Shpërthen në lot, Kuvendi në këmbë për Bogujevcin: Mesiq alarmon për rrezikun që i kanoset Kosovës

Aktuale

Shpërthen në lot, Kuvendi në këmbë për Bogujevcin: Mesiq alarmon për rrezikun që i kanoset Kosovës

Nga: Bota sot Më: 12 qershor 2024 Në ora: 08:10 Përditësuar në ora: 11:10 më 12.06.2024
Kuvendi i Kosovës

Kurti: BE është familja jonë e synuar politike, e NATO destinacioni ynë ushtarak

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se shënimi i ditës së çlirimit e ka sjell të tashmën dhe e ka përcaktuar të ardhmen e vendit.

Në seancën solemne, kreu i ekzekutivi theksoi se 25 vjet pas çlirimit, duan marrëdhënie të mirë me fqinjët, me njohje e pa sulme.

“Të bashkohemi fizikisht e shpirtërisht si sot në Kuvend e sheshet e qyteteve, për të shënuar një ngjarje historike që e ka sjell të tashmen dhe e ka përcaktuar të ardhmen. Sikur atëherë edhe tani Serbia rri e rreshtuar prapa Rusisë. Kosova ka shkuar në vazhdimësi duke forcuar aleancat e saja me vendet partnere.

BE është familja jonë e synuar politike, kurse NATO është destinacioni ynë ushtarak. Pikërisht se kemi vuajtur dhe kemi humbur, tash duam që Kosova e të gjithë qytetarëve ta gëzojnë, shumica shqiptare me pakicat. Duam marrëdhënie të mira fqinjësore, e njohje, pa sulme. Kurrë më të lirë e të pavarur nuk kemi qenë”, ka thënë ai.

Konjufca: Lufta e UÇK-së në krye me Adem Jasharin, kapitulli më i lavdishëm i historisë sonë të re

Kryeparlamentari Glauk Konjufca në seancën solemne me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit të vendit tonë tha se kur e festojmë 12 Qershorin, e kemi domosdoshmëri etike që të reflektojmë mbi historinë, sepse siç tha ai, ajo për popullin tonë ka qenë vërtetë e vështirë.

Konjufca u shpreh se 12 Qershorin do ta festojmë përherë si ngadhënim mbi të keqen e si ditë të fitores së drejtësisë mbi padrejtësisë.

Tutje, ai u shpreh se lufta e UÇK-së në krye me komandantin legjendar Adem Jasharin do të mbetet kapitulli më i lavdishëm i historisë sonë të re.

“Kur e kremtojmë 12 Qershorin, ditën e Çlirimit të Kosovës, e kemi domosdoshmëri etike që të reflektojmë mbi historinë, se ajo për popullin tonë ka qenë vërtetë e vështirë. Prandaj, ta kujtojmë të shkuarën, e të mos e harrojmë të vërtetën, nuk do të thotë të mos e duam paqen dhe pajtimin, por për ne gjithmonë e shohim pajtimin vetëm si rezultat të drejtësisë, ne kujtojmë dhe do të kujtojmë gjithmonë sepse duam që padrejtësia dhe pushtimi të mos përsëritet kurrë më”.

“12 Qershorin do ta festojmë përherë si ngadhënim mbi të keqen, si ditë të fitores së drejtësisë mbi padrejtësisë, të lirisë mbi robërinë, të çlirimit mbi shtypjen dhe të humanizmit mbi fashizmin. Më lejoni që në këtë seancë solemne të shpreh nderim me përulësi ndaj të gjithë heronjëve dhe dëshmorëve të rënë për çlirimin e Kosovës, për lirinë dhe dinjitetin e popullit të Kosovës”.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krye me komandantin legjendar, Adem Jashari do të mbetet  kapitulli më i lavdishëm i historisë sonë të re”, u shpreh tutje Konjufca.

Dita e Çlirimit të Kosovës, Osmani: Evropa lindi në një Kosovë të lirë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se 25 vjet më parë, kur ushtarët e NATO-s shkelën Kosovën, ata ishin shpëtimtar, të popullit të Kosovës.

Në seancën solemne të legjislativit, për nderë të 25-vjetorit të çlirimit, Osmani tha se hyrja e NATO-s ishte një fuqia e solidaritetit ndërkombëtar.

“Thirrjet e popullit tonë, persekutimi i pamëshirshëm dhe jetët e panumërta të humbura nga masakrat e tmerrshme, dëbimi me dhunë dhe spastrimi etnik ishin thirrje për drejtësi që nuk mund të shpërfilleshin më. Muret e tiranisë u shembën, duke hapur rrugën jo vetëm për një Kosovë të lirë, por edhe të pavarur e demokratike. Atë ditë afro 38 mijë ushtarë nga 36 shtete, komunikuan me gjuhën universale, me gjuhën e lirisë. Atë ditë, siç thoshte filozofi dhe shkrimtari francez Andres Glucksman “Evropa lindi në një Prishtinë të lirë”. Sot mund të themi,  Evropa lindi në një Kosovë të lirë”, theksoi Osmani.

Shefja e shtetit theksoi se në këtë ditë, do ta kujtojnë përherë rezistencën këmbëngulëse të presidentit historik, Ibrahim Rugova për liri, demokraci dhe Kosovën e pavarur.

“Do ta kujtojmë heroizmin e komandantit legjendar Adem Jashari me familje, të cilët u bën gurthemeli i lirisë sonë. Do të jetojmë gjithnjë edhe me kujtimin për të gjithë dëshmorët e UÇK-së,  mbi 13 mijë të vrarët gjatë luftës, në mesin e të cilëve 1133 fëmijë. Nuk do të harrojmë kurrë dhimbjen e shkaktuar nëpërmjet një prej krimeve më të llahtarshme që njeh cilado luftë, krimit të dhunimit si dhe dhimbjen që ende vazhdon për mijëra familje në Kosovë që akoma nuk kanë ku të vendosin lule sepse varret janë të zbrazëta, në kërkim të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës”, u shpreh presidentja Osmani.

Seanca për 25-vjetorin e çlirimit – Begaj, Mesiq, Calmy-Rey, Jashari, Robertson e Walker të pranishëm

Ka filluar seanca solemne e Kuvendit të Kosovës për shënimin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Në këtë seancë po marrin pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, Rifat Jashari, ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq, ish-Presidentja e Zvicrës, Micheline Calmy-Rey, Kryeparlamentarja e Shqipërisë, Lindita Nikolla, ish-sekretari i NATO’s, Lordi George Robertson dhe William Walker, i cili gjatë luftës përfaqësoi misionin e OSBE’së.

Walker, i cili atëherë ishte shef i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë luajti rol kyç në dokumentimin e masakrës në Reçak të Shtimes, ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë më 15 janar të vitit 1999.

Seanca filloi me intonimin e himnit shtetëror dhe kombëtar. Pastaj u mbajtë një minutë heshtje për të gjithë të rënët që kontribuan në çlirimin e vendit.

Kuvendi mban seancë solemne për 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës

Njëzet e pesë vjet më parë, në Kosovë hynë trupat paqeruajtëse të NATO-s. Në Kosovë, këto ditë po zhvillohen organizime të ndryshme për ta shënuar këtë ditë.

Kuvendi i Kosovës, duke filluar nga ora 10:00 do të mbajë seancë solemne në shënim të 25-vjetorit të Ditës së Çlirimit.

Po ashtu, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot do të takohet me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.

Për  sot në orën 17:00 është paralajmëruar pritja shtetërore nga Presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, në 25-vjetorin e çlirimit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat