Nënkryetarja e PDK-së dhe ish-ambasadorja e Kosovës në Bruksel, Mimoza Ahmetaj, thotë se Kosova ishte dashur të negocionte për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian dhe jo të flet në këtë kohë për heqjen e masave.
‘’Kisha dashur të shoh se Kosova është duke negociuar për anëtarësimin e saj në BE dhe jo të flet në këtë kohë për heqjen e masave, kur ne ka vite prej kur kemi aplikuar për statusin e shtetit kandidat’’, thotë ajo.
Ahmetaj, deklaron se nuk ka çfarë të diskutohet më shumë pasi që kërkesa dhe ideja është masat nga BE-ja të vendosura ndaj Kosovës të hiqen.
‘’Nëse do të diskutohet apo jo është çështje tjetër, kërkesa dhe ideja është që masat të hiqen, nuk ka çka të diskutohet më tepër’’, thekson ajo.
Nënkryetarja e PDK-së, shprehet se Qeveria Kurti është ajo që e ka sjellur Kosovën në këtë pikë.
‘’Është kjo Qeveri që na ka sjellur në këtë pikë, që ne pas kaq viteve që kemi nënshkruar Marrëveshjen për Stabizilim-Asociim dhe që kemi aplikuar për statusin kandidat, kemi bërë regres për heqjen e masave’’, potencon Ahmetaj.
Ish-ambasadorja Ahmetaj deklaron se nuk dëshiron ta komentoj deklaratën e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, por që thotë se fokusi do të duhej të ishte tek vendet anëtare të BE-së, për heqjen e masave.
‘’Nuk do doja fare t'i komentoja deklaratat e individëve, fokusi do të duhej të ishte tek vendet anëtare për heqjen e masave, prandaj ky do të duhej të ishte fokusi tani’’, thekson nënkryetarja Mimoza Ahmetaj.