“Mëkat për një intelektual dhe guximtar!”, Çun Lajçi i reagon kryeministrit Kurti

Aktuale

“Mëkat për një intelektual dhe guximtar!”, Çun Lajçi i reagon kryeministrit Kurti

Nga: A.Zh Më: 14 qershor 2024 Në ora: 10:00
Çun Lajçi dhe Albin Kurti

Aktori dhe shkrimtari i njohur Çun Lajçi, i ka reaguar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

Ai ka thënë se Kurti ka harruar t’i ftojë artistët në festën për Ditën e Çlirimit, përcjell Bota sot.

“Mëkat për një intelektual dhe guximtar, për çfarë të konsiderova dhe të konsideroj!”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

Reagimi i tij i plotë:

Z. Albin!

Çlirimi i Kosovës nuk është vetëm për pushtetarët e hershëm apo të vonshëm, por edhe për poetët e artistët, që në kohën e barotit dhe të gjakut, me pak rreshta poezish, frymëzuan djalërinë, që të marrin pushkët e t'u dalin përballë tankseve serbe!

Festa e çlirimit nuk bëhet vetëm me mysafirët e ftuar dhe me ministrat, por bëhet edhe më madhështore, pikërisht me ata artistë që Ti i vizitove në pallatet e tyre, e deshe të më vizitosh edhe mua, por unë, si rebel që jam, thashë: - konaku im është për një kafshatë bukë, por jo edhe për marketing politik!

Pra, festa ishte edhe për mua, e disa aktorë të tjerë, (mbase edhe më shumë se për ty), sepse me një grusht dhe në plisin e djegur, dikur bëmë atë që duhej, atë që bëjnë artistët me zërin e tyre dhe mjeshtërinë e të recituarit, që t'ua rrëmbejnë zemrat trimave dhe t'i vënë ballë për ballë me pushtuesin, sepse poetët e mëdhenj nuk i shkruan kot ato poezitë revolucionare, por qëllimisht, që të kumbojnë sa herë të parakalojnë ushtarët e atdheut, që t'ua kujtojnë heronjtë dhe gjakun e tyre të derdhur për lirinë e Kosovës!

Artistët për këtë punë janë, por Ti i harrove artistët dhe fjalën e tyre në festat kombëtare!

Mëkat për një intelektual dhe guximtar, për çfarë të konsiderova dhe të konsideroj!

Fjala artistike dhe poezia atdhetare, në rastet festive, janë si gjylet e topit në fushëbeteja, (këtë e dini z. Kryeministër e ju zonja Presidente), apo ndoshta po kujtoni: - se mos helbete po pasurohen artistët, me ndonjë shpërblim ad-hok!

Apo, ndoshta na morët për të vdekur!

Apo kujtuat se jemi të sëmurë dhe të palëvizshëm!

Jo!

Ne akoma jemi pushkë të mbushura, me vargje plumbash dum-dum, për festat e atdheut!

Çlirimi i Kosovës me vargjet "Kokën lartë shqiptari im" dhe parakalimin e ushtarëve, do të ishte një festë edhe më e bukur dhe më domethënëse!

Frikëohem se përvjetoreve tjera s'do të jemi as për vërejtje as për recitime z.Kryeministër!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat