Deputeti i PDK-së, Reshat Qalaj ka deklaruar se është për keqardhje që sot nuk pati një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama, gjatë qëndrimit të këtij të fundit të hënën në Kosovë.
Qalaj ka thënë se ka një stagnim dhe dëmtim të marrëdhënieve ndërvëllazërore.
Ai thotë se përveç me shqiptarët në Shqipëri, marrëdhëniet nuk po qëndrojnë mirë as me ata në Maqedoni të Veriut e Luginë të Preshevës.
“Është për keqardhje që ne të kemi raporte të tilla, ne si shtet si Kosovë, pra kryeministri i vendit të ketë raporte të tilla me “vëllaun e madh”, me kryeministrin e Shqipërisë dhe mendoj që kemi stagnim edhe në marrëdhënie dhe dëmtim të marrëdhënieve ndërvëllazërore me shtetin e Shqipërisë, dëmtim të marrëdhënieve me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, kemi përçarje edhe me shqiptarët në Luginën e Preshevës”, është shprehur ai.
Rama është pritur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ku edhe i është ndarë çmimi “Çelësi i Qytetit. Gjithashtu, kryeministri Rama ka marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, e organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Fondacioni “Ibrahim Rugova”. Ndërkaq, Qeveria në një përgjigje për Tëvë1, thotë se në bazë të agjendës së deritanishme, Rama po i takon ata me të cilët konsideron që ka nevojë t`i rregullojë raportet.