Tash e 16 vjet, Arben Murati nga fshati Bëçuk i Vushtrrisë merret me rritjen e deleve.
E tufa e tyre sa shkon e rritet.
Në prag të festës së Kurban Bajramit edhe kërkesat për blerje të kurbaneve janë shtuar.
“Po ka kërkesa, po në treg është t’u mungu delja me të madhe. Është ngritë çmimi se ka dele në treg, po ka shumë pak edhe është rritë ngritë shumë. Merre me mend tash po sillet 200-220 euro qaq që është paraqitë mungesa e tyre”, thotë ai.
Megjithatë nga Bashkësia Islame e Kosovës bënë të ditur se çmimi i Kurbanit për këtë vit është 160 euro.
“Kryesia e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës edhe këtë vit vazhdon traditën e tubimit dhe therjes së kurbaneve për nevojat e nxënësve të Medresesë dhe besimtarëve tanë me gjendje të rëndë materiale. Këtë vit çmimi për një kurban është 160 euro ose kundërvlera e këtij çmimi”, thuhet nga BIK.
E Murati kujdeset që rritja dhe shitja e kurbaneve të jetë sipas kritereve.
“Delet duhet me i plotësu kushtet prej qingjave 6 muaj e përpjetë. Duhet me kon e shëndoshë jo me sy të verbër dhe duhet me kullotë së paku me dele”, shprehet Murati.
Në prag të festës edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kanë një thirrje për të gjithë besimtarët.
“Ne i ftojmë të gjithë besimtarët që therjen e kurbaneve ta bëjnë vetëm në thertore të licencuara dhe t’i respektojnë rregullat gjatë tregtimit të tyre. Therrjet në kushte jo të mira higjienike. Therrjet në hapësira që nuk posedojnë kushte higjineo-saniatre janë të rrezikshme sidomos që tani po mbretërojnë temperatura të larta”, ka thënë zëdhënësi Lamir Thaçi.
Dita e Kurban Bajramit është me 16 qershor, ditën e diel. Simbolikë e kësaj feste është therja e kurbanit në shenjë sakrifice.