojë shteti i Serbisë. Ky është koncepti ideologjik, politik, madje i mbështetet ekonomikisht, ushtarakisht edhe në forma të ndryshme. Para disa ditësh, Dodik ka qenë në pjesën e Moskës, edhe para atij takimi në Beograd është indikuese në kuptimin se çfarë mesazhe ka përcjellë. Ato mesazhe që nuk përcjellen përmes formave elektronike, komunikimet që bëhen. Është mesazh i një plani më të detajuar se çka duhet të veprojnë”, deklaroi ai.