Janë bërë fiks nëntë muaj që prej sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku.
Por, ai që e mori përgjegjësinë, Milan Radojiçiq, për këtë sulm vazhdon të jetë i lirë.
E për atë që ndodhi në Banjskë me 24 shtator të vitit 2023 nuk ka as raport ende, andaj në Bashkimin Evropian thonë që pikërisht për këtë nuk kanë lëvizur në hapa tutje për ndërmarrje të masave.
“Menjëherë pas sulmit dhe ditë, javë e muaj më vonë, kemi bërë të qartë pozitën tonë se çka presim nga dy palët, si Kosova ashtu edhe Serbia kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen e mundshme ose mbështetjen e këtij sulmi të tmerrshëm nga ana serbe. Përsëri e gjithë kjo duhet të jetë objekt hetimi, dhe gjetjet do të përfshihen në raportin final, i cili me gjasë nuk është përfunduar ende ose të paktën, nuk na është vënë në dispozicion deri në këtë fazë”, ka thënë zëdhënës i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Por, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë që ekzekutivi ia ka dorëzuar një raport vitin e kaluar Bashkimit Evropian.
“Si Qeveri e Republikës së Kosovës, brenda kompetencave tona, kemi përpiluar një raport 48-faqësh në lidhje me sulmin terrorist dhe paramilitar, të cilin ia kemi dorëzuar Bashkimit Evropian dhe secilit shtet anëtarë qysh vitin e kaluar. Këtë informacion besoj që zëdhënësi Stano duhet ta ketë”, ka thënë Kryeziu.
Tutje Kryeziu ka shtuar se Millan Radojiçiq vazhdon të mbetet i afërt me strukturat e larta shtetërore në Serbi.
“Afërsia dhe bashkëpunimi i tij me shtetin e Serbisë është e njohur. Ajo vërtetohet edhe me fotografinë e publikuar në mars të këtij viti kur shihet bashkë me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, atë kohë ambasador i Serbisë në ShBA, gjashtë muaj pas sulmit në Banjskë dhe pranimit të fajësisë për pjesëmarrje dhe udhëheqje të grupit nga vetë Radoiçiq”, ka shtuar ai.
E anëtari i komisionit për siguri nga radhët e PDK-së, Rashit Qalaj, tha se mos arrestimi i Radojiçiq nuk po ndodh meqë presidenti serb nuk po dëshiron diçka të tillë.
“ Të gjithë e dinë se ai është i lidhur ngushtë me presidentin e Serbisë, dhe kjo është arsyeja kryesore se pse ai nuk arrestohet dhe pse ai nuk depërtohet në Kosovë. Për mua nuk mjafton arrestimi i tij dhe gjykimi në Serbi, meqenëse ai gjykim do të jetë një farsë dhe kush pret nga Serbia ta gjykoi Millan Radojiçiqin kur presidenti i Serbisë e quan atë hero”, ka thënë Qalaj.
Qalaj tutje theksoi se edhe Kosova ka bërë gabime në trajtimin e këtij rasti.
“Ne mendoj se kemi bërë gabim në hapa për arsyeje se në momentin që kur mësë shumti ka qenë duke u diskutuar çështja e sulmit terrorist në Banjskë, dhe në momentin që kur i tërë faktori ndërkombëtar ka qenë i fokusuar në serbi duke bërë presion për arrestimin dhe ekstradimin e terroristëve që kanë marrë pjesë në këtë sulm, ne si shtet Kosova mori vendim për ndalimin e dinarit”, ka shtuar ai.
Ndryshe më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, mbeti i vrarë rreshteri i policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa gjatë shkëmbimin me armë zjarri, mbetën të vrarë tre pjesëtarë të grupit paraushtarak serb.