Kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas, po shihet si pasardhëse e Josep Borrellit, në postin e kryediplomatit të Bashkimit Evropian.
Këtë e ka pohuar edhe Bahri Cani, gazetar i medias gjermane Deutche Welle, përcjell Bota sot.
Në një postim në Facebook, Cani ka thënë se për Kosovën, ardhja e Kallas është e rëndësishme, pasi ajo vjen nga një vend që e njeh vendin tonë.
Sipas Canit, ajo së shpejti do të propozojë edhe një ndërmjetës tjetër në vend të Miroslav Lajçakut.
“Më rëndësi - pasardhësja e Borrellit vjen nga një vend që e njeh Kosovën!
Kaja Kallas, kryeministre e Estonisë dhe politikane liberale, do të jetë pasardhësja e spanjollit Josep Borrell në postin e shefit të diplomacisë evropiane. Kjo do të thotë se Kallas do të jetë pas zgjedhjes zyrtare në këtë post edhe shefe e ekipit ndërmjetësues në dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Besohet se ajo së shpejti do të propozojë edhe një ndërmjetës tjetër në vend të Miroslav Lajçakut. Për Kosovën ky është një lajm me rëndësi, sepse Kallas vjen nga një vend që e njeh Kosovën. Ajo ka pasur edhe mospajtime serioze me politikën serbe, për disa shkaqe.
Ndërkohë që Borrell dhe Lajçak janë akuzuar shpesh si tepër të afërt me politikën serbe. Këtë vendim kanë marrë sot në Bruksel presidentët dhe kryeministrat e vendeve me numrin më të madh të deputetëve në Parlamentin Evropian. Ata janë dakorduar po ashtu që Ursula von der Leyen të rizgjedhet në postin e Komisioneres së BE edhe për një mandat. Vendimi do të zyrtarizohet në ditët në vijim”, ka shkruar Cani në një postim në Facebook.