Në 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, kryetari i komunës së Shtimes, Qemajl Aliu theksoi se sot ka përjetuar një nga ditët më të veçanta gjatë një takimi me nënat, gratë, motrat dhe mbesat e të gjithë dëshmorëve të Komunës së Shtimes.
“Sot përjetova një nga ditët më të veçanta e u ndjeva mëse i nderuar, jo vetëm në detyrë por në jetë. Në një takim tejet emocional e me çaste edhe drithëruese, në këtë format unik për nder të jubileut çerekshekullor të çlirimit i mirëprita dhe i takova nënat, gratë, motrat apo mbesat e të gjithë dëshmorëve të Komunës së Shtimes”, ka shkruar Aliu në Facebook.
Ai ka thënë se në drekë të përbashkët, edhe me nënkryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Saranda Bogujevci e deputete, Shqipe Selimi evokuam kujtime për secilin prej dëshmorëve me familjarët e tyre të afërt. Çdo fjalë që u tha, çdo kujtim që u nda, ishte një testament i gjallë i sakrificës së tyre.
“Ata janë heronjtë e vërtetë sepse dhanë gjithçka pa kursyer për atdheun tonë. Dhembja për humbjen e tyre është e pafund, por trashëgimia e tyre jeton përherë në zemrat tona. Ne të tjerët kemi detyrën e shenjtë të punojmë pa u lodhur, për të realizuar ëndrrat dhe synimet e tyre”, shkruan ai.