Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, me ftesë të ministrit të Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg, është nisur të enjten për në Austri.
Siç ka njoftuar MPJD-ja, ministrja Gërvalla do të marrë pjesë në takimin e grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, i cili përfshin përveç Austrisë dhe gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor edhe Italinë, Kroacinë, Çekinë, Greqinë, Sllovakinë dhe Slloveninë dhe synon përkrahjen e shteteve të Ballkanit Perëndimor për një integrim sa më të shpejtë në strukturat e BE-së.
Në këtë takim, Gërvalla do t’i paraqesë qëndrimet e Republikës së Kosovës rreth sigurisë në Evropë dhe në rajon, reformat e thella të ndërmarra për sundim të ligjit, ngritjen e nivelit të demokracisë dhe zhvillimin ekonomik.
“Si dhe do të avokojë për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe nevojës së ndërmarrjes së veprimeve konkrete për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.