Publicisti Milazim Krasniqi ka reaguar në lidhje me konferencën e djeshme “Rugova dhe Perëndimi” të organizuar nga LDK-ja.
Në një postim në Facebook, Krasniqi e ka konsideruar si të çuditshme konferencën, duke theksuar se aty kanë folur disa njerëz që realisht nuk e kanë njohur Rugovën dhe vizionin e tij.
“LDK dje ka mbajtur konferencë të çuditshme për Ibrahim Rugovën. Kanë folë disa njerëz që realisht nuk e kanë njohur Rugovën dhe as vizionin e tij politik, kombëtar e humanist. Kushdo që ftohet nga organizatori ka të drejtë të flasë, qoftë dhe mbarë e mbrapshtë siç kanë folë disa dje. Por LDK nuk ka të drejtë morale të ftojë gjithsekend, nëse synon të mbetet si vazhduese e vizionit të Rugovës”, ka shkruar Krasniqi.
Sipas tij, konferenca e djeshme u duk më shumë si tubim komemorativ për trashëgiminë e Rugovës në LDK.
Për më tepër, ai vlerëson se “Rruga e re” është shkëputje nga rruga e vjetër e Rugovës.
“Ama konferenca e djeshme më shumë u duk si tubim komemorativ për trashëgiminë e Rugovës në LDK. Dje aty u promovua “Rruga e re”, duke i ndarë rrugët me Rugovën. Po të ndiqej nga Abdixhiku vizioni i Rugovës, nuk do të shpallej “rruga e re.” “Rruga e re” është shkëputje nga rruga e vjetër e Rugovës. Është një “Rilindje” brenda LDK siç e ka bërë Rama “Rilindjen” brenda PS-së. Me gjasë Rama është ftuar në konferencë, për të sjellë përvojat e tij “rilindase.” I vetmi problem në këtë eksperiment është që LDK nuk është si PS dhe as Abdixhiku nuk mund të bëhet si Rama”, përfundoi Krasniqi.