Kosova i vendos sanksione tri shteteve, Qeveria jep lajmin e mirë e mirë për mërgimtarët

Aktuale

Kosova i vendos sanksione tri shteteve, Qeveria jep lajmin e mirë e mirë për mërgimtarët

Nga: Bota sot Më: 13 qershor 2024 Në ora: 08:44 Përditësuar në ora: 12:03 më 13.06.2024
Qeveria e Kosovës

Kosova i vendos sanksione shtesë Rusisë, sanksionon edhe Republikën Islamike të Iranit

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar pakot sanksionuese ndaj Rusisë, Bjellorusisë dhe Iranit.

Kabineti qeveritar miratoi propozim-vendimin e zbatimit nga Republika e Kosovës të vendimeve të Këshillit të BE-së për vendosje të masave kufizuese ndaj Republikës Islamike të Iranit, propozim-vendimin për plotësimin e vendimit të Qeverisë nr.01/64 të datës 25 shkurt 2022 të për zbatimin nga Republika e Kosovës të vendimeve të Këshillit të BE-së dhe ShBA për vendosje të sanksioneve ndaj federatës Ruse dhe Bjellorusisë në raport me situatën në Ukrainë dhe propozim-vendimin për zbatimin nga Republika e Kosovës të vendimeve të Këshillit të BE-së për vendosje të masave kufizuese lidhur me shkeljen serioze dhe abuzimin me të drejtat e njeriut në federatën ruse.

Zëvendësministrja e MPJD-së, Liza Gashi derisa shtjelloi këto masa tha se njëra nga sanksionet ndaj federatës ruse lidhet me vrasjen e liderit opozitarë rus Alexei Navalny.

“Në vazhdim të mbështetjes së kundërshtimit të agresionit rus ndaj Ukrainës dhe në përputhje me sanksionet e BE-së dhe ShBA-së, MPJD propozon për shqyrtim dhe miratim vendimet për zbatimin e pakos së 12 dhe 13 të sanksioneve të BE-së ndaj federatës ruse për cenim dhe kërcënim të integritetit territorial. Sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës dhe sanksione tjera për shkelje të rënda dhe abuzime të rënda me të drejtat e njeriut që lidhen me vrasjen e liderit opozitarë rus Alexei Navalny. Gjithashtu edhe pakon e sanksioneve ndaj Iranit gjegjësisht ndaj personave të subjekteve të përfshirë në aktivitetet e raketave bërthamore dhe personave që ofrojnë mbështetje për qeverinë e Iranit”, tha Gashi.

Kosova ka qenë pjesë e shteteve perëndimore që kanë sanksionuar Rusinë për luftën në Ukrainë që kur nisi në vitin 2022.

Mërgimtarët nuk paguajnë as sivjet sigurim kufitar, shpenzimet i mbulon Qeveria

Qeveria e Kosovës ka ndarë 3 milionë euro për mbulimin e polisës kufitare për mërgimtarët.

Vendimi është miratuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mbajtur të enjten.

“Ky vendim ka të bëjë me masa mbështetëse për mërgatën tonë, e cila parasheh mbulimin e polisës kufitare për bashkëatdhetarët që vijnë në Republikën e Kosovës për kohën sa qëndrojnë këtu”, ka thënë ministri i Financave, Hekuran Murati.

Kurti ndan 142 mijë euro për Samitin e Ballkanit Perëndimor nga “The Economist”: Mundësi e jashtëzakonshme për promovim

Qeveria e Kosovës ka ndarë 142 mijë euro për mbajtjen në Prishtinë të Samitit të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga prestigjiozja “The Economist”.

Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur këtë mundësi e jashtëzakonshme për provomvimin e sukseseve të Kosovës.

Sipas Kurtit, kjo ndikon në rritjen ndërkombëtare të imazhit të vendit dhe krijon mundësi të reja për bashkëpunim ndërkombëtar dhe investime.

“Mbajtja e kësaj konference në Prishtinë e organizuar nga organizata prestigjioze ‘The Economist’, me pjesëmarrjen e mysafirëve të huaj të rëndësishëm dhe me ekspozim mbarëbotëror përmes platformave sociale të ‘The Economist’ është një mundësi e jashtëzakonshme për promovimin global të sukseseve të Kosovës. Kjo ngjarje kontribuon në rritjen ndërkombëtare të imazhit të vendit tonë, duke theksuar përparimet tona në fusha të ndryshme dhe dujke krijuar mundësi të reja për bashkëpunim ndërkombëtar dhe investime. Mjetet buxhetore të ndahen në shumë prej 142 mijë euro. Mjetet ndahen nga buxheti i ZKM, nga programi për promovim të vendit”, deklaroi Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Kurti njofton për takimin me Walker: Njeri i jashtëzakonshëm, mik i madh i Kosovës

Kryeministri Albin Kurti në fillim të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka njoftuar se është takuar me ambasadorin William Walker.

Kurti e ka quajtur Walker njeri të jashtëzakonshëm, që ngriti zërin për padrejtësisë dhe mizoritë që po ndodhnin në Kosovë.

“Në mbledhje po vij nga takimi me mikun e madh të Kosovës e të vërtetës, diplomatin amerikan Willaim Walker. Ky njeri i jashtëzakonshëm ishte ai që ngriti zërin për padrejtësitë dhe mizoritë që po ndodhnin në vendin tonë. Me guxim dhe integritet, ambasadori Walker dhe Misioni Verifikues i OSBE’së dokumentuan dhe dëshmuan krimet e rënda që po kryheshin nga Serbia ndaj populit tonë. Raportet nga terreni shërbyen si një thirrje për ndërgjegjen ndërkombëtare dhe nxitën reagimin e komunitetin ndërkombëtar. Ai angazhim dhe ato dëshmi ishin katalizatorët që çuan në ndërhyrjen e NATO’s”, tha Kurti.

Walker, i cili atëherë ishte shef i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë luajti rol kyç në dokumentimin e masakrës në Reçak të Shtimes, ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë më 15 janar të vitit 1999.

Kurti: Çlirimi e shpallja e pavarësisë ia kanë vlejtur fortë, do të kemi strategji për drejtësi tranzicionale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në mbledhjen e Qeverisë, se Kosova për herë të parë që prej çlirimit, do të ketë strategji për drejtësi tranzicionale.

Kreu i ekzekutivit ka theksuar se kjo është një hap përpara për të realizuar përpjekjet e tyre në adresimin e planeve.

“Ky dokument është një hap përpara në përpjekjet për të adresuar planet tona, Miratimi i saj është hapi i parë, për zbatimin e saj kërkoj përkushtim, andaj shpreh mirëjohje për angazhimin”, tha Kurti.

Me tutje, Kurti falënderoi aleatët e Kosovës që ndaluan okupimin serb të popullin të Kosovës gjatë viteve të 9o-ta.

“Asnjëherë nuk është mjaftueshëm për të shprehur mirënjohjet tona për të gjithë ata qe sakrifikuan për liri, lavdi iu jemi përjetësisht falënderues edhe aleatëve ndërkombëtarë. Ne mbledhje po vij nga takimi me William Walker, ky njeri i jashtëzakonshëm, ishte ai që ngriti zërin për padrejtësinë në vendin tonë”, theksoi shefi i ekzekutivit.

Kurti se angazhimi i tyre ishte katalizator që treguan përkushtimin e NATO-s, duke përmendur e falënderuar të gjithë gratë e burrat e OSBE-s në Kosovë, për afro 6 muaj.

Kurti po ashtu përmendi edhe statistika në fushën e ekonomisë, duke thënë se vendi ka shënuar përmirësim 5 herë më të madh se në vitin 2000.

“Ekonomia e vendit tonë do jetë 5 herë me i madh se në vitin 2000, me pak se 25 vjetëve ekonomia është rritur 5 herë në gjysmë ndërkaq nga pavarësia gati tri herë me i madh kurse me 4 vjet më herët e kemi sivjet 50% më të lartë brutoproduktin vendor, shteti është më i pavarur se kurdo herë me parë, qeverisja po bëhet përherë e më e mirë, çlirimi e shpallja e pavarësisë ia kanë vlejtur fortë edhe në ekonomi edhe në demokraci, e puna jonë duhet të vazhdoj”.

Kurti mbledh ministrat

Kryeministri Albin Kurti do të mbledhë ministrat, në mbledhjen e radhës.

Njoftimin e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit.

Mbledhja e Qeverisë është njoftuar të nis në ora 10:00.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat