Koloneli shqiptar Dritan Demiraj, ka komentuar një hartë, të publikuar nga mediat ruse, në të cilën janë publikuar vendet aleate të Rusisë, në të cilat kjo e fundit mund të vendosë armët nukleare.
Në mesin e këtyre vendeve, është edhe Serbia, gjë të cilën koloneli e sheh si shumë të rrezikshme dhe kërcënuese për destabilizimin e rajonit, përcjell Bota sot.
Ai ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian, që të ndryshojë qasjen urgjentisht ndaj Serbisë, pasi mund ajo mund të rrezikojë përsëri stabilitetin e rajonit.
Ndërsa, kryeministrin Albin Kurti, Demiraj e ka udhëzuar që të vazhdojë me reforma në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.
Reagimi i plotë Ii Demirajt në Facebook:
(Ditën e djeshme) - me 10 Qershor, mediat shtetërore të Kremlinit në Moskë, publikuan një hartë të vendeve aleate, te të cilat Federata Ruse kërcënonte SHBA-të se mund të vendoste armët e saj nukleare, raketat balistike ose hipersonike, në rast se vazhdonte të mbështeste politikën e goditjes të bazave ushtarake ruse në territorin e tyre nga Ukraina.
Vendet me të cilat Rusia kërcënon, janë vende diktatoriale, të destabilizuara ose që drejtohen nga liderë autokratë si Korea e Veriut, Irani, Jemeni, Meksika, Nikaragua, Kuba, Venezuela dhe Serbia.
Ajo që vlen të theksohet dhe që ka lidhje të drejtpërdrejtë me rreziqet, kërcënimet dhe destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, është qasja e Rusisë, e cila e konsideron Serbinë si një vend platformë, nga e cila në të ardhmen mund të dislokohen armë strategjike, të cilat paraqesin rrezikshmëri të lartë për rajonin tonë dhe vendet e NATO-s.
Për këtë arsye, por jo vetëm, qasja e SHBA-ve dhe e BE ndaj Serbisë duhet të ndryshojë urgjentisht, pasi një vend i cili ka shkaktuar katër luftëra civile në dekadën e kaluar, ndërkohë që nuk është distancuar nga kjo politikë, ka mundësi që me përfshirjen dhe mbështetjen e faktorëve të huaj si Rusia, të rrezikojë përsëri stabilitetin në këtë rajon të BE.
Thënë kjo, lidershipi i Dardanisë duhet ta lexojë me përgjegjësi shtetare dhe KM Kurti duhet të vazhdojë reformat e suksesshme që po ndërmerr me partnerët strategjikë në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.
Dardani, gëzuar 25 vjetorin e Lirisë!
Zoti e bekoftë Kombin Shqiptar.