Edhe këtë vit SBASHK-u ka vazhduar me aktivitetin tradicional për dërgimin e një numri të konsideruar të anëtareve e anëtarëve në bregdetin shqiptar në shenjë të respektit për përkushtimin e tyre në arsimimin dhe edukimin e brezave nëpër vite e dekada.
Ky aktivitet këtë vit ka nisur sot me grupin e parë prej 88 pushuesve, për të vazhduar më 19 qershor me grupin e dytë prej 203 pushuesve dhe për t’u përmbyllur me grupin e tretë prej 149 pjesëmarrësve në këtë aktivitet rekreativ, të cilët për në bregdetin shqiptar do në nisen më 29 qershor.
Përzgjedhja e pushuesve është bërë nga shoqatat sindikale që nga çerdhet e deri të universitetet e institucionet e kulturës, duke u bazuar në kriteret e përcaktuara nga Këshilli Drejtues i SBASHK-ut.
Kryetari i SBASHK-ut, z. Rrahman Jasharaj, është krenar që ky aktivitet po vazhdon sepse është shprehje e mirënjohjes për angazhimet e vazhdueshme e maksimale të këtyre pushuesve në shërbim të arsimit dhe kulturës.
Jasharaj përgëzon koordinatorin për organizim të brendshëm Ymer Ymerin, stafin qendor dhe kryetarët e nivelit komunal sindikal e të universiteteve për angazhimet maksimale me qëllim që ky aktivitet të ketë rrjedhë të mbarë.
Ai shprehet se edhe shumë anëtare e anëtarë të SBASHK-ut e meritojnë një dhuratë të tillë, por kaq janë mundësitë bazuar në mjetet e akumuluara për pushim dhe rekreacion.