Rrudhat e ballit i janë renditur, pak nga mosha e pak nga mërzia për popullin e tij.
Por, sytë i shfaqin krenarinë.
Këta të fundit në fakt qenë dëshmitarë të vuajtjeve të thella e të pamatshme.
E bashkë me ta u bë edhe aparati i tij fotografik, të cilin Ridvan Slivova në asnjë moment nuk e lëshoi nga dora, që një ditë përmes fotografive t’i tregojë botës tmerrin që e përjetoi Kosova.
Ridi, siç e njohin shoqëria e kolegët, qe njëri nga shumë fotoreporterët e luftës së fundit në Kosovë.
Në atë kohë si 30 vjeçar, me pak a hiç gjumë në sy e shumë herë edhe i pa ushqyer, nisej herët për të mos e ditur se kur do të kthehet.
Ai për shumë ditë mori rrugën për në secilin vend që dëgjonte se forcat serbe bënin mizori ndaj popullit shqiptar.
I vetmi qëllim që kishte thotë se ishte shkrepja e momenteve të këtij tmerri, të cilat do të mbesnin kujtim i pa harruar.
Në kolonën e gjatë të qindra-mijëra refugjatëve në Gollak të Podujevës, gjatë prillit të vitit 1999, ishte edhe Ridvani bashkë me familjen e tij.
Në këtë kolonë që zgjati 3 net e 4 ditë, u vranë 120 civilë të pafajshëm.
Ridvani ka treguar se gjendej në një situatë të vështirë, mes familjes, profesionit e informimit të popullit.
Fotoreporteri i luftës ka rrëfyer momentin më të vështirë që e përjetoi në periudhën më të egër që përjetuan shqiptarët e Kosovës.
Kufoma, masakra, dëbime, dhunë e vujatje ishin bërë fokus i kamerës së Ridvanit.
Prandaj, nga frika e humbjes së dëshmive, ai të gjitha narrativat i groposi në dhe për t’i zhvarrosur pas lufte.
Në 25 vjetorin e ditës së çlirimit të Kosovës, Slivova shprehet i lumtur, por brenga tij thotë se qëndron me familjet e të vrarëve e të zhdukurve.
Ai ka rrëfyer edhe momentet e para pas bombardimeve të NATO-s, më 12 qershor të 99-tës.
Fotoreporteri i luftës, Ridvan Slivova, së shpejti do të hapë ekspozitën me fotografi e narrativa të papara e padëgjuara për popullin e përvuajtur e që i bëri ballë rezistencës serbe.
Ai ka bërë të ditur se ato do t’ia falë Institutit për Krime të Luftës e arkivave të institucioneve shtetërore.