Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka konfirmuar se ka refuzuar kërkesën e drejtorit të së ashtuquajturës Zyre për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, për të ardhur në Kosovë.
Këshilltari politik në MPJD, Leutrim Sahiti, ka thënë se arsyeja e refuzimit është për shkak të shkeljes së marrëveshjes për vizita të ndërsjella e gjuhës së tij provokuese kundër shtetit të Kosovës.
“Në lidhje me pyetjet tuaja ju informojmë që personit në fjalë i është refuzuar vizita në Kosovë, për shkak të shkeljes së marrëveshjes për vizitat e ndërsjella, deklaratat propaganduese dhe gjuhën e tij provokuese kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj”.
Zyra serbe pretendoi se i është ndaluar vizita në Kosovë për “të qenë pranë serbëve për Vidovdan”.
Kjo zyre gjithashtu pretendoi se vizita u paralajmërua në “përputhje me të gjitha marrëveshjet e vlefshme për lëvizje të lirë” dhe se qëllimi i vizitës ishte kryekëput “i natyrës fetare”, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “e ndaloi vizitën dhe kështu i shkeli të gjitha arritjet e bisedimeve në Bruksel”.