​Anulohet vizita e Kouchnerit në Kosovë, zbulohet arsyeja

Aktuale

​Anulohet vizita e Kouchnerit në Kosovë, zbulohet arsyeja

Më: 10 qershor 2024 Në ora: 21:39
Bernard Kouchner

Vizita e Bernard Kouchner, ish-shef i UNMIK-ut në Kosovë dhe të gjitha ngjarjet e planifikuara për datën 11 qershor 2024 janë anuluar.

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se vizita është anuluar për shkak të çështjeve logjistike të ndërlidhura me Kouchner, duke mos dhënë më shumë detaje.

“Posa të ri-caktohet data e vizitës do t'ju informojmë në kohë. Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj”, thuhet në njoftim.

Ambasada e Francës gjatë ditës njoftoi se ish-shefi i UNMIK-ut gjatë periudhës 1999-2001 dhe ish-ministër i Jashtëm i Francës do të vizitojë Kosovën më 11 dhe 12 qershor, si pjesë e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Kouchner sipas ambasadës kishte paraparë takime me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, ku do t’i ndahej Çelësi i Qytetit, si dhe do të zbulohej pllaka e një rruge të emërtuar në emrin e tij më 11 qershor.

Kouchner po ashtu ishte pritur të mbajë një fjalim në një seancë solemne të Kuvendit të Kosovës më 12 qershor dhe vizita në Graçanicë ku do të takohej me përfaqësuesit e komunitetit serb, përfshirë ipeshkvin e Rashkës dhe Prizrenit, Teodosie.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat