Kthimi i lavdishëm i veteranëve britanikë, flasin me emocione për luftën në Kosovë

Aktuale

Kthimi i lavdishëm i veteranëve britanikë, flasin me emocione për luftën në Kosovë

Më: 11 qershor 2024 Në ora: 20:45
Piers Ormerod

Thirrje të kosovarëve NATO, NATO, që erdhën pas periudhës së vështirë të okupimit, veterani i ushtrisë britanike thotë se nuk do t’i harrojë asnjëherë në jetën e tij.

Piers Ormerod, që shërbeu përkrah ushtrisë britanike në misionin e intervenimit të NATO-s në Kosovë, pas një çerek shekulli ka vendosur të kthehet sërish në shtetin më të ri në Evropë por tani në rrethana krejtësisht tjera.

Ormerod, rrëfen për momentet më sfiduese për të gjatë kohës sa ishte pjesë ushtrisë britanike në Kosovë.

E këtu, nënvizon përballjen dhe triumfin me rusët në orët më të rënda për shqiptarët e Kosovës.

24 orë para nënshkrimit të marrëveshjes së paqes ne kaluam kufirin duke mos ditur se me çfarë do të përballeshim. Kaluam kufirin dhe filluam të nisemi drejt veriut përmes Kaçanikut. Pastaj u bë e qartë se rusët po lëviznin trupat nga Bosnja për në aeroportin e Prishtinës, kështu që ne po nxitonin që të mbërrinim para tyre. Pas ballafaqimit me rusët ne shkuam në fshatrat e Podujevës ku nuk pamë fare njerëz. Por në një moment ata dolën nga kodrat dhe makinat tona u mbuluan me lule dhe qytetaret thërrisnin NATO, NATO. Kështu e mbaj mend për herë të fundit situatën në Kosovë, tani është krejtësisht ndryshe”, thotë ai.

I lumtur që u kthye në Kosovë në 25 vjetorin e çlirimit nga forcat serbe po shprehet edhe veterani tjetër britanik, Rob Tomlinson.

Ai thotë se ndihet krenar që së bashku me ushtarët e tjerë kontribuon në mënyra të ndryshme që Kosova ta luftojë tiraninë dhe në fund të çlirohet nga okupatori serb.

“Sa kënaqësi të kthehem këtu sërish pas 25 vjetësh, kohë shumë më të lumtura tani dhe situata është kthyer ne normalitet. Më 1999 situata ishte krejtësisht ndryshe, populli këtu ka përjetuar tmerre dhe ju e dini shumë mirë këtë. Jam krenar që kemi kontribuar në mënyra të ndryshme që Kosova të luftojë tiraninë dhe të çlirohet. Unë jam inxhinier dhe kam kontribuar në ndërtimin e kampeve të refugjatëve në Maqedoni në kushte të jashtëzakonshme. Me shpejtësi të madhe me mijëra refugjatë kosovarë kanë qëndruar në ato kampe, ishte shumë prekëse sepse ata kishin vuajtur aq shumë”, shprehet Tomlinson.

E, ish-ushtari Freddie Kruyer tregon se përgjatë 22 viteve shërbim ushtarak, operacioni në Kosovë ishte më i veçanti për të.

“Me të vërtetë kemi parë gjëra të tmerrshme këtu. Herën e fundit kemi parë shumë pak njerëz nëpër rrugë. Ne e kuptuam shumë mirë se sa e nevojshme ishte të ndërhyrja ushtarake në Kosovë në mënyrë që ta parandalonim më të keqen. Jam shumë krenar që kam qenë i përfshirë në këtë operacion me ushtrinë britanike”, thotë ai.

Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, gjatë qëndrimit në Prishtinë tha se intervenimi i NATO-s në Kosovë ka qenë gjëja e duhur që është bërë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat