“Jam keqpërdor”, refuzohet kërkesa e dëshmitarit Fondaj për avokat

Aktuale

“Jam keqpërdor”, refuzohet kërkesa e dëshmitarit Fondaj për avokat

Më: 26 qershor 2024 Në ora: 09:42 Përditësuar në ora: 11:47 më 26.06.2024
Kurtesh Fondaj

Refuzohet kërkesa e dëshmitarit Fondaj për avokat

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë rrëzuar kërkesën e dëshmitarit Kurtesh Fondaj, që t’i caktohet një avokat mbështetës në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Fondaj në fillim të seancës kërkoi avokat, me pretendimin se është ndier i keqpërdorur.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, nuk është ngritur asnjë pretendim se dëshmitari ka kryer ndonjë krim dhe se nuk është përgjigjur në ndonjë formë që si rrjedhojë ta ketë inkriminuar veten.

“Zotëri Fondaj, e kuptoj që keni biseduar me Zyrën Administrative dhe i keni shprehur shqetësimet tuaja. Ne i kuptojmë shqetësimet tuaja tani unë do t’i përgjigjem disi pretendimeve tuaja. Që të caktojmë një avokat ne për dëshmitarin duhet të ketë arsye të forta që dëshmitari mendon se po e inkriminon veten dhe mendon se po e akuzojnë se është kryerësi i një krimi. Ky nuk është rasti ynë. Në asnjë moment nuk është ngritur ndonjë pretendim, je një person i nderuar. Askush nuk ka pretenduar që keni kryer krim apo që jeni përgjigjur në ndonjë formë që t’iu ketë inkriminuar në ndonjë formë”, tha kryetari i trupit gjykues.

Si rrjedhojë, gjyqtari e njoftoi dëshmitarin se kërkesa e tij për një avokat është rrëzuar.

“Po ashtu, jeni shqetësuar për pyetjet e gjykatësve, sipas rregullores sonë, gjykatësit mund t’iu drejtojnë pyetje dëshmitarëve gjatë procesit gjyqësor. Ju jeni këtu thjesht për ta thënë të vërtetën, për t’iu përgjigjur pyetjeve me aq sa mundeni. Ne e kuptojmë që është stresuese kjo situatë dhe ne e vlerësojmë faktin që keni ardhur dhe që po bëni të pamundurën. Ne do të vazhdojmë. Ne të kemi edhe disa pyetje dhe shpresojmë që të mbarojmë sa më shpejtë, në mënyrë që të largoheni. Kështu që, kërkesa e juaj për një avokat në këtë moment rrëzohet”, tha Charles Smith III.

Më pas, me pyetje për dëshmitarin vazhdoi gjyqtari Guénaël Mettraux, i cili ia prezantoi dëshmitarit një dokument në të cilin sipas tij thuhej se Fatmir Limaj i kërkon një prokurori që të fillojë hetime penale.

“Kisha kërku të më kurseni nga këto çështje se së pari për mua ky dokument nuk është valid dhe nuk mban nënshkrimin e personit për të cilin po flitni, kështu që për mua është dokument i dyshimtë. Nuk po mundem të prononcohem për këtë çështje se nuk kam njohuri dhe thjesht nuk e di se cila është baza ligjore që është thirrë dhe dokumentin e tillë, respektivisht rregulloren që po flasim nuk e kam pas në dorë dhe nuk e di a është e shkrume saktë”, tha dëshmitari.

Dëshmitari Fondaj kërkon avokat, thotë se ndihet i keqpërdorur gjatë marrjes në pyetje nga gjyqtari në Hagë

Dëshmitari Fondaj kërkon avokat, thotë se ndihet i keqpërdorur gjatë marrjes në pyetje nga gjyqtari në Hagë

Dëshmitari, Kurtesh Fondaj, gjatë dëshmisë së tij në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka kërkuar që t’i angazhohet një avokat pas pyetjeve me të cilat u përball nga gjyqtari zviceran në Hagë, Guenawl Mettraux.

Ish-ushtaraku në Zonën e Pashtrikut ka thënë që ndihet se është keqpërdorur gjatë marrjes në pyetje nga gjyqtari, prandaj kërkon ndihmë ligjore nga një avokat.

“Unë dje pasdite i kam pa në incizimet që janë prezantu nga Gjykata dhe i kam përcjellë me vëmendje dhe sidomos marrja në pyetje nga gjyqtari, më ka ba me mendu që me kërku një avokat, respektivisht një mbështetje nga një avokat, sepse po mendoj se jam keqpërdorë”, ka thënë Fondaj të martën.

Gjyqtari e ka pyetur nëse është përpjekur që ta kontaktojë një avokat, por dëshmitari ka deklaruar se kërkon nga Gjykata që t’ia angazhojnë një avokat.

Pas kësaj kërkese, Mettraux ka bërë me dije se iu duhet një pauzë e shkurtër që ta diskutojnë kërkesën.

Fondaj është dëshmitari i 73-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Gjatë dëshmisë së tij e cila ka zgjatur dy ditë, ai ka folur për mënyrën se si ka funksionuar Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

Edhe sot vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, edhe sot do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat