Lagjia “Bregu i Diellit 2” mbrëmë është tronditur mbrëmë nga të shtënat me armë zjarri.
Forca të shumta të policisë rrethuan vendin mbrëmë rreth orës 21:30, derisa në vend të ngjarjes ishte edhe një autoambulancë.
Policia e Kosovës ka thënë se nga të shtënat nuk ka të plagosur.
“Rreth orës 21:30 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore”, thuhej në përgjigjen e Policisë.
“Nga veprimet e para policore në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar disa gëzhoja, ndërkohë që deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar. Përderisa policia po punon në mënyrë aktive për të mbledhur më shumë informacion rreth identifikimit të të dyshuarve, në të njëjtë kohë po vijon punën hetimore me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, thuhej në këtë përgjigje.
Në vendin e ngjarjes doli edhe kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi. Ai para mediave, ka thënë se dy persona janë në kërkim për të shtënat me armë, teksa një grua është gërvishtur nga plumbi rikoshet.
Kryeprokurori Gashi ka thënë se të dyshuarit janë persona të njohur për Policinë e Kosovës. Ai tha se ngjarja erdhi si shkak i një mosmarrëveshjeje një ditë më parë.
“Shkaku i një mosmarrëveshjeje që e kanë pasur një më parë, janë gjuajtur mes vete nuk ka të lënduar përveç një gërvishtjeje të një kalimtareje aty. Personat e dyshuar janë të njohur për Policinë e Kosovës, janë recidivistë. I kemi të gjitha provat, kamerat, i kemi identifikuar dhe gjatë bastisjes në banesën e tyre kemi gjetur dëshmi shumë të rëndësishme, disa maska. Katër persona janë në kërkim “, tha Gashi.