Ditën e fillon në oborrin e saj duke u marrë me bletari.
Përveç kësaj ajo është aktive edhe në shoqata të ndryshme.
Zotësia e Xhemile Krasniqit në bletari e shoqata ka rënë në sy të bashkëfshatarëve në Mazgit të Epërm në Komunën e Obiliqit.
Andaj ajo ka marrë besimin e tyre për të udhëhequr në këtë fshat.
Madje, ajo është kryetare edhe e Mazgtit të Ulët dhe Hade e Re në Obiliq.
“Arsyeje e kanë cek vet banorët që vet prezenca ime dhe mirëkuptimi im, ndoshta mikpritja mirësjellja ime, fjalori i butë, ka ardhur deri tek një këshill lokal që vetëm më kanë propozuar dhe sot i udhëheq fshatrat”, tha kryetarja Krasniqi.
Ajo tregoi që kandidatura e saj është mirëpritur nga një shumicë e fshatarëve.
Edhe banori, i fshatit Mazgit i Ulët, Hyd Berisha shprehet i kënaqur me punën e kryetares së fshatit.
“Është një grua punëtore nuk është veç kryetare e fshatrave por është edhe kryetare e grupit të grave është edhe kryetare e bletarëve në Komunën e Obiliqit, ku edhe unë jam bletar, merremi me bletë”, tha Berisha.
Ndryshe Xhemile Krasniqi është gruaja e vetme në këshillin e fshatrave në Komunën e Obiliqit dhe e para grua kryetare në këtë komunë.