Komuna e Podujevës ka njoftuar se ish-deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pack e shoqëruar nga kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe nënkryetarja Marigona Lahu, e ka vizituar familjen e heroit Besnik Restelica.
Në njoftimin e komunës thuhet se familja e Besnikut e forcoi lidhjen me Pack duke ia dhënë edhe çelësin e shtëpisë, ndërkaq, në këtë njoftim bëhet e ditur gjithashtu se në 25-vjetorin e çlirimit do të shpallet edhe qytetare nderi e Komunës së Podujevës.
“E ka bërë këtë sikur para 27-vjetësh kur po qëndronte në Kosovë në vitin 1997 dhe e kishte vizituar këtë familje, ku e kishte parë edhe kufomën e Besnikut, i cili vdiq në burgun e Prishtuinës nga torturat e policisë serbe”.
“Doris Pack ishte bërë zëri i Kosovës në Parlamentin Evropian. Aty po i njoftonte deputetët për krimet që po i bënte Serbia mbi popullin shqiptar, duke mos e harruar asnjëherë t’ua kujtojë edhe rastin e Besnikut. Sot, familja e Besnikut e forcoi lidhjen me ish-eurodeputeten Pack duke ia dhënë edhe çelësin e shtëpisë, ndërkohë që të mërkurën, në 25-vjetorin e çlirimit do të shpallet edhe qytetare nderi e Komunës së Podujevës”, thuhet tutje në njoftim.