Uashingtoni duket se ka nisur një ofensivë të vërtetë diplomatike dhe politike, për të bërë të ditur në hapësirat e aleancës së saj, infektimin rus në opinion.
Ditën e djeshme, thuajse në një kohë, ka pasur zhvillime të forta në aspektin politik. Qeveria amerikane ka hapur dosjet e “fshehta” të betejës propagandistike dhe psikologjike të Moskës pas shpërthimit të luftës në Ukrainë.
Më e madhja dhe më prestigjozja gazetë në SHBA, ‘The New York Times’, ka publikuar një artikull investigativ me dokumente sekretë, ku thekson sesi Rusia ka refuzuar një zgjidhje paqësore pas përplasjes me Ukrainën.
Ndërkaq, në Ballkan, janë dërguar përfaqësues të rëndësishëm për të treguar infeksionin rus, jo vetëm në Serbi edhe Bosnjë, por edhe në territoret aleate të NATO-s, duke nisur nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, por edhe Kosova.
Lord George Robertson, ish-kreu i NATO-s, ishte dje në Kosovë për të folur pikërisht për këtë rrezik.
“Ballkani Perëndimor është pjesë e territorit që ata (ruset) do të donin të dominonin. Prandaj, janë të përfshirë në përçarje, në sabotim ekonomik, janë të përfshirë në sulme kibernetike, sepse kjo është mënyra me të cilën ata veprojnë, dhe, nëse fitojnë në Ukrainë, do të bëjnë shumë më tepër dëme në të ardhmen”, deklaroi Lordi Robertson.
Ndërkaq, në Tiranë e Prishtinë, pritet që së shpejti, të zbulohen kush janë me të vërtetë foletë e financuara nga Moska që ziejnë në propagandën e tyre.
Ditët e fundit ka pasur mjaft diskutime me njerëz të medias nga diplomatë të ndryshëm, për t’i treguar me detaje bërthamat ruse në Ballkanin Perëndimor.
Bëhet fjalë për një rrjet të gjerë, kryesisht mediatik, ku në mënyrë krejt të njëanshme rrihet propaganda ruse, pa pasur një debat të rëndësishëm me dy palët. Një burim diplomatik i tha ‘Pamfleti’-t, se për Perëndimin nuk ka asgjë që të ketë një përballje të lirë opinionesh për luftën në Ukrainë apo për përplasjen me Moskën.
Por ajo që vihet re si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë, në disa fole mediatike, jepet vetëm njëra anë e opinionit, pra ai filorus.
Kështu, për shembull, në një televizion proqeveritar, që ka si financues njerëz që importojnë produkte nga Seerbia, nuk lodhen së përsërituri “arsyet” e Moskës për të marrë pjesën lindore të Ukrainës, “të drejtën” e saj, por edhe e ashtuquajtura “supermaci” ushtarake. Është gjithmonë i njëjti person që qarkullon edhe në institucionet më të larta të vendit prej mbi 25 vitesh që e sjell këtë qasje.
Por që është më e rëndësishmja është se nuk ka një përplasje të ndershme opinionesh. Ndaj në ditët që vijnë pritet të bëhen publike mediat dhe njerëzit që marrin para nga Moska.
Ndërkaq, ‘New York Times’, në një shkrim bombastik, dje bënte të ditur se ka qenë Rusia ajo që refuzoi një kompromis politik për Ukrainën.
Negociatat zgjatën të paktën dy muaj dhe përfunduan pa zgjidhje, por bisedimet atëherë ishin jashtëzakonisht të detajuara dhe preknin çështje që ende mbeten si shkëmbinj të mëdhenj që bllokojnë rrugën drejt paqes. Në thelb, Kievi synonte të mbante gjallë sovranitetin dhe pavarësinë e tij, ndërsa Moska donte ta reduktonte atë në një shtet vasal.
Në muajt në vijim, të dy palët fajësuan njëra-tjetrën për dështimin. Propaganda e Putinit gënjeu duke mohuar qëllimin fillestar për të mos synuar të pushtonte ushtarakisht të gjithë vendin dhe kryeqytetin e tij. Ukrainasit kanë pohuar gjithmonë se asnjë dokument nuk është nënshkruar apo miratuar, siç na e kanë përsëritur disa herë diplomatët evropianë në Ukrainë dhe këshilltarët më të afërt me Presidentin Zelensky. Putin më vonë pretendoi se ishin Joe Biden dhe Boris Johnson ata që e bindën Zelenskyn të mos nënshkruante, por kjo mohohet plotësisht nga ukrainasit dhe aleatët e tyre. Është gjithashtu e vërtetë se në atë kohë Zelensky, vetë, tha se ishte gati të "ngrijë" territoret e pushtuara në 2014 nga Rusia dhe milicitë e saj aleate pro-pavarësisë në Donbass dhe Krimesë për një periudhë që mund të zgjaste deri në 15 vjet.
Sot, të dy pozicionet mbeten më larg se kurrë, në çdo rast më larg se në shkurt-prill, dy vite më parë. Ukraina kërkon kthimin në kufijtë e vitit 1991, siç u shpreh edhe në samitin në Zvicër ditët e fundit, dhe nga ana tjetër propozimi i rinisur nga Putini për një "paqe të konsoliduar" që përfshin ndër të tjera pranimin ukrainas të aneksimit rus, nga katër rajonet e tij të pushtuara - Lugansk, Donetsk, Zaporizhzhia dhe Kherson - dhe madje edhe tërheqja e Ukrainës nga zonat e këtyre rajoneve ku ushtarët e saj ende rezistojnë, nxjerrin në pah se sa larg janë të dy armiqtë nga mundësia për të arritur ndonjë kompromis.
Dokumentet e publikuara nga gazeta amerikane – “të siguruara nga burime ukrainase, ruse dhe evropiane” - ndihmojnë për të kujtuar se në çdo rast ajo ishte periudha e vetme në të cilën të dy palët folën drejtpërdrejtë dhe pa ndërmjetës. Dhe kishte edhe marrëveshje të pjesshme. Për shembull, rusët fillimisht kërkuan që Kievi ta njohë Krimenë si territor rus, por në një draft të 15 prillit Moska ra dakord që kjo çështje të mos përmendej. Në draftin e një dokumenti tjetër, Ukraina premton të mos kërkojë anëtarësim në NATO dhe në të njëjtën kohë siguron që të mos vendosë asnjë kufizim në përdorimin e gjuhës ruse në territorin e saj.
“Ne kishim mundur të arrinim një kompromis të vërtetë. Nga mesi deri në fund të prillit 2022 ne ishim shumë afër një marrëveshjeje paqeje,” pranoi Oleksandr Chalyi, një nga negociatorët ukrainas, dhjetorin e kaluar.
Një nga mosmarrëveshjet e pazgjidhura kishte të bënte me rrezen e qitjes së raketave ukrainase: Moska kërkoi që ajo të kufizohej në më pak se 50 kilometra, Kievi donte rreth 360. Por bllokada më serioze ishte për vendet garantuese: Kievi e donte këtë dhe në rast të një lufte të re, do të mbrohej nga SHBA, Britania e Madhe, Kina, Rusia dhe Franca. Moska tani kërkoi të shtonte klauzolën sipas së cilës mburoja e garantuesve duhej të kërkonte unanimitetin e tyre. Kjo do të thonte se nëse Rusia do të pushtonte përsëri dhe do të vinte veton ndaj ndërhyrjes së Aleatëve, ajo do të kishte "carte blanche". Sipas dokumenteve të New York Times, ishte pikërisht kjo klauzolë e fundit që bllokoi negociatat dhe i shtyu ukrainasit ta braktisnin marrëveshjen. Kievit iu duk si një kurth gjigant: pasi u tërhoq, pasi njohu legjitimitetin e pushtimit rus të një pjese të territorit të tij dhe më në fund u çarmatos, Ukraina u la në mënyrë efektive në mëshirën e Putinit.Pamfleti