Policia jep detaje, kapja e armatimit në veri, ishte në bashkëpunim me AKI-në

Aktuale

Policia jep detaje, kapja e armatimit në veri, ishte në bashkëpunim me AKI-në

Më: 14 qershor 2024 Në ora: 17:41 Përditësuar në ora: 20:43 më 14.06.2024
Pamje nga aksioni

Sveçla për bastisjen në veri: Kërcënimet nga Beogradi do të kundërshtohen me ligj dhe rend

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka publikuar armatimin që u konfiskua sot në veri të Kosovës.

Sveçla ka publikuar disa fotografi ku shihen eksplozivë, armë dhe municione.

Ai tha se kërcënimet destabilizuese nga Beogradi do të kundërshtohen me ligj dhe rend.

Sot, më shumë eksplozivë, armë dhe municione u konfiskuan edhe një herë në veri falë forcave tona vigjilente të sigurisë dhe rritjes së bashkëpunimit me qytetarët tanë në veri. Kërcënimet destabilizuese nga Beogradi do të kundërshtohen me ligj dhe rend”, tha ai.

​Detaje nga kapja e armatimit në veri, ishte në bashkëpunim me AKI-në

Policia rajonale e Kosovës në Mitrovicë ka dalë me detaje nga aksioni i sotëm për kapjen e armëve ilegale në veri.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se në kuadër të aktiviteteve operative në bashkëpunim me AKI-në kanë arritur të identifikojnë disa lokacione ku ndodhej armatimi i fshehur, nga ish-pjesëtarë të Mbrojtjes Civile dhe pjesëtarë të grupit terrorist të Banjskës.

Lokacioni i parë është në veri të Mitrovicës, në afërsi të Tre Rrokaqiejve, ndërlidhet me personin në kërkim, Marjan Radojeviq, ndërsa lokacioni tjetër është në rrugën “Çeta e Minatorëve”, në veri i Mitrovicës që ndërlidhet me subjektin në kërkim Zharko Cvetkoviq.

Në lokacionin e parë janë gjetur tri armë të gjata AK-47, katër karikatorë me 60 fishekë, një krehër me 11 fishekë, një këllëf revoleje, një çantë ushtarake.

Ndërsa në lokacionin e dytë janë gjetur një rrip brezi me 25 fishekë për armë gjuetie, 23 fishekë për armë gjuetie, pistoletë TT me një karikator me tetë fishekë, tre karikatorë me nga tetë fishekë, dy karikatorë në fotrollë, 28 fishekë për armë të gjata, 10 krehër me fishekë të armës së gjatë (99 fishekë), një kuti me fishekë 7x62, katër pastruese të armës, kuti me lëndë të dyshimtë.

Në lokacionin e tretë janë gjetur armë e gjatë me bajonetë, një pistoletë me dy karikatorë me nga tetë fishekë 7x62 dhe një fotrollë, çantë e zezë me pajisje për pastrim të armës, dy kuti me nga 50 fishekë 7x62, tre karikatorë me fotrolla me nga tetë fishekë, armë e gjatë gjuetie me çantë.

Ndërsa në lokacionin e katërt janë gjetur iriq metalik, jelek i brendshëm antiplumb, 30 copë mjet i dyshuari eksploziv TM 100, një uniformë, çantë e zezë me pajisje të ndihmës së parë dhe adapter për radiolidhje.

​Ky është pronari i shtëpisë ku u gjet armatimi sot në veri

Sasi e madhe armatimi është gjetur sot në një shtëpi në veri të Mitrovicës.

Burime të mediave bëjnë të ditur se pronar i shtëpisë ku është gjetur armatimi është Zharko Cvetkoviq, i cili ishte pjesë e grupit terrorist të Banjskës më 24 shtator të vitit të kaluar.

Mësohet se personi në fjalë ka arritur t’iu ikë organeve të rendit dhe ndodhet në Kopaonik të Serbisë.

Policia e Kosovës ka paralajmëruar konferencë të jashtëzakonshme për media nga ora 19:30. 

Policia njofton për konferencë të jashtëzakonshme

Më fillim nga ora 19:30, Policia e Kosovës do të mbajë konferencë të jashtëzakonshme për media për ekspozimin e një sasie të armatimit të konfiskuar nga Policia.

Lajmin për media e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi.

Në këtë konferencë do të paraqiten detaje rreth një operacioni policor të gjetjes dhe konfiskimit të një sasie të armatimit, të cilat do të ekspozohen për publikun.

Ai bëri të ditur se konferenca do të mbahet në ndërtesën Rajonale të Drejtorisë të Policisë në Mitrovicë të Veriut.

Konfiskohet armatim në veri

Policia e Kosovës po zhvillon bastisje sot në veri të vendit ku ka gjetur edhe armë.

Lajmin për median e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani, i cili tha se s’mund të japë shumë detaje deri në verifikim të detajeve.

“Policia ka bërë bastisje në dy vende. Në njërin ende bastisja nuk ka përfunduar. Pas verifikimeve të nevojshme ju njoftojmë me të gjeturat”.

Ai ka shtuar se “ka gjetje të armëve, por që për sasinë e tyre dhe për detaje të tjera mund të flasim më vonë për shkak që ende nuk i kemi verifikuar”.

Një aksion i ngjashëm me një të arrestuar ka përfunduar edhe dje në fshatin Uglarë të Zubin Potokut. Të dyshuarit i kanë gjetur granata dore e armë të tjera.

Për këtë rast kishte njoftuar dje ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

“Vijon suksesshëm angazhimi ynë në ç’rrënjosjen e krimit dhe largimin e mbetjeve kriminale të Serbisë në vendin tonë. Armë dhe mjete eksplozive si granatë dore, armë e gjatë, municion, radiolidhje, antiplumba e pajisje teknologjike janë zbuluar sot nga Policia e Kosovës gjatë bastisjes në një lokacion në fshatin Uglarë të Zubin Potokut. Personit të cilit i janë gjetur këto armë e pajisje është arrestuar dhe lënda është proceduar në Prokurori. Asnjë kompromis ndaj krimit, individëve apo grupacioneve që cënojnë sigurinë e vendit tonë dhe qytetarëve tanë. Nuk do të ndalemi së punuari në mbrojtje të interesave tona shtetërore, siguri ndaj vendit e qytetarëve tanë, sundim të rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës sonë”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat