Ish-gazetari, Nexhat Aqifi mund të përkufizohet si lajmëtari i marrëveshjes së Kumanovës, pasi ishte ndër të parët që dha këtë lajm.
Aqifi, për udhëtimin e tij në dhënien e këtij informacioni, foli për Info Magazine.
Ai tregon për peripecitë, por edhe për lumturinë e kësaj dite.
“Marrëveshja e Kumanovës në aspektin e profesionit tim dhe gazetarisë është kulmi që mbaj mend të kem arritur si gazetar që të njoftojë opinionin për një ngjarje aq madhore, jo vetëm për popullin shqiptar, jo vetëm Kosovën, por për të gjithë komunitetin botëror”, tha Aqifi.
“Ishte një ngjarje që pritej nga të katër anët e botës, dhe u arrit pikërisht në qytetin e Kumanovës më 9 qershor të vitit 1999”.
“Ishte ditë e enjte ajo ditë, ditë e nxehtë, me temperatura të larta, por numrin e lartë të gazetarëve nuk e pengonte as kjo”.
Aqifi tutje tregon se si i erdhi ky lajm i shumëpritur, e sa i madh ishte gëzimi.