Mbledhja e tyre u vulos në histori.
Pasi në shkurt të vitit 1974, Kuvendi Federativ i asaj kohe miratoi Kushtetutën e Parë të Kosovës.
E gjysmëshekulli pas, historianë nga Prishtina, Tirana, Shkupi e Prizreni u mblodhën në Institutin Albanologjik.
Në tryezën shkencore të organizuar nga ky institut, ata paraqitën trajtesat e tyre shkencore e akademike.
Për zgjidhjet krahasuese ndërmjet Kushtetutës së Kosovës e vitit 1974 dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës e vitit 2008, foli eksperti i të drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu.
Ai theksoi se kushtetuta e re duhet të rishkruhet.
Kurse për politikën hegjemoniste të Serbisë kundër Kushtetutës së Kosovës të vitit 74, foli sekretari shkencor i Institutit Albanologjik, Lulëzim Lajçi.
E si ishin shqiptarët në Maqedoni në dioptrinë e Kushtetutës së atij viti tregoi studiuesi Qerim Lita.
Ndërsa historiani Memli Krasniqi foli për marrëdhëniet ‘’e shtendosura’’ Shqipëri-Jugosllavi dhe si ka qenë Kosova përballë elitës serbe.
E i ftuar nga Shqipëria ishte historiani Hasan Bello i cili tregoi për aspektet e bashkëpunimit arsimor e kulturor mes Shqipërisë dhe Kosovës në vitet 1970.
Kurse për jehonën e aprovimit të Kushtetutës së Kosovës të vitit 1974 në shtypin e asaj kohe, foli shefi i degës së Historisë në Institutin Albanologjik, dr. Nuridin Ahmeti.
Për Konferencën e Bujanit dhe Autonominë e Kosovës të vitit 1974, tregoi profesori Alban Dobruna.
Me këtë rast, foli dhe historiani Ditar Kabashi.
Ky program u mbajt në sallën e Institutit Albanologjik në Prishtinë.
Kosova u pavarësua në themelet e Kushtetutës së vitit 1974.